FSHF, e çuditur për auditimin: Kontrolli i fundit, në 2006-ën
Zyrtarët e FSHF-së kanë shprehur habinë e tyre mbi zhvillimin e një kontrolli të brendshëm të fondeve të tyre nga Ministria e Financave. Raporti i plotë, i cili pritet të publikohet sot nga grupi i ministrisë, është cilësuar si kontroll i brendshëm, por sipas FSHF-së, ai nuk mund të cilësohet i tillë. Përfaqësuesi i zyrës për shtyp nga institucioni i futbollit, Lysjen Nurishmi, ka sqaruar se në zyrat e FSHF-së nuk ka pasur asnjë kontroll të brendshëm që në vitin 2006 dhe se nuk kuptohet se si mund të jenë nxjerrë konkluzione nga Ministria e Financave, për sa kohë që nuk është kërkuar asnjë dokument zyrtar. "Kemi dëgjuar lajmin për përfundimin e auditimit të brendshëm në FSHF dhe jemi të çuditur, pasi këtu nuk ka ardhur asnjë grup për kontroll të brendshëm dhe nuk na është kërkuar asnjë dokument zyrtar. Auditimi i fundit i brendshëm është kryer në vitin 2006 dhe që atëherë, në FSHF kanë ardhur vetëm grupet e kontrollit tatimor. Nuk e kuptojmë se si mund të dalë përfundimi i një kontrolli të brendshëm, kur nuk është shqyrtuar asnjë dokumentacion zyrtar i FSHF-së, ndërsa edhe ne jemi kuriozë të dimë nga janë siguruar dokumentet për të përfunduar një kontroll të tillë", u shpreh Nurishmi. Sipas informacioneve të ditëve të fundit, zyrtarë të Ministrisë së Financave janë shprehur për konstatimin e disa shkeljeve nga ana e FSHF-së në bilancet e saj financiare, ndonëse nuk është bërë e ditur ku janë siguruar dokumentacionet.