E Shtunë, 31 Tetor 2026

Verdheblutë, 3 pikë shprese kundër Teutës

Nëse kishte një shpresë të fundit në horizontin e nxirë të Elbasanit, ishte pikërisht ndeshja me Teutën dhe duket se verdheblutë nuk e kanë lënë rastin t’u ikë nga duart. Teuta vinte në këtë përballje pas humbjes së thellë (0-3) në “Niko Dovana” kundër Vllaznisë dhe kishte për detyrë të bënte kthesën. Nga ana tjetër, Elbasani që ka prenotuar prej javësh vendin e fundit të tabelës, kishte më shumë uri për fitore. Padyshim që në këtë fitore jetike për verdheblutë ka ndikuar edhe rikthimi në formacion i Dorian Bylykbashit, që ka lënë gjurmën e tij në këtë sfidë me pasime të sakta dhe kombinime të bukura. Megjithatë, pjesa e parë do të përfundonte në barazim pa gola. Karishik kërkon me ngulm nga të tijtë të shënojnë në pjesën e dytë dhe thirrjes së ish-trajnerit të Apolonisë i përgjigjet në pjesën e dytë Albert Kaçi dhe Erjol Merxha, që në pak minuta e fusin në kasafortë fitoren e Elbasanit. Në fillim do të jetë shkodrani i rikthyer në janar te verdheblutë, që do të mposhtë portierin Rizvani (56’) dhe vetëm 180 sekonda më pas është “produkti” vendës, Merxha, ai që do të dyfishojë shifrat dhe do të arkivojë fitoren e vendësve. Pas këtij rezultati, Elbasani arrin më në fund të bëhet me dopio shifër në kolonën e pikëve, teksa tani numëron 12 të tilla.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›