E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndahet nga jeta aktori i mirënjohur Bekim Fehmiu

Aktori i njohur shqiptar u gjet i vdekur në banesën e tij në Zvezdar, Beograd

Aktori i njohur shqiptar Bekim Fehmiu u gjet dje i vdekur në banesën e tij në Zvezdar, Beograd. Ministri i Brendshëm serd Ivica Dacic tha se dyshohet për vetëvrasje, pasi të shtënat kanë ardhur nga arma e zjarrit tip pistoletë e regjistruar në emër të tij. 74-vjeçari është i njohur për publikun shqiptar me rolin e tij në filmin, Përgjithmonë Xhulia. Nuk dihen ende shkaqet që e çuan Fehmiun ti japë fund jetës,

ndërkohë që policia lokale ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Ai jetonte në Beograd, i tërhequr nga veprimtaria artistike, ndërsa në Prishtinë vinte dhe ikte pa bërë shumë zhurmë. Bekim Fehmiu ka lindur më 1 qershor të vitit 1936 në Sarajevë. Rrjedh nga një familja e njohur gjakovare. Babai i tij, Ibrahim Fehmiu, ishte patriot i shquar, njëri ndër mësuesit e gjeneratës së parë në Kosovë dhe propaganduesi i madh i arsimit në gjuhën shqipe. Fehmiu u bë i famshëm me filmin "Mbledhësit e Puplave", në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë. Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ka qenë një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, por mbi të gjitha, ai është i madh për kontributin artistik në kinematografinë botërore. Rolet e tij në "Prova speciale", "Odiseja", "Aventurieri", "Rruga", "Vitet e nxehta", "Dezertori", përmenden si kryevepra. Nga filmat e para ka qenë "Ko puca otvorice mu se", "Vitet e nxehta", "Protesta", "Eskadrionet e partizanëve" dhe "Të kuq dhe të zinjë". Ai ka bashkëpunuar me John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Show, Dirk Bogart, Sharl Aznavur, Irene Papas, Claudia Cardinale etj. Ka interpretuar në shqip, serbisht, maqedonisht, turqisht, në gjuhën rome, në spanjisht, anglisht, frëngjisht dhe italisht. I martuar me një Branka Petric, ai ishte nga ata njerëz që nuk e braktisi në asnjë moment Beogradin dhe nuk iu tremb të qenit shqiptar. Shqipërinë e ka vizituar në vitin 1972 dhe nuk e ka fshehur kurrë mallin që kishte për të. I pyetur për dëshirën e tij ai ka thënë thjeshtë se: "Do të doja të njihja më mirë shqipen". Në të gjithë hapësirën ballkanike është gati në përmasat e një miti. Ndoshta kjo ka qenë një nga arsyet, që i biri quhet Uliks. "Njeriu nuk duhet të fajësojë për diçka që i ndodhë as babanë as vëllezërit, as fqinjën, as perënditë, por vetëm veten. Njëra nga tragjeditë tona lidhet me atë, që duke jetuar për shekuj së bashku nuk kemi mësuar nga njëri- tjetri, por dhe kur e kemi bërë këtë kemi mësuar vetëm të keqen", ka pohuar aktori. Bekim Fehmiu, në prill 2001, e botoi autobiografinë "Shndritshëm dhe tmerrshëm", të cilën e kishte shkruar qysh më 1985. Ka qenë i martuar me Branka Petriqin, me të cilin ka pasur dy djem, Hedonin dhe Uliksin.


