E Diel, 1 Nëntor 2026

Papa Françesku tek bidonvilet braziliane: Të promovojmë solidaritetin, drejtësinë dhe mbrojtjen e familjes

26-07-2013 / Gazeta 55

Vazhdon shtegtimi apostolik i Papës Françesku në Brazil, me rastin e Ditës së 28-të Botërore të Rinisë. Dita e Papës dje filloi me dorëzimin e çelësave të qytetit karikoas nga ana e kryetarit të bashkisë së Rio de Zhanjeros, me një ceremoni në ballkonin e Pallatit të Qytetit, siç quhet bashkia. Po këtu, Ati i Shenjtë bekoi flamujt e Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike, që do të përdoren gjatë Lojërave të vitit 2016, parashikuar për t’u mbajtur në Brazil. I pranishëm, ndër sportistët e tjerë. “Kemi bekuar flamujtë e figurat fetare – tha Papa. Ju falënderoj shumë për praninë tuaj këtu, në këtë çast. Tani, nga zemra, ju jap bekimin të gjithëve, familjeve, miqve tuaj, lagjes, të gjithëve”.
Pastaj, vizita e Papës Françeskut në favelën e Varzhinjës, ku u prit nga mijëra e mijëra të varfër e nga motrat e së Lumes Nënë Terezë dhe nga etërit somaskë. Gjatë rrugës, Papa Françesku u ndal për vizitë në një familje të varfër të favelës. Në Kishën e shën Jeronim Emilianit bekoi altarin e ri të famullisë, për të shkuar më pas në fushën e futbollit, ku e priste me dashuri, duartrokitje e brohoritje bashkësia e Varzhinjës, favela e të varfërve, ku droga dhe trafikantët e saj janë luftuar e larguar nga shteti, duke treguar se nëse ekziston vullneti politik, nuk ka kriminalitet që mund t’i rezistojë ligjit.
Një çift, që përshëndeti Atin e Shenjtë në emër të bashkësisë, vuri menjëherë në dukje ç’ditë e paharruar do të mbetet kjo në zemrat e të pranishmëve. Bashkëshortët i kërkuan Papës lejen ta thërrasin Atë, Atë Françesku, sepse të tillë e konsiderojnë besimtarët e shumtë, të braktisurit e kësaj favele, fatkeqët, të harruarit nga shoqëria e nga politika. Pikërisht, në emër të tyre, çifti e falenderoi Papën Bergolio për praninë e tij në Varzhinja, në bashkësinë e krijuar në vitin 1940 nga njerëzit më të varfër, që vinin nga veriu i Brazilit. Bashkë më favelat e tjera, ajo përbën anën tjetër të medaljes së një vendi, që regjistron ritme të shpejta zhvillimi. Çifti nuk harroi të kritikojë autoritetet, të cilat deri para vizitës së Atit të Shenjtë, pak patën bërë për këtë bashkësi, por sapo u mor vesh që Papa do të vinte këtu, filluan të asfaltonin rrugë e të vendosnin drita. Uroi që kjo punë të vazhdojë.
Më pas, Papa Françesku, me stilin e tij të zakonshëm, u tha të pranishmëve se me vizitën e tij në Brazil, dëshiron të trokasë në çdo derë, t’u thotë të gjithëve “Mirëdita!”, të kërkojë një gotë ujë të freskët e një kafe - apo “kafezinjo”, siç quhet në gjuhën lokale – të flasë me të gjithë, t’i dëgjojë të gjithë, por në pamundësi për ta realizuar këtë ëndërr: “Bashkësia juaj sot përfaqëson të gjitha rajonet e Brazilit… Në mesin tuaj ndihem i mirëpritur. E është e rëndësishme të dish si t’i presësh të tjerët. Kur jemi bujarë dhe e mirëpresim tjetrin, kur ndajmë diçka me të – pak ushqim, një pjesë të shtëpisë, kohën – jo vetëm nuk bëhemi më të varfër, por pasurohemi; siç thotë fjala e urtë, ‘shtoje një lugë në sofër’. E ju e bëni këtë me dashuri, duke treguar se pasuria e vërtetë nuk qëndron në sende, por në zemra!”.
Papa Françesku nënvizoi se populli brazilian e në veçanti, njerëzit më të thjeshtë, mund t’i japin botës një leksion të çmuar solidariteti, që shpesh harrohet. Prandaj, i bëri thirrje këtij populli të mos lodhet së punuari për një botë më të drejtë e më solidare, secili, sipas mundësive e përgjegjësive që ka: “Nuk është kultura e egoizmit, e individualizmit, që shpesh administron shoqërinë, ajo, që ndërton e sjell një botë më të pranueshme, por kultura e solidaritetit; të shohim tek tjetri jo një konkurrent apo një numër, por një vëlla”.
