Digjet makina e Ahmetit, Policia nis hetimet
TIRANE- Policia dyshon se mund të jenë më shumë se një autorët e vënies së zjarrit në makinën e shefit të Qarkullimit të Tiranës, Krenar Ahmeti. Policia ka marrë në pyetjet rojet private të bizneseve pranë banesës së Ahmetit, por mësohet se rojet nuk kanë dhënë shumë detaje në lidhje me autorët.
Ngjarja ndodhi rreth orës 2:45 në të gdhirë të së dielës pranë banesës së Ahmetit, midis rrugëve "Mihal Grameno" e "Budi", vetëm pak çaste pasi kryekomisari është kthyer nga kontrollet e natës. Ata kanë pritur që kryekomisari të kthehej nga puna dhe në momentin kur Ahmeti ka hyrë në banesë, kanë vepruar. I kanë thyer xhamin e pasagjerit mjetit tip "Passat" dhe më pas kanë hedhur një sasi benzine brenda, dhe pasi e kanë ndezur, janë larguar.
Fatmirësisht zjarri nuk ka depërtuar në serbatorin e benzinës së automjetit tip "Passat", duke evituar një shpërthim të mundshëm të karburantit, por është dëmtuar tapiceria e brendshme dhe pjesa e pasme e mjetit. Flakët janë konstatuar dhe fikur nga vet Ahmeti dhe një banor i zonës.
Nga veprimet paraprake hetimore mësohet se pistat janë ato të një zjarrvënieje të qëllimshme, për shkak të konflikteve të importuara nga zbatimi i detyrës si shef i Qarkullimit Rrugor të Tiranës, nga Ahmeti. Hetimi i ngjarjes i ka kaluar seksionit të antiterrorit në Drejtorinë e Policisë së kryeqytetit, për vetë klasifikimin e veprës penale dhe detyrës që ushtron kryekomisari Ahmeti.
(s.g/g.xh/BalkanWeb)