Spitali i Gjirokastrës merr masa për gripin e derrave
GJIROKASTER- Spitali rajonal “Omer Nishani” në Gjirokastër tashmë ka marrë masa mbi situatën alarmante të virusit A/H1N1, që po përhapet me shpejtësi në të gjithë Europën.
Mbërritja e këtij virusi në shtetin fqinj Greqi ,bën që qarku i Gjirokastrës të jetë më i rrezikuari mbi përhapjen e gripit edhe në vendin tonë.
Ky fakt konfirmohet nga kreu i këtij spitali, Nikolla Zhulla, sipas të cilit me fluksin e emigrantëve gjatë muajit në vijim nuk mund të përjashtohet mundësia që mund të ketë persona bartës të këtij virusi.
“Janë marrë të gjitha masat, jo vetëm me faktorin njerëzor me stafin e mjekëve por edhe me infrastrukturën e duhur, ku përfshihen bokset për izolimin e rasteve, mënyra e transportit të të dyshuarve nga ambientet e spitalit dhe medikamentet e duhura. Megjithatë, për situatën aktuale dhe për vetë specifikën që ka rajoni ynë, duke qënë se dhe në shtetin grek janë shtuar rastet atëherë këto masa janë intensifikuar ” u shpreh drejtori i spitalit.
Në kushte të tilla është rritur menjëherë gadishmëria pranë këtij institucioni, duke aktivizuar një dhomë të posaçme izolimi të vecuar nga ambientet e tjera. Kjo për të shmangur kontaktet njerëzore dhe përhapjen e virusit. Ndërkohë është aktivizuar edhe faktori njerëzor cka nënkupton stafin mjekësor dhe medikamentet e duhura.
(e.n/News24/BalkanWeb)