Sqarimi i FSHF-së: Superiorja, dy ekipe në "play-out"
Sektori i Garave në FSHF u ka kujtuar të gjitha skuadrave të Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë ndryshimet e kalendarit të aktiviteteve të miratuara për sezonin aktual 2007-2008. Në vendimin e miratuar nga Komiteti Ekzekutiv më 11 korrik të vitit 2007 dhe më pas edhe nga klubet pjesëmarrëse në aktivitet, figurojnë dy skuadra pjesëmarrëse në "play-out" dhe jo vetëm një, siç mendohej deri tani. "Për sezonin 2007-2008, kampionati i Kategorisë Superiore do të zhvillohet me 12 skuadra dhe 3 faza. Ndryshon vetëm zbritja nga Kategoria Superiore në Kategorinë e Parë. Në përfundim të kampionatit të Kategorisë Superiore, ekipet që renditen në vendin e 11-të dhe 12-të në klasifikimin e përgjithshëm, zbresin në Kategorinë e Parë, ndërsa ekipet që renditen në vendin e 9-të dhe 10-të, për të siguruar qëndrimin në Kategorinë Superiore, zhvillojnë "play-out" me ekipet që renditen në kampionatin e Kategorisë së Parë në vendet 3 dhe 4. Për sezonin 2007-2008, kampionati i Kategorisë së Parë do të zhvillohet me 18 skuadra. Në përfundim të kampionatit nga Kategoria e Parë zbresin 4 skuadra në Kategorinë e Dytë dhe nga Kategoria e Dytë ngjiten 2 skuadra", shkruhet në sqarimin e FSHF-së.