E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Masakra e Gjuricajt”, hetim gjyqtarëve

Nga Klodiana Lala
Dy vëllezërit e dyshuar për masakrën e Gjuricajt i akuzojnë trupin gjykues për shpërdorim detyre. Kallëzimi penal ndaj tre gjyqtarëve të Durrësit është regjistruar në prokurorinë e këtij qyteti. 

TIRANE- Masakra e Gjuricajt në Ishëm të Durrësit, ku viktimë mbetën dy kushërinj, njëri prej të cilëve vetëm 13 vjeç merr një kthesë të papritur. Dy vëllezërit e akuzuar si autorë të ngjarjes së rëndë të 18 korrikut 2005, Kastriot e Arben Gjokeja, kanë kallëzuar në prokurori tre gjyqtarë të Durrësit për shpërdorim detyre. Sipas të pandehurve, kryesuesja e trupit gjykues, Shpëtime Pitaku si dhe dy anëtarët, Shpëtim Reka dhe Neritan Tabaku, nuk kanë pranuar disa prova të mbrojtjes që janë mjaft të rëndësishme për zgjidhjen në mënyrë të drejtë të procesit. Dy vëllezërit nga fshati Derven i Krujës, që gjenden në qeli prej tre vitesh pasi dyshohen se kanë ekzekutuar dy kushërinjtë e tyre, Oligert Gjokenë, vetëm 13 vjeç dhe Eduart Gjokenë, kanë vënë në dijeni për këtë fakt Presidentin e vendit, Bamir Topi, ministrin e Drejtësisë dhe kryeprokuroren Ina Rama.
Kallëzimi
Pak ditë më parë, dy vëllezërit e akuzuar për vrasjen e kushërinjve të tyre, Oligert Gjokeja, 13 vjeç dhe Eduart Gjokeja, 28 vjeç, i janë drejtuar prokurorisë së Durrësit me një kallëzim penal ndaj tre gjyqtarëve, duke i akuzuar për shpërdorim detyre. Kastriot e Arben Gjokeja, të cilët po gjykohen nga Gjykata e Durrësit, i kanë kërkuar trupit gjykues të marrë si provë materiale akt-ekspertimet mjekoligjore të viktimave, ku është e përcaktuar qartë lloji i armës me të cilën janë qëlluar. Gjithashtu, vëllezërit kërkojnë që të krahasohen kampionet e gjakut të tyre me njollat e gjakut të një bluze të gjetur në vendin e ngjarjes. Por refuzimi i këtyre provave nga trupi gjykues që kryesohet nga gjyqtarja Shpëtime Pitaku nuk është pritur mirë nga dy të akuzuarit. Vëllezërit i janë drejtuar prokurorisë, duke kallëzuar për shpërdorim detyre tre gjyqtarët që shqyrtojnë dosjen penale në ngarkim të tyre.
Procesi
Procesi gjyqësor ndaj tre vëllezërve, Kastriot, Arben dhe David Gjokeja, të cilët dyshohen si autorë të masakrës së Gjuricajt në vitin 2005, rinisi pak muaj më parë në Gjykatën e Durrësit. Tre vëllezërit ishin dënuar nga kjo gjykatë me 8 nëntor 2006 me dënime shumë të rënda, konkretisht, David Gjokeja (në mungesë) me burgim të përjetshëm, Arben Gjokeja, përjetë, ndërsa Kastriot Gjokeja, me 21 vite burg. Vendimi u prish një vit më vonë nga Gjykata e Apelit Durrës dhe procesi ndaj tre vëllezërve rinisi nga e para. Ata akuzohen për vrasjen e kushërinjve të tyre, Oligert Gjokeja, 13 vjeç, Eduard Gjokeja, 28 vjeç, si dhe plagosjen e Simon Gjokesë, nga fshati Derven i Krujës. Motivi i kësaj ngjarjeje të rëndë është hakmarrja, pasi tre vëllezërit akuzojnë xhaxhanë e viktimave si vrasësin e vëllait të tyre, Palush Gjokeja, oficer i policisë gjyqësore në Krujë. Arben Gjokeja gjendet në qeli, pasi u arrestua në Itali dhe më pas u ekstradua drejt Shqipërisë. Në pranga është vënë dhe Kastriot Gjokeja, ndërsa vëllai tjetër, David Gjokeja është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi dyshohet si organizatori i masakrës. Tre vëllezërit akuzohen për “vrasje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës”, të kryer në bashkëpunim, “vrasje të kryer me paramendim”, “armëmbajtje pa leje”.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›