"Jepni shembullin që ky vend nuk është parajsa e parazitëve"
Kohët e fundit po bëhet një debat i zhurmshëm për ndryshimet kushtetuese. Njëra palë, që është shumica, pretendon se me ndryshimet kushtetuese i kanë bërë një shërbim të madh vendit. Kurse kundërshtarët, që janë pakica, me një zë çjerrës, që vjen me sa duket nga toni i lartë, bëjnë be e rrufe, se ato i interesojnë diktatorëve Berisha-Rama. Këtu, njëra palë mashtron. Dikush mund të thotë se edhe këtu lidhet me këndvështrimin, si te gota e ujit. (Kur gota është e mbushur me ujë në gjysmën e saj, dikush mund të thotë se ajo është gjysëm plot, e dikush tjetër mund të thotë se ajo është gjysëm bosh).
Qëndrimet e palëve, në këtë rast, janë në skajet më ekstreme të mundshme. Ka nga ata që thonë se e vërteta mësohet vetëm nga ekspertët konstitucionalistë, që janë të paanshëm, që nuk influencohen.
Por, kundërshtuesit këmbëngulin se nuk do të ndalen dhe se do të bëjnë njërën, për vendosjen, sipas tyre, në vend të demokracisë së nëpërkëmbur. Duke ngritur zërin në kupë të qiellit, politikanët me moshë të re, por me mendësi të vjetra, mendojnë se kështu bëhen më të besueshëm tek njerëzit; se, sipas tyre, sa më shumë të oshtijë zëri nëpër hone e gryka malesh, aq më shumë të drejtë ke. Por, ata harrojnë se njerëzit janë të lodhur nga spektaklet vulgare. Të pastrehët, të papunët, të pangopurit presin një ditë më të mirë në jetën e tyre, jo parajsën për burrat me kollare që na buzëqeshin nga ekrani.
E vërteta është se kjo këmbëngulje e ky merak kaq i madh nuk lidhen me demokracinë, por me fatin e "të përkëdhelurve", pasi sistemi zgjedhor proporcional-rajonal nuk pranon më ledhatime, kërkon rrugë tjetër, në të kundërtën, Parlamenti thotë: "Puthuni me Milon!".
Demokracia ka rregulla loje dhe rregulli numër një i saj është vota, e cila fillon nga 50 plus një e që vazhdon me tre të pestat, dy të tretat, etj. Populli, që nuk është as parti e madhe e as e vogël, që nuk është as deputet e as konstitucionalist, me intuitën e tij, ndjen e kupton se çfarë thotë njëri e çfarë thotë tjetri, kush i bie gozhdës e kush potkoit, ku pikon shtëpia e pse çalon gomari. Se populli e di që partitë e vogla janë në Parlament jo nga vlerat e tyre, por se të mëdhenjtë ashtu dukeshin më demokratikë.
Boll më! Fitojeni votën. Kështu jepni dhe shembullin e parë që ky vend nuk është parajsa e parazitëve dhe ferri i njerëzve të ndershëm.