E Diel, 1 Nëntor 2026

Spitali Psikiatrik i Shkodrës me godinë të re

Ky investim, me një vlerë prej 1 milionë dollarësh do të mundësojë akomodimin dhe përmirësimin e kushteve me standarde bashkëkohore të pacientëve që aktualisht ndodhen në shërbimin psikiatrik të Shkodrës.

Ndërtesa e spitalit, financim i Ministrisë së  Shëndetësisë është me dy kate dhe shërben për 35 të sëmurë. Këtë rast, e ka shfrytëzuar kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli për të prerë shiritin e përurimit, ku së bashku me të ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.

“Midis kushteve të vështira që kanë qenë më përpara në shërbim të shëndetit mendor, ne sot ofrojmë kushte moderne përmes një investimi të qeverisë që ka vlerën rreth 1 milionë dollarë dhe që është i pajisur dhe do të pajiset edhe në të ardhmen me mjetet që i shërbejnë atyre që kanë probleme shëndetësore” tha Kryetarja e Kuvendit”, theksoi Topalli. Ajo vlerësoi investimet e bëra nga qeveria në mbështetje të kujdesit shëndetësor ndërsa theksoi se financimet dhe projektet për këtë sistem janë ndër zërat kryesorë në buxhetin e shtetit.

Më pas, kryetarja e Kuvendit mori pjesë edhe në përurimin e instalimit të Aparatit Skaner në spitalin rajonal të Shkodrës. Ky projekt vjen mes një marrëveshjeje të nënshkruar nga qeveria austriake dhe qeveria shqiptare, e miratuar tashmë nga Kuvendi i Shqipërisë dhe parashikon  instalimin e 6 skanerave dhe 3 rezonancave në spitalet rajonale në të gjithë vendin.

 Zonja Topalli tha se më anë të këtyre aparaturave plotësohet edhe një angazhim i saj personal në nxitjen e grave që të bëjnë paptestin dhe mamografinë. Një falënderim të veçantë, Kryetarja e Kuvendit e shprehu për ekipet mjekësore jo vetëm të spitalit të Shkodrës por dhe gjithë Shqipërisë për rolin e tyre si misionar në çdo moment, 24 orë në 24 duke ofruar përkujdesje për ata që kanë nevojë. /Start/

                                                                                             2011-12-26 17:18
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›