E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spiunazhi, Clinton: Rishikim praktikave të sigurisë

Uashington- Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton deklaroi sot se kishte urdhëruar një rishikim të praktikave të sigurisë së Departamentit të Shtetit, pasi një ish-zyrtar dhe bashkëshortja e tij u akuzuan për spiunazh në favor të Kubës javën e kaluar.

Walter Kendall Myers, 72 vjeç, i ndihmuar nga bashkëshortja e tij Gwendolyn Myers, 71 vjeçe, janë akuzuar për shfrytëzim të lejekalimit të tij të sigurisë për dërgimin e informacioneve sekrete qeverisë kubane dhe një herë janë takuar me liderin kuban Fidel Castro, sipas dokumenteve të gjykatës të publikuara të premten e kaluar.

"I kam kërkuar personelit tonë të sigurisë të rishikojë të gjitha programet e mundshme të sigurisë që disponojmë, si dhe çdo lejekalim dhe mundësi për korrigjime në praktikat që përdoren në Departamentin e Shtetit, për të zbuluar se ç’mund të bëjmë më tepër për të mbrojtur veten tonë nga shkelje të tilla", deklaroi Clinton në një konferencë të përbashkët me ministrin e Jashtëm indonezian, Hassan Wirajuda.

Myers dhe bashkëshortja e tij janë arrestuar dhe akuzuar për konspiracion dhe shërbim si agjentë të huaj për qeverinë kubane dhe konspiracion për të kaluar informacione sekrete Kubës, deklaroi të premten Departamenti amerikan i Drejtësisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›