Papa Bergolio inkurajoi përpjekjet e shoqërisë braziliane për integrimin e të gjitha shtresave të shoqërisë, përmes luftës kundër urisë e mjerimit. Theksoi se asnjë përpjekje për pajtim e paqe nuk mund të japë rezultate të qëndrueshme, harmoni e lumturi, nëse shoqëria injoron, braktis e mënjanon një pjesë të saj. Kriteri për gjykimin e një shoqërie, vazhdoi Ati i Shenjtë, jepet nga mënyra si i trajton ajo më nevojtarët. E këtu, vëmendja e Papës Françesku u përqendrua në punën e Kishës Katolike, duke cituar dokumentin ipeshkëvnor të Aparesidës, hyrjen e të cilit e pati shkruar vetë, kur ishte kryeipeshkëv i Buenos Ajresit: “Kisha, ‘mbrojtëse e drejtësisë dhe avokate e të varfërve kundër pabarazive të patolerueshme shoqërore dhe ekonomike, që i kërkojnë gjyq qiellit’, dëshiron të bashkëpunojë me çdo nismë, që sjell zhvillim të vërtetë e të gjithanshëm për çdo njeri… Nuk ka promovim të vërtetë të së mirës së përbashkët, as zhvillim të vërtetë të njeriut, kur injorohen shtyllat themelore, që mbajnë një komb, të mirat e tij jo materiale: jeta, që është dhuratë e Zotit, vlerë për t’u mbrojtur e promovuar gjithmonë; familja, bazë e bashkëjetesës e ilaç kundër shthurjes së shoqërisë; edukimi i gjithanshëm, që nuk reduktohet në transmetimin e thjeshtë të informacionit me qëllim fitimi; shëndeti, që duhet të përfshijë mirëqenien e përgjithshme të njeriut, edhe përmasën shpirtërore, thelbësore për ekuilibrin e secilit e për bashkëjetesën e shëndoshë; siguria, me bindjen se mund të fitojmë mbi dhunën vetëm duke filluar nga ndryshimi i zemrës njerëzore”.
Pastaj, duke kujtuar se në Brazil ka shumë të rinj, ju drejtua atyre drejtpërdrejt:
“Keni ndjeshmëri të veçantë për padrejtësitë, por shpesh zhgënjeheni nga ngjarje, që flasin për korrupsion, nga njerëz, që, në vend të së mirës së përbashkët, shohin interesin e tyre. Mos u çkurajoni kurrë, mos e humbni besimin, mos lejoni t’ju shuhet shpresa. Realiteti mund të ndryshojë, edhe njerëzit mund të ndryshojnë. Përpiquni ju vetë, të parët, të bëni mirë, të mos mësoheni me të keqen, por të fitoni mbi të. Nuk jeni vetëm, Kisha është me ju, Papa është me ju”. Papa Françesku ia besoi bashkësinë e Varzhinjës Zojës së Aparesidës, Nënës së të varfërve të Brazilit e më pas, në mesin e entuziazmit të përgjithshëm, mori disa dhurata nga duart e fëmijëve të bashkësisë, që me punë e mund, është larguar nga droga e trafiku i paligjshëm. Nuk ishte e lehtë për Papën të shkëputej nga përqafimi i njerëzve, por së fundi, u nis me makinë për në katedralen e Rios, ku takoi një grup të rinjsh argjentinas, si ai, ardhur në metropolitin kariokas për Ditën Botërore të Rinisë. Kur nata do të bjerë mbi Evropë, Ati i Shenjtë do të marrë pjesë në festën e mirëseardhjes me të rinjtë përgjatë bregut të Kopakabanës.
Papa Françesku në spitalin Shën Françesku: “Duhet më shumë drejtësi, jo liberalizim i drogave”/Nga Shenjtërorja e Aparesidës, në “shenjtëroren e vuajtjes njerëzore”: kështu e quajti Papa Françesku spitalin ‘Shën Françesku i Asizit’ në Rio-De-Zhanéjro, specializuar për mjekimin e alkoolistëve e të droguarve. I fortë, dënimi i “tregtarëve të vdekjes” e dhe më i fortë qortimi i atyre, që mendojnë se përhapja e drogës edhe e alkoolit mund të kufizohen duke i liberalizuar. Përqafimet me të sëmurët, përshëndetjet, shtrëngimet e duarve, afërsia e ngrohtësia, ishin karakteristikat kryesore të kësaj vizite në Spital, përfshirë në programin e shtegtimit me dëshirën e vetë Papës.
