Lorik Cana: Në Francë, për imazhin e Shqipërisë
Ne po shkojmë në Francë për të treguar se dimë të luajmë futboll, që kemi vlera dhe për të rritur imazhin.
Në Shqipëria është sadopak e njohur në Francë sa i përket futbollit, pa dyshim që merita kryesore është e Lorik Canës. Edhe në ndeshjen e dytë do të mbajë shiritin e kapitenit: Është ndeshje imazhi për Shqipërinë. Duhe të dalim me kokën lart nga Stade de France.
Rikthimi në Francë Lorik Cana do të luajë pas më shumë një dy vitesh një ndeshje në tokën franceze, aty ku është rritur si futbollist dhe mori famë. Për Canën Stade de France përfaqëson shumë kujtime, pasi aty ka luajtur katër finale të Kupës së Frances: Pas gjithë atyre viteve që kam luajtur në Francë, në një vend ku jam rritur si futbollist e si njeri, rikthimi në Stade de France mbetet i veçantë për mua.
Aty kam luajtur katër finale të Kupës së Francës. Në Francë kam familjen time dhe shumë miq. Do të jetë një ndeshje e bukur, e veçantë, që do të mundohemi ta fitojmë, pastaj edhe të shijojmë momentin, pasi raste të tilla nuk vijnë shpesh për një futbollist.
Çështja e kapitenit Në Qemal Stafa, në humbjen 1-2 me Francën, Cana ka mbajtur shiritin e kapitenit. Por pas ndeshjes ka pasur zëra për përplasjen e futbollistëve për shiritin. Cana sapo ka gjetur rastin, u ka tërhequr vëmendjen mediave për shtrembërim të realitetit: Kam dëgjuar disa zëra që janë përhapur nga media për shiritin e kapitenit. Mendoj se edhe ju keni përgjegjësi që të mos e prishni imazhin e kombëtares.
Nuk duhet të publikohen gjëra të pavërteta. Është folur për një ambient problematik në kombëtare etj, por unë ju siguroj se gjatë tetë viteve që kam qenë pjesë e kombëtares, ka ekzistuar një ambient i pastër dhe pa probleme. Kjo është meritë e të gjithëve. Pra, është fryt i raporteve të mira. Altini është kapiten, Skela zëvendëskapiten e më pas vij unë. Unë i kam si vëllezër lojtarët, kam raporte shumë të mira me ta. Nuk ia vlen të flasësh për përçarje, sepse është humbje kohe. Unë flas në fushën e lojës. Shiriti është diçka simbolike dhe çdo lojtar e ka për nder ta mbajë. Natyrisht që unë do ta mbaj edhe për shumë kohë dhe sigurisht edhe ndaj Francës. Në fushë unë sillem si një lider. Është përgjegjësi shumë e madhe për mua.
Mungesat e shumta Franca dhe Shqipëria në këtë përballje të dytë do të kenë shumë mungesa, por Cana thekson se kuqezinjtë i vuajnë më shumë: Bëhet fjalë për lojtarë të rëndësishëm që mungojnë në një ndeshje të rëndësishme. Nuk kemi luksin që ti zëvendsojmë. Luajmë ndaj një skuadre që në vendin e tyre, ushtrojnë presion etj. Në këtë sfidë kemi një 11-she që starton për herë të parë bashkë.
Nga kjo mund edhe të shënojmë një rezultat të thellë. Por ne shkojmë të organizuar, me shumë besim. Sepse kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, sepse na ndjekin miliona e miliona telespektatorë. Unë jam i sigurt se lojtarët e rinj do të japin 100 për qind të tyre. Në fund të ndeshjes duhet të dalim me kokën lart, me dinjitet dhe me një imazh të bukur të vendit tonë. Franca ka shumë lojtarë, mbi 50 të nivelit botëror. Sigurisht që si Riberi nuk ka një të dytë.
Kujtimi i Portugalisë 3 vjet më parë, pas humbjes së pastër 2-0 në Hungari, edhe pse me mungesa, Shqipëria befasoi Portugalinë në shtëpi (0-0). Po a mund të pretendojmë që historia të përsëritet? Nëse është për të njëjtin rezultat, si me Portugalinë para tre vjetësh, do të firmosja që tani. Pak a shumë do të jetë ndeshje me karakteristika të njëjta.
Kundërshtari do të sulmojë dhe do ta mbajë më shumë topin. Barazimi me Portugalinë ka qenë një arritje e madhe për ne. Ne që jetojmë jashtë vendit e dimë se sa jehonë ka bërë kombëtarja në atë sfidë. Ishte një imazh i madh për ne. Ne po shkojmë në Francë për të treguar se dimë të luajmë futboll, që kemi vlera dhe për të rritur imazhin.
Ndërrimi i brezave Skela, Lala, Bogdani dhe Duro shumë shpejt sdo të jenë më pjesë e kombëtares. U përket lojtarëve me eksperiencë si Cana që të ndihmojnë të rinjtë në integrimin në skuadër: Është një cikël normal, ku lojtarët në moshë zëvendësohen nga të rinjtë. Shpresoj që stafi të jetë në vështirësi se cilin nga të rinjtë të zgjedhë më parë.
Ne kemi nevojë për më shumë cilësi. Kemi vuajtur shumë për lojtarë të rinj. Është një punë që duhet të bëhet në vazhdimësi. Për fat të keq, ligjet e UEFA-s dhe FIFA-s na pengojnë shumë, pasi ka të rinj që kanë luajtur më parë me skuadrat e tjera, por tani nuk mund të luajnë me ne. Por edhe kampionati shqiptar ka prodhuar talente. Kemi Roshin, i cili po ecën mire, dhe kjo është pozitive dhe për ekipin kombëtar.
Fillimi te Lacio Cana i shmang analizat e thella për Lacion, pasi dëshiron të përqendrohet vetëm te kombëtarja: Fillimi ka qenë i mirë. Natyrisht që humba dy-tri ndeshje, pasi u dëmtova. U ktheva dhe tani nga pikëpamja fizike jam mirë. Kam luajtur disa ndeshje në kampionat dhe një të plotë në Europa League. Nuk pres të luaj çdo ndeshje, e rëndësishme është që të më jepet mundësia të aktivizohem, pra të luaj.