E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia: Kamzën e ndërtuam nën kujdesin e Partisë e të Sali berishës

Reagimi i zyrës së kryetarit pas reportazhit të botuar në "Shekulli", numërohen arritjet dhe sukseset "blu"

Avdil Vata, 48 vjçari që mban frymën e fëmijëve gjallë më shpatullata e tij është njeriu më i pasur i qytezës së Kamzës. Ose së paku këtë përpiqej të na mbushte mëndjen dje një e-mail i dërguar nga zyra e kryetarit të Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu.


Sqarimi nga rrjeshi i parë deri në fund përngjan me një trakt komunist, që rreket të të mbushë mendjen se Kamza nën drejtimin e Partisë Demokratike dhe të Sali Berishës jo vetëm që është bërë qytet modern, por qytetarët e saj të rinj janë njerëzit më të lumtur në botë. Sipas këtij e-maili, Avdil Vata jo vetëm që merr ndihmë ekonomike prej 6200 lekë në muaj, por drejtuesit e bashkisë tregohen aq zemërgjerë saqë herë pas here i akordojnë një fond të vçantë prej 100 mijë lekësh të vjetra.

"Në vitin 2005 një familje me 10 veta merrte ndihmë ekonomike 1500 lekë të reja në muaj. Në një kohë që në vitin 2010 një familje me 10 veta merr 6000 lekë të reja në muaj. Pra në vitin 2010 ndihma ekonomike në krahasim me vitin 2005 për familje është 4 herë më shumë. Kjo falë përkujdesit të Kryetarit të Bashkisë së Kamzës z. Xhelal Mziu dhe Kryeministrit të Shqipërisë z. Sali Berisha". Këtë thotë zyra e kryetarit Mziu.


Ndërsa në realitet, Avdil Vatën e gjen çdo ditë në sheshin në krah të Bashkisë së Kamzës duke kërkuar punë, pasi ai është aq burrë sa e quan për turp t'i trokasë dyerve të pushtetit për lëmoshë.


Por e-maili i zyrës së kryetarit nuk bënte me dije se përse deri më tani nuk marrë asnjë masë për erozionin e lumit të Tiranës dhe kanalizimet e ujërave të zeza që po përmbytin jo vetëm shtëpinë e Avdil Vatës, por të gjithë zonën e Valiasit. Pikërisht kanalizimet, papunësia, rrugët e pashtruara, plehrat, apo dhe mosakordimi i ndihmës sociale janë plagët e qytezës së Kamzës me të cilat bashkëjetojnë banorët e kësaj zone.


Kjo është aq e dukshme saqë nuk të duhet as ndihma e ndonjë drejtori të bashkisë apo dhe komunikata të shkruara nga zyra e kryetarit për të besuar të kundërtën. Kështu komunikata na bën me dije se Bashkia Kamëz falë qeverisë blu ka shtruar në këtë qytezë 30 kilometra rrugë me të gjitha parametrat ndërkombëtare.


Sa i përmbyshin këto parametra rrugët e Kamzës, zor se mund t'i besojë ndonjë njeri tjetër përvç kryetarit Mziu dhe shefit të tij, Berisha, i cili pak ditë më parë tregoi përrallën me emrin "Qyteti i Kamzës". Disa foto që bëra në qendër të kësaj qyteze do i tregojë jo vetëm kryetarit, por edhe lexuesve parametrat bashkohore për të cilat flitet në komunikatë.


"Në lidhje me aktivitetin privat në Kamëz, sqarojmë se në vitin 2006 Kamza numëronte 600 subjekte private të vegjël e të mëdhenj, kurse sot që flasim numëron 1650 subjekte të vegjël, të mëdhenj e VIP. Le të urdhërojë e të shohë "One Stop Shop" që është i vetmi në Shqipëri për nga madhësia e cilësia e shërbimeve dhe ky i atashuar në Bashkinë e Kamzës"-thuhet më tej në komunikatë.


Ndërsa e vërteta është aq asnjë prej fshatarëve që shesin prodhimet nën pluhur dhe që kanë bllokuar trotuarët e pashtruara të qytezës zor se mund të paguajë qiranë e "One Stop Shopit" të vendosur nga kryetari Mziu.


Ndërsa përsa i përket gjakut të ri blu kamziot, ku vetë kryeministri Sali Berisha e bekoi pak ditë më parë, urojmë që ajo syrësh që u kontaktua prej nesh kurrë mos ardhtë në forumet drejtuese të partisë. Ky nuk do të ishte vetëm rrënimi I partisë Demokratike.

