Stadiumi bosh, por Skënderbeu nuk përfiton!
Skënderbeu i kishte të gjitha letrat që të dilte nga stadiumi “Kastrioti” me maksimumin e pikëve. Krutanët do të luanin në fushën e tyre, po me një stadium të boshatisur si dhe morali i skuadrës së drejtuar nga Ndreu nuk është ai më i miri. Duhej të ishte thjesht pasditja perfekte për korçarët, që në fakt prishin gjithçka. Të besuarit e Shkëlqim Muçës mezi kanë marrë një barazim të bardhë, 0-0, duke dëshmuar se në transfertë janë të brishtë dhe të dobët, pavarësisht emrave që kanë “rekrutuar“ dhe parave të shumta të harxhuara për ta nga presidenca kuqebardhë. Një titull kampioni fitohet vetëm duke marrë pikët maksimale edhe në transfertë, ndërsa, nëse e bën këtë gjë vetëm në shtëpi, ke të sigurt vetëm diçka: mbijetesën në superligë. Loja ka qenë përgjithësisht e qetë, ndonëse miqtë kanë tentuar disa herë për të thyer “fortesën” mike, por pa rezultat. Trajneri Muça i tenton të gjitha, por duket se edhe njëherë Skënderbeu i tij do të vuajë nga sindroma “transfertë” dhe do t’i bëjë dhuratën e madhe Flamurtarit, duke lënë dy pikë të arta në luftën për titullin kampion. Nga ana tjetër Kastrioti merr një pikë me shumë vlera, sidomos nëse kemi parasysh kundërshtarin.