E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’ka humbës

Analisti politik, Ramush Tahiri e ka quajtur fitues të dialogut shtetin e Kosovës. Ai ka thënë se me këtë proces Kosova e Serbia po shkojnë drejtë normalizimit të marrëdhënieve.

“Si thotë populli, ‘pa e shkrepur asnjë plumb’ po e shtrijmë sovranitetin dhe po i integrojmë territorin dhe njerëzit, të cilët së paku nga 17 shkurti i vitit 2008 ishin jashtë domenit të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Tahiri.

Tahiri ka thënë se Republika e Kosovës ka fituar nga procesi i dialogut me Serbinë. Në këtë kontekst, ai ka thënë se Kosova është duke e integruar veriun pa dhunë dhe pa imponim. “Konsideroj se Kosova ka fituar me procesin e dialogut në Bruksel, por assesi nuk do të thotë se ka humbur Serbia. Ka fituar një politikë e re, e cila e njeh realitetin dhe e integron veriun e Kosovës pa dhunë dhe pa imponim”, ka thënë Tahiri në një intervistë për “Epokën e re”.

Ai ka vlerësuar se Kosova dhe Serbia janë duke shkuar drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre dhe se Serbia do ta zbatojë marrëveshjen. “Unë kam besim se Serbia do ta zbatojë pjesën e saj të marrëveshjes. Nuk ishte hap i lehtë shpërbërja e të gjitha strukturave pushtetore të Serbisë në Kosovë dhe heqja nga lista e pagave dhe nga buxheti, njerëzit që për shumë vite me radhë i kanë shërbyer shtetit të Serbisë dhe i kanë kundërshtuar autoritetin dhe zbatimin e ligjeve dhe Kushtetutën e Kosovës, duke ndërtuar edhe pushtet paralel të Republikës së Serbisë brenda territorit të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Tahiri. Por, sipas tij, procesi i dialogut në Bruksel mund të ndodhë edhe të bllokohet nëse Ligji për Amnistinë nuk hyn në fuqi.

“Mund edhe të ndodhë, sepse zyrtarët e Serbisë e kanë bërë një paralajmërim të tillë kur herën e parë nuk kaloi ligji në Kuvend. Ata thanë ‘ne serbët i kemi njëqind kushte nga BE-ja dhe të gjitha po i plotësojmë, ndërsa shqiptarët e patën vetëm një kusht dhe po e anashkalojnë”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se Ligji për Amnistinë duhet të hyjë në fuqi përpara mbajtjes së zgjedhjeve lokale. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›