E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK: Të largohen militantët e PDK-së nga Policia

Drejtues të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë deklaruar se Qeveria e Kosovës favorizon korrupsionin nëpërmjet strukturave të shtetit, sidomos në Policinë e Kosovës, dhe në fushën e drejtësisë ku ka ndërhyrje nga militantë partiakë të PDK-së.

Duke folur në emër të grupit të ekspertëve të sigurisë në LDK, Arben Gashi, në një konferencë për media deklaroi se Qeveria e Kosovës favorizon korrupsionin nëpërmjet strukturave të shtetit, e cila në vazhdën e punës së keqe dhe dështimeve të vazhdueshme në të gjitha fushat, ditëve të fundit kemi dështimin më të madh në sundimin e ligjit dhe të rendit juridik, raporton Kosovapress.

Sipas tij, rastet më të rënda janë në Policinë e Kosovës, në njësitë speciale si në Drejtorinë për Krimet Ekonomike, luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimeve të rënda, luftën kundër terrorizmit dhe të tjera, përveçse të gjitha këto janë të koncentruara në një drejtori në Policinë e Kosovës, që përbën organizim jofunksional.

Po ashtu, sipas LDK-së, shumë shqetësuese mbetet gjendja në fushën e drejtësisë, ku ditëve të fundit ka ndodhur edhe arrestimi i shefit të njësisë speciale për luftimin e korrupsionit të krijuar nga kryeministri Thaçi dhe të proklamuar nga ana e tij si një angazhim personal në luftën kundër korrupsionit.

LDK-ja konstaton me shqetësim se kjo qeveri përveçse është e paaftë ta luftojë korrupsionin, është direkt e përfshirë ne korrupsion edhe me njësitë që ajo i ka formuar.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›