Arben Ahmetaj në qendër të hetimeve, Ministria e Drejtësisë angazhohet për ekstradimin e tij nga Zvicra

SPAK ka kërkuar zyrtarisht ekstradimin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj nga Zvicra, i shpallur në kërkim për çështjen e inceneratorit të Tiranës.
Lajmi u bë i ditur gjatë seancës në procesin në themel për dosjen “Buka”, ku gjyqtarja Irena Gjoka lexoi përgjigjet e Zyrës së Interpol Tiranë.
Sipas gazetares së RTSH, Lusi Përgjegji, avokati i Ahmetajt, Henrik Ligori, deklaroi se për këtë dosje ndaj klientit të tij nuk ka asnjë masë sigurie, duke sqaruar se masa ekziston vetëm për efekt të një procedimi tjetër.
Në dosjen “Buka”, Ahmetaj akuzohet për shkelje të detyrës dhe shpërdorim detyre me dëme ekonomike që arrijnë 7 miliardë lekë. Palët nuk kanë paraqitur asnjë kërkesë paraprake. Prokurori i SPAK, Elvin Gokaj, lexoi kërkesën për gjykim gjatë seancës.
Kërkesa e SPAK për gjykim ishte paraqitur në dhjetor 2023, ndërsa vendimi për formimin e fashikullit të gjykimit u shpall më 25 korrik 2025 nga gjyqtari Erjon Çela. Ky vendim është përfundimtar dhe nuk mund të apelohet, duke kaluar çështjen në fazën e gjykimit në themel.
Sipas SPAK, ish-ministri i Financave dyshohet të ketë shkaktuar shtetit një dëmtim ekonomik të konsiderueshëm, rreth 7 miliardë lekë, përmes veprimeve të dyshimta në lidhje me inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit. Hetimet kanë evidentuar tre vepra penale kryesore: mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë, korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Arben Ahmetaj u shpall në kërkim ndërkombëtar në korrik 2023 dhe ndaj tij SPAK ka ngritur akuzat për tri vepra të rënda penale. Çështja tani do të shqyrtohet nga gjykata në themel, ku do të analizohen provat dhe argumentet e palëve.
Në përditësim…
/rtsh.al/