Lorik Cana, lojtari më i shtrenjtë i Olimpik Marsejës
Lorik Cana vazhdon të jetë lojtari shqiptar me vlerën më të lartë në merkato. 24-vjeçari është bërë edhe futbollisti më i shtrenjtë i Olimpikut të Marsejës, skuadër ku mban shiritin e kapitenit. Sipas sajtit të specializuar për çmimet e lojtarëve, "transfermarkt.de", vlera e kartonit të Canës është rritur me 3.5 milionë euro. Në fillim të këtij sezoni, mesfushori kosovar kushtonte 10 milionë euro, ndërsa tani klubet që kërkojnë shërbimet e tij duhet të bëjnë një ofertë minimale prej 13.5 milionë euro. Kuqeziu është bërë futbollisti më i shtrenjtë që luan në stadiumin "Velodrom", duke lënë pas dy sulmuesit kryesorë të marsejezëve, Mamadou Niang (10.5 milionë euro), Xhibril Sise (8 milionë euro) dhe mesfushorin Samir Nasri, i cilësuar si Zinedin Zidani i ri në Francë, që vlen 10 milionë euro. Nga lojtarët shqiptarë që luajnë në Evropë, ndjekësi më i afërt i Canës është Valon Behrami, që kushton 5 milionë euro dhe Erjon Bogdani (2.8 milionë euro).