Spitali “Shefqet Ndroqi”, pjesë e rrjetit evropian të qendrave të lidhura me Aortic Association

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” është pjesë e rrjetit të qendrave të lidhura me Shoqatën e Aortës (Aortic Association) në Evropë, duke u renditur ndër të paktat qendra të listuara në Ballkan.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu bëri të ditur se javën e kaluar, në këtë qendër u realizua me sukses një ndërhyrje komplekse për rindërtimin e rrënjës së aortës, zëvendësimin e aortës ascendente dhe riparimin e harkut të aortës te një pacient i operuar më parë.
Sipas ministres Spahiu, ndërhyrje të tilla komplekse kryhen në qendrat kryesore evropiane, pjesa më e madhe e të cilave janë pjesë e rrjetit të Aortic Association.
“Ky është një vlerësim që dëshmon përkushtimin dhe profesionalizmin e stafit, si dhe rëndësinë e zhvillimit të shërbimeve shëndetësore në vend”, u shpreh ministrja.
Përfshirja e Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi” në këtë rrjet përbën një vlerësim për kapacitetet profesionale të stafit dhe shërbimet e specializuara që ofrohen në fushën e kirurgjisë së aortës.
/e.xh/a.f/r.e/