E Diel, 1 Nëntor 2026

“Spiunët”, Ligji nuk hyn në fuqi para festave

Nga Darina Tanushi
Zyrtarët që do të verifikohen në bazë të projektligjit të spiunëve janë anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, sekretarët e përgjithshëm, funksionarët politikë, drejtorë të përgjithshëm e anëtarë të KLD-së. 

TIRANE- Festat e fundvitit po nxitojnë maxhorancën që të kopsitin shpejt e shpejt ligjin e ashtuquajtur për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit. Me gjithë kundërshtimin e opozitës, drejtuesit e PD-së kanë nxituar që ta futin ligjin "Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë", me urgjencë në seancën e sotme parlamentare. Në bazë të llogarive të thjeshta, nëse gjithçka do të ecë mirë, që do të thotë që nëse ligjin e dekreton edhe Presidenti, pra sipas planeve të maxhorancës, ai hyn në fuqi në fund të muajit janar ose fillimi i shkurtit. Maxhoranca është e gatshme që ta miratojë sot projektligjin me shumicën e kartonëve. Po me këtë urgjencë, ligji mendohet që të shkojë në tavolinën e kreut të shtetit. Nëse Presidenti Topi do t'i përgjigjet këtij ritmi të PD-së në parlament, dekreti mund të firmoset brenda pak ditësh shqyrtimi. E nëse kreu i shtetit mendon se duhet që të shfrytëzojë të gjithë afatin 20-ditor, i bie që ai të dekretojë maksimalisht në 4 janar ligjin. Duke llogaritur sërish që ai hyn në fuqi 15 ditë nga botimi në fletoren zyrtare, mund të quhet i përfunduar i gjithë procesi në dhjetëditëshin e tretë të janarit. Kjo do të thotë se fundi i janarit mund të sjellë edhe një rrëmujë të madhe edhe me shqyrtimin e dosjeve të bujshme, si ajo e tragjedisë së Gërdecit, dosja "Fazliç", ajo e rrugës "Durrës-Kukës", apo dosja "Remzi Hoxha". Tashmë është bërë e ditur se prokurorët që po merren me këto dosje, kanë punuar edhe para viteve '90 dhe janë një nga kategoritë që do të ndëshkohen pas miratimit të ligjit.
Mosdekretimi
Por ka edhe një variant tjetër, i cili do të zgjasë disi periudhën e hyrjes në fuqi të ligjit për hapjen e dosjeve të spiunëve. Gjithçka mbetet në dorën e Presidentit Bamir Topi. Nëse kreu i shtetit e kthen në Kuvend ligjin, Kuvendi mund ta rishikojë atë vetëm pas pushimeve të sesionit dhe të fundvitit, pra në 19 janar. Kjo do të thotë se pikërisht në 19 janar, ligji rimerret për diskutim dhe korrigjim nga komisioni i Ligjeve, i cili është edhe komisioni përgjegjës. Në bazë të rregullores së Kuvendit, komisioni ka të drejtë ta rishikojë në një afat deri në 8 javë nga dita kur ai ka ardhur në Kuvend. Nëse e gjithë kjo kohë do të konsumohet nga komisioni, do të thotë se hyrja e tij në fuqi shtyhet edhe me dy muaj të tjerë. Kjo procedurë mund ta çonte deri në mars. E duke marrë parasysh që drafti duhet të kalojë sërish tek Presidenti për dekretim, por kërkon edhe afatin 15-ditor për të marrë ngjyrën ligjore, atëherë afatet shkojnë deri në prill apo maj të vitit 2009. Në fakt, interesi i maxhorancës nuk është ky, pra vonesa në kohë e hyrjes në fuqi të ligjit "Për pastërtinë e figurës së zyrtarit të lartë". Kështu që edhe komisioni i Ligjeve, si komisioni përgjegjës, mendohet që në një rast të mosdekretimit nga Presidenti, të mos e zgjasë punën deri në afatin e tij maksimal. Menjëherë pas mbledhjes së Parlamentit në 19 janar, fillon nga puna edhe komisioni i Ligjeve dhe ligji i riparë mund të kalojë direkt në seancën e afërme të Kuvendit, pra në 22 janar, ditën e enjte. Kjo do të shkurtonte mjaft kohë, duke e afruar edhe veprimin e ligjit që nga muaji shkurt. Ashtu siç edhe ka pasur akuza nga ana e opozitës, maxhoranca do të mund të bllokonte shqyrtimin e 4 dosjeve më të rëndësishme të këtyre viteve, me këtë ligj që prek edhe prokurorë të njohur të cilët kanë punuar edhe para viteve '90.
Shoqata e gjyqtareve
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve kërkon që ligji për hapjen e dosjeve të mos miratohet nga Kuvendi. Sipas kryetares së kësaj shoqate, janë tre shkaqet për të cilat ky ligj nuk duhet të marrë miratimin. Bejleri shpreh shqetësimin për mospërfshirjen e gjyqtarëve në diskutimin e projektligjeve ku parashikohet të vendoset lidhur me organizimin, funksionimin dhe statusin e tyre. Kryetarja e kësaj shoqate, Manjola Bejleri dje gjatë një deklarate për shtyp u shpreh se ky projektligj prek në mënyrë të drejtpërdrejtë statusin e gjyqtarëve. "Gjejmë rastin që nëpërmjet kësaj deklarate t'i kërkojmë qeverisë dhe politikanëve që në respektim edhe të rekomandimeve të organizmave ndërkombëtare e së fundmi të Raport-Progresit të vitit 2008 të Komisionit të Komunitetit Europian, të hartojnë një strategji të detajuar e të kujdesshme për zhvillimin e reformës në drejtësi, duke respektuar standardin e gjithëpërfshirjes, të konsultimit brenda një kohe të mjaftueshme për të përftuar mendimin e të gjitha palëve", - u shpreh Bejleri.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›