Starton me dy premiera

Kinemaja ABC e fillon furishëm sezonin e këtij viti, duke sjellë para publikut të saj njëkohësisht dy premiera botërore.
Në një lajmërim të kompanisë ‘Genci’, e cila menaxhon me kinemanë, thuhet se kjo kompani vazhdon aktivitetet e saj të vitit 2012, duke ruajtur lidhjen e saj të fuqishme me shikuesit dhe me qytetarët e Kosovës.
“Kinemaja ABC duke qenë një skenë e fuqishme e kulturës së vendit, vazhdon me shfaqjen e filmave premierë duke dhënë mundësinë për të shijuar kinematografinë dhe kulturat e ndryshme të botës”, thuhet mes tjerash në këtë njoftim.
Tutje, bëhet e ditur se nga dita e sotme (13 janar) do të fillojnë të shfaqen dy premiera botërore “The Girl with the Dragon Tattoo” dhe “Alvin and the Chipmunks:
Chipwrecked”, e para nga ora 19:00 dhe 22:00, ndërsa e dyta në ora 15:00 dhe 17:00.
‘The Girl with the Dragon Tattoo’ i takon zhanrit dramë/triler dhe është i bazuar në pjesën e parë të trilogjisë bestseller ‘Milenium’ të shkrimtarit të ndjerë suedez Stieg Larsson.
Gazetari financiar Mikael Blomkvist vendos ta kthejë nderin e tij pasi e kishin akuzuar në gazeta. Atë e angazhon industrialisti i pasur suedez Henrik Vagner, për të hulumtuar humbjen e mbesës së tij, Herietës. Vagneri beson që atë e kishte rrëmbyer një anëtar i familjes. Gazetari niset në një ishull të ngrirë suedez, duke mos ditur çfarë e pret atje.
Në të njëjtën kohë, Lisbeth Salander, një hulumtuese e zgjuar dhe jo e rëndomtë, angazhohet për të bërë një hetim për këtë zhdukje. Në fund, Mikaeli dhe Lisbethi punojnë së bashku. Ata të dy gjejnë vrasje të tjera që kishin ndodhur në familjen Vagner në të kaluarën.
Në rolet kryesore paraqiten Daniel Craig, Rooney Mara, Christopher Plummer, Stellan Skarsgard, Elodie Young, etj., ndërsa regjinë e filmit e ka bërë David Fincher.
Filmi tjetër, premiera e të cilit do të shfaqet gjithashtu sot (e premte) ‘Alvin and the Chipmunks: Chipwrecked’, është animacion dhe zgjat një orë e gjysmë.
Chipmankët dhe Chipetët e kthejnë një anije në vendin e tyre të lodrave. Por, kjo anije u prishet në një ishull të largët. Por, duke u munduar që të gjenin rrugën mbrapa, ata kuptojnë se ky ishull, në fakt, nuk ishte i pabanuar. Tani ata duhet të mbijetojnë në këtë ishull të Polinezisë.
Rolet kryesore i luajnë Anna Faris, Jason Lee, Justin Long, Mathew Gray Gubler, Jesse McCartney, ndërsa regjinë e ka bërë Mike Mitchell.