Statuja e Fidias me kokën e Kaligulës
Sesi është ngjarja tragjikomike e statujës së Fidias me kokën e përbindëshit Kaligula, këtë e shohim në bashkëbisedimin e autorit të një libri me prof. Skënder Luarasin. Libri është vërtet interesant. Por, meqë ky shkrim nuk është një paraqitje letrare e një libri që sapo ma ka dhuruar autori, atëherë lexuesi do të më lejojë që hë për hë titulli dhe autori i librit le të zbulohen më parë nga shqyrtimi që do t’i bëhet veprës. Mund të them qysh tani se fizionomia politike-shoqërore që i bëhet sistemit të Enver Hoxhës, është mbresëlënës: -“Shpata ishte zhveshur dhe priste nga të dy krahët. I ziu ai që prekej prej saj. Askush nuk ishte i sigurt për të nesërmen. Dhe, duke e ndier me instinktin e kafshës rrezikun, njerëzit bëheshin më të egër. Kjo ishte e vetmja armë që u kishte mbetur. Bjeri tjetrit, të shpëtosh vetë. Luftë për ekzistencë. Këtë e kishte thënë edhe Darvini. Të lumtur në dukje, se po forcohej partia dhe pushteti popullor, njerëzit binin në mendime sapo shkonin në shtëpi. Ata heshtnin dhe ndjenin përbrenda një boshllëk i cili sikur paralajmëronte, apo më mirë, ndillte diçka të keqe. Tmerrësisht të keqe edhe për vetë ata” (f. 171).
Ne, që e kemi pasur profesor në shkollë të mesme Skënder Luarasin, e dimë shumë mirë sesa i çiltëri ishte ai edhe në orë të mësimit, pa paragjykime, i sinqertë gjer në të qenit trimëror, édhe në orët që vëzhgoheshin me syrin e vijës së partisë në letërsi. Për njërin prej romaneve të bujshëm të kohës, por që nuk lexohej dot nga fillimi në fund, ai na thoshte, duke qenë i pranishëm drejtori, se romani që kishim për analizë në mësim nuk kishte asnjë vlerë artistike, “por ja që e kemi në program”!
Me autorin e librit që përmendëm, Skënder Luarasi takohej shpesh në hotelin bregdetar në Durrës, që atëherë quhej “Hotel Vollga”. Ai njihej me babanë e autorit të librit dhe e nuhati që në fillim se edhe i biri nuk e honepste dot diktaturën enveriste. Dhe flisnin herë me aluzione, herë hapur fare, kundër tiranit që kishim mbi kokë, si hanxhar (édhe pas destalinizimit që u bë në Kongresin XX të PK(b) të B. S.). Kur Skënderi fliste hapur, madje ngrinte edhe zërin paksa, gruaja ruse i thoshte, me druajte: - Avash Skënder, avash se je sëmurë. - “Mirëpo biseda erdhi duke u trashur dhe ai, nuk e di përse, zuri të më flasë për perandorin Kaligula, që u vra kur qé 29 vjeç dhe kishte mbretëruar vetëm tre vjet. – Por ishin të mjaftueshme për të mbetur në histori, si perandori romak më mizor. U përmend narcizizmi i Kaligulës”. Këtu tregohet ajo ndodhía e heqjes së kokës së një shtatoreje për të venë kokën e tij! Ai detyroi senatin që të nxirrte një dekret, ku thuhej se data e hipjes së tij në fuqi ishte data e themelimit të Romës dhe jo ajo e para tetë shekujve! Këtu autori i veprës përmend thënien e Stefan Cvajgut për shikimin ngurosës të Meduzës. U përmendën krime nga më rrëqethëset. Në këtë bisedë të rrezikshme, Skënder Luarasi kaloi nga rrëmbimi i grave në prani të bashkëshortëve në gostitë e Kaligulës, nga përdhunimi i tyre para të gjithëve, gjer te talljet me burrat e tyre. Pastaj, pas disa ndërhyrjeve të së shoqes – “Mos fol shumë se s’të bën mirë”, - kur Skënderi po kalonte më tej, me “Ja, nga këta mësuan edhe vrasësit e kohëve tona, rusja e trembur i kishte thënë: -“Nëse rosa nuk do të kakariste, nuk do të behej ushqim për gjahtarët!”.
Skënderi, në këtë episod, kishte thënë edhe një nga ato të tijat: “Mos kujto se është e lehtë të bësh histori në sisteme njëpartiake”. Kjo është e drejtpërdrejtë. Për cilin sistem njëpartiak e kishte fjalën? Ai vetë, ishte për pluralizmin? Ja sepse këto mendime ishin komprometuese.
Në këtë rast, e shoqja ruse i kishte thënë: - “Sikur më ke thënë se nuk duhet luajtur me mjekrën e luanit, se ai mund të të kafshojë!
Por edhe Skënder Luarasi dinte se me kë fliste. Dhe asnjëri nuk abuzoi në trimërinë e tij, kur e tejkalonte masën në mjaft raste. Mbase ishte edhe i ndërgjegjshëm se dëmi i ndonjë arrestimi të tij të mundshëm do të ishte më i rëndë se përfitimi. Skënderi kishte qenë në Luftën e Spanjës, kur E.H. i binte maçes me lugë!
Lexuesit mund të kuptojnë se “Veprat” e Enverit, që përgënjeshtrojnë njëra-tjetrën vëllim pas vëllimi, kanë një përngjasim të çuditshëm me “Kurbanin” e Ramës që përgënjeshtron kryekëput “Refleksionet”. “Kurbani” tani merr përsipër të vlerësojë edhe “Autostradën e Kombit”, një cilësor ky i fundit që s’është përdorur kurrë ndonjëherë më parë. Këtu kemi të bëjmë me një mashtrim të pastër. Jo vetëm që është përbuzur edhe nga lakenjtë e tij të majmunizuar, por edhe ky mllef i fshehur keq është përçuar në një fakt: që të bindurit e tij të mos kishin kureshtjen as për ta vizituar, në përfundimin e autostradës jo se jo, por edhe pas pak ditësh, së paku. Lezetin, ama, bosmenët e Ramës po ia ndiejnë tanimë, me ato varavingot e aferave të tyre! Por ajo që është e pagëlltitshme fare, qëndron tek ato fantazitë donkishoteske se idenë qeveria Berisha e paka marrë nga Rama! Se ai na përmend atë rrugë që do të bëhej në kohën e Majkos kryeministër, kur ky vetëm sa e paska përmendur këtë rrugë, për t’i marrë taksat milionëshe, pa bërë asnjë milimetër të asaj rruge! Kësaj i thonë të tallesh me lavdinë e kundërshtarit! Na kujtohet Kaligula në ekzibicionizmin e tij të pafré. Historia thotë se e kishte çuar kalin e tij në senat! Kërkonte t’i bënin temená kalit të Kaligulës. Tani u dashka t’i bëjmë hosaná gomarit të Ramës!
Mbase rojat e parlamentit duhet të ruajnë portën e gjerë të parlamentit se mos na sillet një gomar në sallën parlamentare, për nderin që na bëri i vetëledhatuari që pranoi, së fundi, të na sajdisë me hyrjen “triumfale” në parlament! Dhe, si nga lartësitë e Olimpit, na jep edhe ultimatumin tjetër: “Të shkuara, të harruara”! Po harxhet dyvjeçare dhe kohën e humbur kush e paguan?