Leskaj: Raporti i ODIHR-it vë gishtin në plagë, kursi i ri i Ramës s’është tërheqje
Deputetja socialiste Valentina Leskaj komenton raportin e ODIHR-it për zgjedhjet e 8 Majit, duke e cilësuar gjuhën e tij si të drejtpërdrejtë. Shprehet kundër idesë së organizimit të zgjedhjeve nga OSBE-ja. Kursi i ri i Ramës? “Për mua, kursi i ri nuk duhet lexuar si tërheqje nga një opozitë e fortë. Një proces reflektimi dhe debati lidhur me qasjen e opozitës, është zgjedhja më e mirë. Kjo është ajo që po bën PS-ja aktualisht”
Intervistoi: Fejzi Braushi
Për deputeten socialiste Valentina Leskaj, raporti i ODIHR-it për zgjedhjet e 8 Majit flet me gjuhë të drejtpërdrejtë dhe vendos gishtin në plagë. “Padyshim që raporti është më kritik se ai paraardhës, sidomos në cilësinë e administrimit të zgjedhjeve dhe konfirmon të gjitha shqetësimet e opozitës”, - thotë Leskaj, teksa pohon se pas daljes së tij, KQZ-ja duhej të jepte dorëheqjen. Në këtë intervistë për MAPO-n deputetja Leskaj është kundër idesë së hedhur nga eksponentë të PS-së për organizimin e zgjedhjeve nga OSBE-ja si dhe komenton kursin e ri politik të paralajmëruar nga Edi Rama.
Znj. Leskaj, gati një javë më parë, ODIHR publikoi raportin e vlerësimit për zgjedhjet vendore të 8 Majit. Të dy krahët politikë edhe kësaj here e kanë lexuar ndryshe. Ju si do ta vlerësonit atë?
Në fakt, nuk është hera e parë që raportet lexohen në mënyra të ndryshme nga palët. Ajo që është pak më ndryshe këtë herë është fakti që raporti është më i drejtpërdrejtë dhe vë gishtin në plagë dhe kjo është e kuptueshme. Është e kuptueshme sa kohë që mazhoranca e sotme dhe kreu i saj mbeten recidivistë në abuzimin me votën e popullit, ndaj dhe gjuha e Raportit është më e drejtpërdrejtë. Në kushte normale të një qeverisjeje serioze, duhet të ishte një lexim reflektiv, pasi ajo është përgjegjësja kryesore për organizimin e zgjedhjeve në vend. Kryeministri, që si gjithmonë nxitoi ta quante sukses dështimin, duhet t’u kërkonte ndjesë shqiptarëve për situatën e krijuar e të angazhohej për reflektim. Po është e tepërt ta kërkosh një gjë të tillë nga këta, është e tepërt ta kërkosh nga një njeri që e krahason Shqipërinë me Gjermaninë në ekonomi, duke fyer inteligjencien e popullit. Ky nuk mund të jetë rasti i Kryeministrit tonë, i cili në fakt nxitoi të dalë menjëherë për ta mbyllur shpejt historinë e raportit me një deklaratë kinse entuziaste, edhe pse ajo që lexohej në komportimin e tij thoshte të kundërtën e fjalëve.
Fakti që në këtë raport nuk përmendet fjala standarde, e bën atë domosdoshmërish më negativ sesa raporti pararendës?
