Spiropali: Çelja e negociatave për katër kapituj të rinj, ditë e mirë për Shqipërinë

TIRANË, 16 shtator/ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, deklaroi sot se çelja e negociatave për katër kapituj të rinj të negociatave me BE-në konfirmon ritmin e pazakontë të vendit në këtë proces, ndërsa janë hapur plot 28 kapituj në vetëm 11 muaj.
Ajo theksoi se objektivi i palëvizshëm mbetet hapja e të gjithë kapitujve brenda 2025 dhe përfundimi i negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027
“Ditë e mirë për Shqipërinë. Çelja e negociatave për katër kapituj të rinj rikonfirmon ritmin e pazakontë të vendit tonë me plot 28 kapituj të hapur në vetëm 11 muaj. Ndërkohë që detyrat e përgjegjësitë shtohen, objektivi i palëvizshëm mbetet hapja e të gjithë kapitujve brenda 2025 dhe përfundimi i negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027”, u shpreh Spiropali.
Në Bruksel u mbajt sot konferenca e gjashtë ndërqeveritare-Shqipëri-BE, ku Shqipëria bëri një tjetër hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke hapur katër kapituj të rinj negociatash, duke e çuar në 28 numrin total të kapitujve të hapur brenda vetëm 11 muajsh, një ritëm që kryeministri Edi Rama e përshkroi si rekord absolut.
Kapitujt e hapur sot përfshijnë fusha strategjike si transporti, energjia, ndërlidhja dhe mjedisi, si dhe ndryshimet klimatike, përmes grupkapitullit “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”. /j.p/