E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIFA dhe UEFA "zbarkojnë" në Shqipëri për auditin

FIFA dhe UEFA do të "zbarkojnë" në Tiranë për t‘i vënë vulën sheshimit të një prej kontradiktave më të mëdha që karakterizuan konfliktin FSHF-qeveri: auditit financiar të institucionit që drejton futbollin në vend. Të enjten, grupi i ndërkombëtarëve, i përbërë nga Zherom Shampanj, shefi i marrëdhënieve ndërkombëtare të FIFA-s; Marcel Benz, shefi i zyrës ligjore të UEFA-s dhe delegatja e FIFA-s, Eva Paskuer, do të jetë i pranishëm në ambientet e Federatës së Futbollit. Në orët e vona të pasdites ata do të zhvillojnë një takim me presidentin Armand Duka, sekretarin e Përgjithshëm të FSHF-së, Arben Bici dhe drejtuesit e 12 klubeve të Kategorisë Superiore. Të premten programi i përfaqësuesve të FIFA-s dhe UEFA-s do të jetë edhe më i ngjeshur: fillimisht ata do të paraqiten në institucionin që është përgjegjës për sportet në vend, për t‘u takuar me ministrin Ylli Pango, ndërsa më pas do të takohen me përfaqësues të Ministrisë së Financave. Nëse në takimin e parë (me ministrin Pango) mendohet që të hidhen bazat për ndërtimin e grupit të punës katërpalësh për nenin famëkeq 53 (i cili flet për përfitimet financiare nga sponsorët dhe të drejtat televizive), me përfaqësuesit e financave pritet të zbardhet rezultati i kontrollit të brendshëm në FSHF.

Sipas burimeve pranë auditit, në rezultatin final ka rezerva për përfitimet që federata ka nga sponsorizimet. "Rezultati i auditit nuk është bërë publik, sepse Ministria e Financave kërkonte që më parë ai t‘i dorëzohej FIFA-s dhe UEFA-s", pohoi për "Shqip" një burim i afërt me Drejtorinë e Auditit. "Edhe pse jemi përqendruar më shumë te të ardhurat nga sponsorët dhe reklamat, duhet theksuar se ka shkelje". Më tej edhe një saktësim: "Ende nuk është përcaktuar me 100 për qind, por plani është t‘u dorëzojmë rezultatin e kontrollit ndërkombëtarëve dhe më pas ata të bëjnë vlerësimet përkatëse me FSHF-në, për të vendosur nëse janë dakord". Të premten, në orën 18:00, FIFA dhe UEFA do të organizojnë edhe një konferencë për shtyp.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›