Besoj se nuk ka nevojë të përmendet fjala standarde, për të kuptuar se në vlerësimin e ODIHR-it zgjedhjet e 8 Majit ishin larg standardeve. Padyshim që raporti është më kritik se ai paraardhës, sidomos në cilësinë e administrimit të zgjedhjeve dhe konfirmon të gjitha shqetësimet e opozitës. Mjafton të shohësh problemet e evidentuara lidhur me listat, median, përdorimin e administratës publike, vendimet e KQZ-së dhe të Kolegjit Zgjedhor si dhe rekomandimet e bëra, për të kuptuar sesa serioz është raporti në vlerësimet e tij për këto zgjedhje. Raporti i ODIHR-it kërkon ndryshimin e KQZ-së “me qëllim rritjen e besimit, të pavarësisë dhe paanshmërisë në zbatimin e Kodit”. Nuk e di si mund të qëndrojë në këmbë një institucion, kur i vihet në diskutim besueshmëria, pavarësia dhe paanshmëria. Në kushte normale, KQZ-ja duhet të kishte dhënë dorëheqjen ditën që doli Raporti, gjë që me sa duket nuk ka ndërmend ta bëjë edhe pse në sytë e publikut KQZ-ja është e rënë.
Në raport rekomandohet edhe si një domosdoshmëri ndryshimi i KQZ-së, jo vetëm si përmbajtje, por edhe si formulë kompozimi. Cila mendoni se do të ishte formula që do të garantonte një institucion të pavarur dhe të pranuar nga palët në vendimmarrjet e tij?
Padyshim që çështja e KQZ-së është një nga elementet shumë të rëndësishme të reformimit të sistemit zgjedhor, po jo e vetmja. Reforma duhet të jetë më komplekse, po unë besoj se kjo reformë ka nevojë të orientohet më shumë në garantët për zbatimin e ligjit. Kjo është shumë e rëndësishme për të ardhmen e zgjedhjeve në Shqipëri, sepse zgjedhjet kanë vuajtur më shumë nga moszbatimi i ligjit sesa nga mungesa e ligjit. Çka do të thotë se reforma është e nevojshme, po a mjafton kjo nëse nuk ka vullnet për zbatimin e ligjit? Unë jam ndër ata që besojnë se kyç është vullneti politik për zbatimin e ligjit. Abuzimi me listat, presionet ndaj administratës publike, dy vendimet e KQZ për median, njëri kur vendosi të ndalojë spotet elektorale të PS (pa e mbështetur askund ligjërisht) dhe tjetri që imponoi përdorimin e kasetave që vinin nga PD, standardi i dyfishtë ndaj ankimimeve të PS dhe PD, vendimet e KQZ dhe Kolegjit Zgjedhor që ndryshuan rezultatin në tavolinë e që i evidenton raporti i ODIHR-it, nuk e kanë burimin te boshllëku ligjor po te moszbatimi i ligjit, te arroganca e pushtetit. Le të shkojmë pak më mbrapa në kohë: A nuk u shkel Kodi Zgjedhor, i bërë me marrëveshje, kur në zgjedhjet e vitit 2009 u refuzua kërkesa ligjore e dy anëtarëve të KQZ për hapjen e kutive? A nuk u shkel marrëveshja e vitit 2007, e materializuar në ligjin për mediat elektronike lidhur me entet rregullatore mediatike? Lista e shkeljeve është shumë e gjatë, ndaj reforma duhet parë në elementet që forcojnë garantet për zbatimin e ligjit edhe në kuptimin e sanksioneve e të përgjegjësve. Këtu kemi dy palë: një që ka gjithë precedentët e shkeljes së marrëveshjes, që është pushteti i sotëm, dhe opozitën që u ka qëndruar marrëveshjeve. Padyshim që opozita duhet të kërkojë që pala përballë saj të marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë dhe këtë duhet ta bëjë me të gjitha mjetet demokratike në Parlament e jashtë tij, po klima e mosbesimit e rrënjosur thellë jo vetëm te politika, po edhe te publiku ka nevojë për garantë, ku roli i partnerëve ndërkombëtarë është shumë i rëndësishëm. Sa i takon formulës, problemi në Shqipëri është sot se sa të pavarur janë ata që e quajnë veten të pavarur. Eksperienca e enteve rregullatore mediatike, e mbushur me militantë ndërkohë që sipas ligjit kandidatët duhet të jenë nga shoqëria civile, e komplikon zgjidhjen. Vijmë përsëri te zbatimi i ligjit.