Për ta përshëndetur Atin e Shenjtë në mjedisin spitalor ishte edhe delegacioni i njërës nga qendrat e rehabilitimit të të droguarve e të alkoolistëve, që quhet “Projekti Betania” e që punon ndërmjet njerëzve të braktisur në favelat e “Qytetit të Hyjit”, në rrethinat e metropolit karioka. Projekti, në këtë skutë bote, lindi falë frymëzimit të një murgeshe braziliane, motër Elsi Zerma-s. Murgesha njihet si engjëll i lagjeve të lëna pas dore. E quajnë edhe Nënë Tereza e favelave, sepse në këto lagje jetojnë të varfërit më të varfër të Rios. Një univers varfërie e përjashtimi, ku dy vjet më parë policia e ndalonte hyrjen e njerëzve normalë. Ndërsa sot në mes të të varfërve takon vazhdimisht murgeshat paoline, Dishepulle të Përshpirtshme të Mësuesit Hyjnor, që shkojnë për të adhuruar Jezusin Eukaristi, në fytyrën e të varfërve. Papa e quajti spitalin, shenjtërore të vuajtjes njerëzore e kujtoi se kur Shën Françesku përqafoi të gërbulurin, e kuptoi se nuk ishin sendet materiale, pasja, idhujt e botës, pasuria e vërtetë. Kjo pasuri nuk mund ta falë gëzimin, që nuk shitet, as nuk blihet. Gëzimi i vërtetë gjindet udhëkryqeve të botës, ku Krishti të pret, për t’i shërbyer, të pret me fytyrën e tjetrit, të vëllait, mikut, të varfërit, të droguarit, pijanecit, shpresëhumburit. Të pret me fytyrën e të gërbulurit që, për Shën Françeskun e Asizit, qe ‘ndërmjetësues i dritës’.
Spitali i Shën Françeskut është vend ku mjekohen të droguarit, e Ati i Shenjtë deshi t’i përqafonte një për një të pranishmit, si korp i Krishtit, duke u lutur që Zotit ta mbushë me kuptim e shpresë udhën e tyre, e edhe udhën e tij. Në Brazil e në mbarë botën ka shumë situata, siç është lufta kundër vartësisë nga droga, që kërkojnë vëmendje, dashuri, theksoi Papa e vijoi: Sa tregtarë të vdekjes ndjekin logjikën e pushtetit e të parasë me çdo kusht! Tregtimi i drogës favorizon dhunën, mbjell dhimbje e korr vdekje”.
Prandaj Papa kërkoi nga ana e mbarë shoqërisë një akt të guximshëm, me bindjen se liberalizimi i përdorimit të drogës, për të cilin flitet në shumë vende të Amerikës Latine, nuk mund ta kufizojë përhapjen dhe ndikimin e vartësisë nga ky mjet i vdekjes. Për të shpëtuar nga droga, duhen zgjidhur problemet, që çojnë në përdorimin e saj, duke i edukuar të rinjtë me vlerat e jetës së përbashkët, duke i shoqëruar në vështirësi e duke u dhënë shpresë për të ardhmen: “Ta përqafosh të droguarin, nuk mjafton! Duhet t’i japim dorën atyre, që kalojnë çaste të vështira, që kanë rënë në honin e drogës. Ndërsa atyre, që nuk kanë më guxim të ecin në rrugën e çlirimit, u themi: ‘Do të gjesh dorën e shtrirë të atij, që dëshiron të të ndihmojë, por askush nuk mund t’i ngjitet së përpjetës në vendin tënd. Më pas Papa u kujtoi të gjithë atyre, që kanë dëshirë të kapin përsëri majat e jetës, me vullnetin e njeriut të etur për rifitimin e lirisë së shpirtit e të korpit, se nuk janë, as nuk do të jenë kurrë vetëm: “Kisha e shumë njerëz janë pranë jush. Mos lejoni t’jua rrëmbejnë shpresën! Të bëhemi të gjithë mbartës të shpresës! Këtu, në këtë spital, të bëhet konkrete shembëlltyra e Samaritanit të Mirë. Këtu nuk ka indiferencë, por vëmendje, nuk ka shkujdesje, por dashuri”.
Shoqata e Shën Françeskut dhe Rrjeti i Mjekimit, kujtoi në vijim Ati i Shenjtë, na mësojnë të përkulemi mbi atë, që kalon çaste të vështira, sepse në të shikohet fytyra e Krishtit, sepse në të është korpi i Krishtit, që vuan. Në përfundim Papa ritheksoi me forcë: “Kisha nuk është larg mundimeve tuaja, por ju shoqëron me dashuri”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›