E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pango: Do ta firmos statutin e FSHF-së

Ministri i Sporteve, Ylli Pango, ka bërë të ditur se do ta firmosë statutin e Federatës Shqiptare të Futbollit. I ftuar në emisionin "Top Show Sport", ai zbuloi se janë ravijëzuar disa opsione, të cilat do të sheshojnë kontradiktat me institucionin që drejton sportin e top këmbës. "Statuti i FSHF-së do të firmoset prej meje dhe këtë e deklaroj pas një bisede telefonike afro 30 minuta që kam zhvilluar me shefin e marrëdhënieve ndërkombëtare të FIFA-s, Zherom Shampanj", tha Pango. "Ai (Shampanj) më ka sugjeruar që momentalisht ta lëmë evaziv nenin e shumëpërfolur në statutin e federatës, që lidhet me përfitimet nga të drejtat televizive dhe sponsorizimet e kombëtares. Jam ministri i vetëm që kam firmosur statutin, pasi përpara meje këtë nuk e kishin bërë as ministrat socialistë dhe as ata demokratë. E bëra për hir të futbollit shqiptar dhe jo për hir të z. Duka. Gjithashtu, edhe sepse nuk doja të isha unë personi që do t‘i mbetej njolla për pezullimin e futbollit, qoftë edhe për një muaj". Propozimi i zyrtarit të FIFA-s për kreun e MTKRS-së ishte që neni për përfitimet financiare të lihej i pandryshuar deri në momentin kur do të zhvillohej Asambleja e FSHF-së. Aty anëtarët do ta shqyrtonin dhe më pas do të vendosnin nëse ndryshimi i ministrisë do të miratohej apo jo. Propozimi i Shampanj pritet të vijë me shkrim në zyrat e federatës. Megjithatë, Pango ka këmbëngulur se shtesa që ai dhe këshilltarët e sportit bënë në statut është një detyrim normal. "Për sa i përket nenit, i cili i jep FSHF-së liri të pakufizuar në hapësirë, vend dhe kohë, mund të them se ai nuk mund të tolerohet, vazhdoi më tej ministri. Ajo pjesë e statutit duhet ndryshuar. Togfjalëshi ‘konform legjislacionit shqiptar në fuqi‘ është një detyrim normal".

Në zgjidhjen e konfliktit, prej të cilit shpresohet në heqjen e pezullimit të vendit tonë, rol protagonisti ka marrë edhe presidenti Bamir Topi. Ndërhyrja e kreut të shtetit është vlerësuar edhe nga ministri Pango: "Është vullneti i Presidentit të Shqipërisë, që kërkon ta zgjidhë çështjen e futbollit. Ai më ka thirrur fillimisht mua, më pas është takuar edhe me Dukën. Presidenti është informuar dhe ka bërë propozimin e tij. Si një njeri që e njeh futbollin, Presidenti Topi do të jetë një ndihmë e madhe, sepse ai është një tifoz dhe e ndjen shumë këtë sport". Më tej një "shigjetim" për federatën, për konfliktin që vazhdon prej afro 3 vjetësh: "Ka qenë vetë Presidenti Topi ai që ka thirrur për takim kreun e futbollit, Duka, ashtu sikurse kishte bërë më parë me mua. Për këtë arsye, FSHF-ja nuk duhet ta pompojë shumë këtë gjë. FSHF-ja nuk është Zeusi". Edhe kreu i shtetit bëri propozimin e tij rreth ngërçit të statutit, ndërkohë që ai u ka bërë të ditur palëve do të ndërmjetësojë një takim sapo të kthehet nga Samiti i Bukureshtit, ku Shqipëria pretendon të marrë ftesën për të qenë anëtare e NATO-s. "Në komunikimin që kam pasur me Presidentin Topi ai më ka sugjeruar një zgjidhje të problemit në statut: adaptimin e një neni nga federatat e tjera evropiane. Ky nen do të përshtatet, që edhe FIFA e UEFA ta pranojnë si zgjidhje, përfundoi kreu i Ministrisë së Sporteve. Pasi të shqyrtohen të gjitha këto mundësi, Presidenti Topi do të na thërrasë edhe një herë për takim, pas Samitit të NATO-s dhe ky problem do të zgjidhet".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›