E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sqapi: Elbasani kërkon rilindjen

sqapiNga Mariglen Miraka

Sipas shefit të klubit, skuadra do tI japë serish prioritet lojtarëve të rinj për sezonin tjetër, ku qëllim do të jetë ngjitja në Suerpligë

Kategoria e parë është mbyllur para pak ditësh dhe skuadra e Elbasanit ka nisur ditët e pushimit. Ende nuk dihet se kur do të fillojnë përgatitjet për sezonin e ri, por mendohet të nisin në javët në vijim. Në një intervistë ekskluzive për Gazeta e Sportit, shefi i klubit të Elbasanit, Erjon Sqapi është shprehur se së pari do të bëhet një analizë e përgjithshme të sezonit të kaluar 2012-2013 me ngritjet dhe uljet e tij dhe më pas do të vijohet me projektin e ri për sezonin e ardhshëm.

Që në nisje ne besuam që ekipi që do ndërtonim do të kishte një përqasje dinjitoze, bazuar nën projekt specifik ku prioritet do kishin lojtarët vendas dhe ata të cilët prodhojnë ekipet zinxhir të Elbasanit. Me mbështetjen e të gjithëve kemi arritur të krijojmë diçka të rëndësishme për të ardhmen e Elbasanit, duke filluar nga aktivizimi i lojtarëve të rinj dhe të talentuar, të cilët i kemi ndihmuar në rritjen e tyre teknike dhe që mund të jenë e ardhmja e klubit tonë, tha Sqapi.

Sqapi nuk harroi të thotë se meritën e këtyre rezultateve e ndan me të gjithë drejtuesit e ekipit duke filluar nga stafi teknik, me të cilët ka pasur një bashkëpunim të vlefshëm. Një falenderim nga zemra meritojnë dhe tifozët për përkrahjen që na kanë dhënë gjatë gjithë kohës. Gjithashtu dua të falenderoj dhe djemtë e ekipit që na kanë qëndruar gjithmonë pranë në momente të vështira për impenjimin maksimal që dhanë për arritjen e objektivit final.

Sezoni i ri futbollistik do të jetë shumë i rëndësishëm për skuadrën. Jemi padyshim pretendent për tu ngjitur në ligën superiore, sepse atje është synimi ynë dhe i të gjithëve, pra për ta ringritur ekipin në nivelet ku ka qënë dhe për ta çuar në kategorinë ku e meriton të jetë. Atje është shtëpia jonë, pasi një skuadër me tradita si ne dhe me emër nuk meriton të luajë në këtë ligë ku jemi tani, përfundoi Sqapi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›