E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sporti i harruar

Instituti për Kulturë e Sport (INKUS), mbështetur edhe nga Ambasada amerikane në Kosovë, të martën ka organizuar një debat, ku temë diskutimi ishte ‘Roli i sportit në shtetin demokratik’.

Në këtë konferencë debatoi drejtori i Departamentit të Sportit i Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport (MKRS), Ibër Alaj, kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Erolld Belegu, sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, drejtoresha e Departamentit të Sportit e Komunës së Graçanicës, Maja Pesiç, përfaqësuesi i Shoqërisë Civile, Taulant Hoxha dhe gazetari sportiv, Agim Binaku.

Të gjithë këta u pajtuan që sporti luan një rol të rëndësishëm në një shoqëri dhe në zhvillimin e demokracisë së një vendi, e po ashtu është edhe pasqyra më e mirë e një populli.

Por, në këtë debat u nxor konkluzioni se institucionet më të larta të Republikës së Kosovës e kanë lënë shumë pas dore komunitetin sportiv kosovar për shumë arsye, e mbi të gjitha se Kuvendi i Kosovës që prej ndërtimit të tij, asnjëherë nuk ka diskutuar për sport.

Andaj, sipas debatuesve, demokracia në Kosovë figuron vetëm në letër. Ata kujtuan se ende nuk funksionojnë Ligji për sport, Ligji për sponsorim në sport, Ligji për statusin e sportistëve etj.

Pjesëmarrësit e këtij debati po ashtu pohuan se sporti kosovar diskriminohet edhe në ndarjen e buxhetit. Ata krahasuan 3 deri 4 milionë euro që Qeveria e Kosovës i ndan për sportin e Kosovës, me 38 milionë sa ndan për sportin qeveria e shtetit fqinj, Serbisë.

Po ashtu, panelistët përmendën edhe faktin se sporti as në Kushtetutën e Republikës së Kosovës nuk theksohet siç duhet, andaj thanë se sporti është i anashkaluar.

“Kur po i analizoj të gjitha këto, mua rezultati po më del se nuk ka demokraci”, tha përfaqësuesi i shoqërisë civile, Taulant Hoxha.

“Me sport merren të rinjtë. Rreth një milion e gjysmë qytetarë të Kosovës u përkasin gjeneratave të reja. Ndoshta kishte me qenë mirë që ata një milion e gjysmë qytetarë mos me dalë në zgjedhje, sepse kjo më duket mënyra më e mirë me u tregu institucioneve se sportin e kanë lënë anash”, theksoi Hoxha.

Panelistët thanë se Kosova ka shumë nevojë të promovohet nëpër botë, dhe më së lehti do ta kishte të promovohet nëpërmjet sportit, gjë të cilën, sipas tyre, shteti ynë nuk po e bën.

“Kosova nuk ka imazh edhe aq të mirë nëpër botë, sepse ndërkombëtarët Kosovën e njohin si vend të luftërave, etj. Ndërsa ne nuk kemi kontribuar sa duhet për t’i avancuar vlerat tona”, tha kreu i FBK-së, Erolld Belegu.

Ndërsa gazetari Agim Binaku theksoi se Kosova ka kapacitet për t’u promovuar nëpër botë me sport, por që nuk po shfrytëzohet ky rast.

Në anën tjetër, Ibër Alaj nga Ministria e Sportit tha se kjo ministri me të gjitha mundësitë e saj po mundohet ta mbështesë zhvillimin e sportit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›