Në vitin 1987 heq dorë nga aktrimi për propagandën antishqiptare
Aktori i ndarë nga jeta është një nga artistët më të mëdhenj shqiptarë. Në vitin 1987, kur në mënyrë demonstrative braktisi shfaqjen "Madame Kolontine" të Anete Playel, ku luante Leninin dhe Stalinin, në teatrin jugosllav të dramës, ai i dha lamtumirën aktivitetit artistik në Jugosllavi. Pas disa kohësh mori dhe vendimin për t'i dhënë fund karrierës edhe në aktivitetet artistike botërore. Në Jugosllavi është botuar libri me kujtime i Bekim Fehmiut, "Shkëlqim dhe frikë", në të cilin përshkruhet periudha që nga lindja e tij në Sarajevë, duke përfshirë gjithçka deri në vitin 1955, kur u pranua në teatrin e dramës së Prishtinës. Në intervistën e tij më 14 prill 1987 dhënë Mira Radosheviçit për gazetën "Politika", ai rrëfen se si e braktisi shfaqjen "Madame Kolontine". Sipas tij shkaqet për këtë vendim kishin të bënin me të ashtuquajturin "mosorganizim" të shfaqjes, por arsyeja e vërtetë kishte të bënte vetëm me zgjerimin e propagandës dhe shtrirjen e urrejtjes antishqiptare, në të ashtuquajturën "nga Triglava deri në Gjevgjeli". Atëherë i thashë vetes siç thotë Hamleti, "se është koha për të shpëtuar nga makthi" që të ndjehesha "Në petkat e kujtesës" të Miroslav Kërlezhës, që të ndjehesha si në këngën e Dushan Vasiljevit, "Njeriu pas lufte", i cili thotë: "...më jepni vetëm një gllëjnkë ajër dhe vesën e mëngjesit. Të vetmet që ju kanë mbetur..., tregon ndër të tjera aktori i njohur shqiptar. Më tej aktori pohon se: Ato vite të fushatës antishqiptare pushtuan faqet e gazetave, programet televizive. U publikuan fotografi të montuara ku citohej poema e Rakiceviçit "Simonida" në të cilën thuhej: "Arbanasi të nxorri sytë", por që Shkëlzen Maliqi, shpjegoi gjithçka rreth të vërtetës mbi këto vargje, se sytë nuk i u nxorën nga urrejtja, por për shkak të besimit popullor, që nuk ishte vetëm i shqiptarëve por edhe i serbëve dhe i gjithë popujve të rajonit. Dhe pika e fundit në gotën tashmë të mbushur ishte kur në shtëpi takova Brankën dhe Uliksin në gjendje shoku. Mësuesja e gjuhës serbokroatishte, në vend që të fliste për poezinë e Esad Mekulit, merrej me të shoqen e tij, doktoreshë Mekulin, e cila serbëve dhe malazezëve u mbyt fëmijët e gjallë. I shpjegova Uliksit që kjo është një gënjeshtër e vërtetë, se po ta kishte bërë këtë ajo do të kishte përfunduar në burg ose të paktën do t'i kishin hequr të drejtën për punë. Tridhjetë e pesë shpirtra nxënësish të helmuar pra dhe tridhjetë e pesë familje, anëtarëve të të cilave duhej t'u ishte injektuar helmi i urrejtjes. Natyra e qenies sime më çoi drejt heshtjes. Për disa heshtja është mënyrë miratimi, tërheqjeje. Për mua heshtja është shprehje e dhimbjes dhe e protestës.


Fehmiu, një emër që la gjurmë në historinë e filmit
Bekim Fehmiu, është një emër pa të cilin nuk mund të shkruhet historiografia e filmit shqiptar. Është një emër, i cili la gjurmët e tij edhe në historinë e filmit evropian dhe atij amerikan. Bekim Fehmiu la gjurmë të pashlyeshme në Hollivud , aty ky mijëra e qindramijëra aktorë botërorë ëndërrojnë të luajnë, madje edhe një rol episodik. Bekim Fehmiu që me talentin e tij artistik, po e mahniste botën e filmit botëror, në mënyrë indirekte iu pamundësua të kontribuonte në vendin e tij. Me metoda të sofistikuara Bekimit ia pamundësuan të kontribuonte aty ku babain e tij e kishin varrosur me flamurin kombëtar, me nderimet më të larta që i bëhen një patrioti duke pasur parasysh rrethanat dhe shtërngesat policore serbe. Gjurmët e Bekim Fehmiut do ti gjejmë në Paris, në qytetin e dritave dhe të kulturës europiane. Këto gjurmë do na shpien në shtëpitë më të njohura filmike italiane që emri i Bekimit po skalitej me mjeshtri. Ai gjithashtu luajti në filmin shumë të njohur "Odisea", një tjetër sukses. Karrierën e ka zhvilluar jashtë dhe sidomos në Itali, ku ka punuar shumë me regjisorin Dino Laurentiso. Me aktrimin nuk merrej që prej vitit 1987, në shenjë proteste për histerinë antishqiptare, por megjithatë ai fituar shumë shpërblime, mes tjerash edhe Arenën e Artë në festivalin jugosllav të filmit, në Pulë, për rolin e Halil Begut në filmin "Roj". Bekim Fehmiu ishte sinjifikim i suksesit edhe pse në një shtet ku rëndonte robëria. Ai ishte sinjifikim i bukurisë, i forcës, dhe i talentit për çdo shqiptar kudo që jetonte. Ishte sinjifikim edhe i krenarisë, sepse çdo shqiptar mburrej që ishte ai shqiptar. Bekim Fehmiu priste ofertën e një roli jetësor, që përmes emrit të tij të ndihmonte në radhë të pare vendin e tij e pastaj filmin shqiptar. Në pritje ai akumulonte role në arenën më të vështirë botërore në Çineçita (Itali), në Paramount, studion më të madhe të Hollivud, në Paris duke luajtur përkrah aktorëve gjigand të filmit hollivudian dhe evropian. Bekim Fehmiu me shpejtësi të rrufeshme po e rriste famën e tij si aktor i denjë dhe shumë i talentuar aq sa mahniste kritikët dhe shikuesit botëror. Ai u shndërrua në mit për miliona e miliona spektatorë të botës.

Nga Julia Vrapi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›