Znj. Leskaj, ditët e fundit është hedhur një ide e organizimit të zgjedhjeve nga OSBE-ja. A e mendoni ju si një zgjidhje të mundshme?
Jo. Së pari, OSBE-ja ka një mandat të përcaktuar qartë, ajo që ka bërë e bëri edhe këtë herë OSBE/ODIHR, me monitorimin e zgjedhjeve dhe rekomandimet, janë brenda mandatit dhe rolit të vet. Shqipëria është një vend sovran dhe do ishte e pajustifikueshme një kërkesë e tillë, të cilën as OSBE nuk do ta pranonte. Është një përgjegjësi e Qeverisë organizimi i zgjedhjeve dhe ajo duhet vënë përpara përgjegjësive për plotësimin e detyrimeve.
Znj. Leskaj, ndryshe nga sa shpresonte opozita, zgjedhjet vendore jo vetëm që nuk i dhanë zgjidhje krizës politike, por, duke iu referuar fjalorit të përdorur gjatë kësaj kohe, duket se ajo është thelluar më tej. A mund të themi se nuk funksionoi premtimi i opozitës se këto zgjedhje do të ishin një referendum që do t’i jepte përgjigje qeverisjes së keqe të PD-së?
Nuk di që opozita të ketë bërë një deklarim të tillë, e nuk mund të shpresonte që zgjedhjet vendore t’i jepnin zgjidhje krizës politike. Kjo do ishte naive ta besoje, sa kohë që nuk janë adresuar rrënjët e krizës. Kriza nuk mund të zgjidhet me deklarata për zgjedhje të lira e të ndershme, nëse nuk adresohen rrënjët e saj. Mosadresimi i krizës që buroi nga zgjedhjet e vitit 2009, prodhoi problemet e majit 2011. E vetmja gjë ndryshe në këto zgjedhje ishte vullneti i popullit për të refuzuar keqqeverisjen me votë, e cila u bë e qartë në të gjithë Shqipërinë. Kjo votë masive përballi edhe të gjithë forcën e pushtetit me përqendrim të veçantë në Tiranë. Në fakt, opozita është fituesja e madhe e këtyre zgjedhjeve, që votuesit i kanë besuar qeverisjen në shumicën dërrmuese të bashkive të mëdha. PS ka 101 mijë vota më shumë se PD si subjekt politik dhe kjo nuk është pak. 101 mijë vota më shumë bën vërtet diferencë, kur bëhet fjalë për një vend me një numër të vogël votuesish si Shqipëria.
Rama, nëpërmjet një sërë qëndrimesh të shprehura kohët e fundit në media, ka shprehur keqardhje për ata që kërkojnë një opozitë më të fortë, duke premtuar një kurs të ri nëpërmjet një opozitëbërjeje më paqësore. Kjo ka ngjallur debat te disa deputetë socialistë, të cilët kërkojnë një qëndrim më radikal. Keni një koment tuajin lidhur me këtë debat dhe cilin qëndrim përkrahni?
Varet si lexohet qëndrimi i z. Rama. Për mua, kursi i ri nuk duhet lexuar si tërheqje nga një opozitë e fortë, varet kë quani të fortë. Opozita është e fortë, kur është eficente, kur përzgjidhet ajo qasje që në momente të caktuara jep rezultatin më të lartë, që s’do të thotë rruga... Një proces reflektimi dhe debati lidhur me qasjen e opozitës në sezonin e ri, i shoqëruar me një analizë të mjedisit politik, ekonomik, social dhe të proceseve integruese, është zgjedhja më e mirë. Kjo është ajo që po bën PS aktualisht, po orientohet drejt një qasjeje të studiuar e përfshirëse për një opozitë sa më eficente në shërbim të vendit, jo të vetvetes. Në këtë proces, padyshim që deputetë, ashtu si dhe njerëz të tjerë brenda dhe jashtë PS, japin kontributin e tyre me ide për programin politik. Personalisht nuk do ta quaja radikalizëm qëndrimin e atyre deputetëve, që ju i referoheni, protesta nuk është radikalizëm e as tabu, është një mjet demokratik. Po padyshim ajo që mbetet e rëndësishme, është roli në Parlament. Lajmi i mirë është që në PS njerëzit debatojnë mbi qasjet që duhen ndjekur për të rritur eficencën e opozitarizmit dhe vizionin e një alternative serioze, siç është PS. Kjo është cilësia demokratike e PS, që për fat të keq vështirë ta gjesh te bunkeri i PD-së, ku edhe Kryesia e re, që mezi u zgjodh pas dy vjetësh, vetëm një ditë jetë pati në media.
