E Diel, 1 Nëntor 2026

Statistikat e INSTAT, Tiransit harxhojnë më tepër se rrethet

Një familje në kryeqytet shpenzon mesatarisht për nevojat e saj të përditshme 83.800 lekë, ndërsa mesatarisht, një familje shqiptare shpenzon 69 mijë lekë në muaj. INSTAT rendit kryeqytetin si qendrën më të shtrenjtë urbane në vend. 

TIRANE- Sipas INSTAT, shpenzimet familjare për periudhën 2006-2007, janë rritur me rreth 80% më shumë se ato të vitit 1999-2000. Në këtë shumë futen të gjitha llojet e shpenzimeve familjare, duke filluar që nga konsumi i përditshëm e deri tek shpenzimet për makinat, shkollimin e fëmijëve apo ceremonitë e ndryshme familjare.
Studimi
Sipas INSTAT, një familje në Tiranë konsumon më shumë se një famije që jeton në një tjetër prefekturë. Studimi i 2006-2007 ka treguar se një familje e kryeqytetit shpenzon mesatarisht në muaj 83,800 lekë. Pas saj renditen Durrësi me 82,900 lekë dhe Gjirokastra 82,800 lekë. Ndërsa prefekturat me nivel më të ulët të shpenzimeve për konsum mujor të një familjeje është ajo e Dibrës me 51,300 lekë dhe Berati me 54,100 lekë në muaj. Statistikat e INSTAT tregojnë se në vitet 2006-2007, familjet shqiptare në zonat urbane i kanë rritur shpenzimet për konsum me 80% më shumë se në vitet 1999-2000, përfshirë këtu edhe inflacionin me 23.2%.
Rriten shpenzimet
Krahasuar me vitet 1999-2000, familjet shqiptare kanë filluar të tregojnë më shumë kujdes për shëndetin dhe komunikimin. Në këto grupe familjet shqiptare shpenzojnë 71.4% të buzhetit për blerjen e barnave, ndërsa për telefonin harxhohet rreth 92.5% e buxhetit të këtij grupi. Po sipas INSTAT vihet re se familjet shqiptare kanë rritur edhe buxhetin që shpenzojnë për t'u veshur. Kështu grupi "Veshje dhe këpucë" zë 6.2% të konsumit total familjar. Ndërkaq një pjesë e madhe të buxhetit mujor të një familje shkon për pagesat e qirave apo të faturave të ndryshme. Grupi "Banesa" me shpenzimet për energji elektrike, ujë, lëndë djegëse, qera të paguar dhe riparime të vogla zë 7.4% të totalit të buxhetit familjar. Rreth 44% e këtyre shpenzimeve shkojnë për pagesën e energjisë elektrike, ndërsa 7.8% për pagesat e qirasë.
Ulen shpenzimet
Por vihet re se familjet shqiptare kanë ulur shpenzimet për arsimin. Shpenzimet për arsim zënë vetëm 1.7% të buxhetit mujor që harxhon një familje shqiptare. Brenda këtij grupi pagesat në lidhje me arsimin e lartë zënë 62.6%. po ashtu ulje kanë pësuar edhe shpenzimet që hyjnë te grupi "të tjera mallra dhe shërbime" të cilat zënë 5.5% të buxhetit total. Në këtë grup përfshihen: "shpenzime për kujdes personal", "shpenzime të jashtëzakonshme të kryera nga familjet në raste ceremonish dhe festash", "pagesat për shërbime të ndryshme financiare private" si dhe "sigurimet". Brenda grupit, zëri "artikuj dhe produkte për kujdes personal" zë peshën më të madhe, rreth 54 %. Shpenzimet e përfshira në grupin "transport" zënë 6.2%, ku peshën më të madhe brenda grupit e përbëjnë shpenzimet që i referohen lëvizjes me mjete publike apo private, si "shpenzime për transport rrugor", rreth 32 % dhe "karburant dhe lubrifikantë" me 40.3 % ndjekur nga zërat "pjesë këmbimi dhe aksesorë".

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›