Stasi e vëzhgonte Gunter Grassin

Stasi së pari ka filluar ta mbajë nën vëzhgim Grass-in, shkrimtarin më të njohur të Gjermanisë së pasluftës, në vitin 1961 kur ky kishte shkruar një letër të hapur në të cilën kishte sulmuar ndërtimin e Murit të Berlinit nga komunistët e Republikës Demokratike Gjermane, thuhet në libër.
"Grass ka qenë pabesueshëm shumë i njohur në Republikën Demokratike Gjermane,” thotë Kai Schlueter, autori i librit të ri. “Librat e tij ishin ndaluar për disa dekada, por të gjithë e njihnin. Ai shpesh e ka vizituar Republikën Demokratike Gjermane.”
Por kur Grass, libri më i njohur i të cilit “The Tin Drum” (Daullja e llamarintë) është botuar në vitin 1959, e ka vizituar Gjermaninë Lindore, ku do të mbante lexime, Stasi do të ndiqte secilën lëvizje të tij, duke ia dhënë nofkën Bolzen.
"Grass ka qenë tërësisht i rrethuar prej spiunëve kur kishte ardhur në Republikën Demokratike Gjermane. Të gjithë bashkëbiseduesit zyrtarë të tij ishin IMs, “të punësuar jozyrtarë’ (spiunë), të gjithë,” thotë Schlueter, i cili ka përdorur më shumë se dy mijë dosje të Stasit për të përmbledhur librin.
“Qofshin ata nga asociacionet e shkrimtarëve, përfaqësues të botuesve, përfaqësues të shtetit, njerëz të teatrit ... ai ka qenë tërësisht i rrethuar,” ka thënë Schlueter për Radio Bremen.
Këta informatorë më pas do t’i tregonin një oficeri të Stasit çfarë Grass, tani 82 vjeçar, ka thënë dhe ka bërë, gjë e cila do të regjistrohej në dokumente, të cilat pas bashkimit të Gjermanisë në vitin 1990 ishin hapur për publikun.
Schlueter thotë se Grass ka qenë i rëndësishëm për Stasin për shkak se ndryshe prej ‘shënjestrave të lehta ideologjike’ siç ishte kancelari i Gjermanisë Perëndimore Konrad Adenauer, Grass, një mbështetës aktiv i Partisë Socialdemokrate, i cili e kishte mbështetur Willy Brandt-in në vitet gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë, shihej si një kërcenim më tinëzar.
Grass në vitin 2006 në një intervistë kishte bërë të ditur se ka qenë anëtar i Waffen-SS, krahu i armatosur i Partisë Naziste.
Libri “Gunter Grass im Visier: Die Stasi-Akte” është botuar nga Christoph Links Verlag.
AFP