Të gjitha rrugët të çojnë në...Kamëz


Dikur latinët thonin me krenari: "Të gjitha rrugët të çojnë në Romë". Dje bashkia e Kamzës tha se jo vetëm që të gjitha rrugët e botës të çojnë aty, por edhe kanë emrat e mbarë botës. Bashkia Kamëz mund të mos jetë vendi më i lumtur në botë por edhe vetë OKB-ja do ia kishte shumë zili larminë që të jep kjo qytezë. Aty gjen pothuajse të gjithë hartën e botës, nga rruga "Dubai" deri tek rrugët "Sali Berisha", Shkëlzeni" apo "Bulevardi Blu".


Vetëm tre prej tyre janë shtruar por bashkia është e lumtur të shpjegojë se të gjitha janë në proces. Ka shumë gjasa që ato të lyhen të gjitha me blu ku të mbarojë rikonstruktimi. Aty është rruga "Venecia", rruga "Europa", "Mesdheu", "Kosova", "OSBE" e më tej "Amerikan", "Teksas", "Uashington".


Ka edhe rrugë që lartësojnë veprën e kryeministrit të vendit, të quajtur "Berisha", pastaj me emrin e të birit "Shkëlzen", me emra liderësh të huaj si 'Nikolas Sarkozi", apo si kompozitorë të shquar si 'Bethoven". Janë arritjet e shkëlqyera që prezanton bashkia e Kamzës.


Se si janë këto rrugë e tregonte një nga drejtuesit e Co-Plan pak kohë më parë, kur deshën të zbatonin një projekt të Bankës Botërore për urbanizimin e një lagjeje të zonës informale të ngritur pas vitit 1992. Asnjëri prej banorëve të rinj nuk lëshonte nga toka që kishin zënë në mënyrë abuzive, duke mos lënë mundësi për zbatimin e një projekti normal për rrugën dhe parametrat e saj.


Nuk është e vështirë të dallosh rrugën e Kamzës nga ato të Tiranës. Janë si të prera me thikë. Bashkia e kryeqytetit investoi pak vite më parë, mes shumë përplasjesh me PD-në që mbronte bathorizimin e bastionit blu, duke mos lejuar bashkinë që të zbatonte projektin për rrugën që nis nga kthesa e Kamzës dhe përfundon afër hyrjes së Universitetit Bujqësor.


Bashkia e kryeqytetit, madje mbolli edhe pemët pak muaj më parë, duke i dhënë komunitetit një rrugë të standarteve bashkëkohore. Më tej vijnë rrugët "blu", bulevardi po me këtë emër, fonde pa fund që janë dhënë nga buxheti i shtetit për pushtetin vendor të drejtuar prej vitit 2007 nga po ai zyrtar që la në falimentim ujësjellësin e Tiranës, ku ishte caktuar si drejtor. Banorët e Kamzës mund të mos ndjehen krenarë për rrugët, lulishtet, sheshet, pa folur për mundësitë e punës dhe të argëtimit.


Por nuk kanë si si të mos ndjehen krenarë për godinën e bashkisë dhe të policisë që janë ngjitur të mbuluara në xhamllëk dhe kushte komode për zyrtarët e pushtetit vendor. Të cilët nuk mund të mos bëjnë be për kokë të PD-së dhe të kryetarit të saj Sali Berisha.


Rrugët alla-OKB të Kamzës


Asfaltim e rikonstruksion, gjatë viteve 2007-2010
Rruga nacionale (Bulevardi Blu)
Rruga e Laknasit (Skënderbeu) \

Ruga "Dajti" 2009

Ruga Gjallica 2008

Ruga Beslidhja 2007-2009
Ruga Bulqizë
Ruga "Elez Isufi"
Ruga "Co Plan"
Ruga "Europa"
Ruga "Amerika"
Ruga "Paqësor"
Ruga "Besnik Hidri"
Ruga "Mesdheu"
Ruga "Berisha"
Ruga "Balzaku"
Ruga "Bethoven"
Ruga "Bujar Bishanaku"
Ruga "Brezaret"
Ruga "OSBE"
Ruga "Teuta"
Ruga "Teksas"
Ruga "Venecia"
Ruga "Kosova"
Ruga "Azem Hajdari"
Ruga "Jehona"
Ruga "Dubai"
Ruga "Uashington"
Ruga "Nikola Sarkozi"
Ruga "Durrësi"
Ruga "Hotolisht"
Ruga "Perparimi"
Ruga "Fushë-Arrëz"
Ruga "Muharrem Bajraktari"
Ruga "NATO"
Ruga "Shkëlzeni"
Ruga "Shkollës Valias" etj.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›