Gjithashtu, Rama ka bërë të ditur se protestat në vendet e zhvilluara nuk i organizon opozita, por qytetarët. Ju jeni dakord me këtë dhe, meqë jemi te kjo çështje, do kemi protesta në shtator?
Kjo është e vërtetë. Përgjithësisht janë lëvizjet qytetare, sindikatat, shoqëria civile që i organizojnë. Gjithsesi, çështja e protestave nuk është çështje afatesh apo planesh, varet nga rrethanat. Opozita është në të drejtën e saj që të përdorë të gjitha mjetet demokratike në përmbushjen e misionit të saj.
PS ka formuluar tashmë në mënyrë të qartë kërkesën për ndryshime kushtetuese, duke bërë pendesën në të njëjtën kohë se ndryshimet e 2008-s ishin një gjë e gabuar. Me ndryshimet e reja, çfarë do kërkohet konkretisht dhe a e shihni të mundur realizimin e tyre, pasi PD e ka shprehur në mënyrë të prerë qëndrimin e saj refuzues?
Reflektimi nuk është dobësi e as mungesë koherence, siç kam dëgjuar të shprehen, përkundrazi është forcë e kurajë ta shohësh të vërtetën në sy e të reflektosh.
Sa i përket propozimeve konkrete, lidhur me ndryshimet kushtetuese tashmë është bërë e ditur se PS është në një proces konsultimi të gjerë me ekspertët më të mirë të fushës për një paketë propozimesh serioze. Mazhoranca nuk duhet të ketë frikë nga ndryshimet kushtetuese, duke mbajtur dy standarde lidhur me reformat. Reformat nuk mund të jenë vetëm për ato gjëra që i do mazhoranca, po për ato që krijojnë institucione të qëndrueshme.
PS ka hyrë në një proces riorganizimi të brendshëm, ku priten zgjedhjet e forumeve më të larta drejtuese dhe një reformë statutore dhe programore. Në përmbyllje të mandatit të këtyre strukturave, mendoni se ato kanë funksionuar si duhet dhe a duhet të ketë një përpjekje për t’i bërë ato më efektive? Kam këtu parasysh sekretariatin dhe kryesinë….
Sa i takon pjesës së parë, zgjedhjes së forumeve, është një proces normal dhe padyshim që duhet të ketë edhe një analizë e vlerësim të punës dhe i mbetet Asamblesë së dalë nga Kongresi të zgjedhë Kryesinë e re dhe e të miratojë Sekretariatin. Reforma shkon përtej çështjes së mandatit të këtyre dy strukturave. Jemi në punë për programin politik dhe statutin, proces që mendoj se është po aq i rëndësishëm sa edhe vetë produkti, një proces i hapur e përfshirës.
Po përsa i përket programit dhe statutit, çfarë duhet të ndryshojë?
Se çfarë duhet të ndryshojë, kemi kohë për të diskutuar. Ndoshta do duhej një intervistë më vete. Gjithsesi, me siguri do kemi një statut të më të mirë e një program politik ku çdo kategori gjen veten e ndihet e përfaqësuar.