Statusi, Minatorët sërish dje në protestë: ”Qeveria mashtron se ka ngritur grup pune”
Megjithë deklaratën e bërë para pak ditësh nga qeveria, se është ngritur një grup ndërministror pune për Statusin e Minatorit, punonjësit e minierave kanë protestuar sërish dje para Kryeministrisë. Në një tubim paqësor para selisë së Kryeministrisë, dhjetëra minatorë me pankarta në duar i kanë kërkuar kryeministrit, Sali Berisha, të mos gënjejë për ngritjen e grupit të Statusit, por të ulet në bisedime me ta. Sipas kryetarit të Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri, deklaratat e deritanishme se është ngritur grupi i punës për hartimin e Statusit të tyre janë vetëm mashtrime. “Kemi dëgjuar dhe lexuar në media për deklaratat e Ministrisë së Energjetikës, por ne nuk dimë asgjë. Në qoftë se ka një grup pune të ngritur për Statusin e Minatorit, si ka mundësi që ne nuk jemi thirrur në tryezë. Mbi ç’baza do të hartohet projektligji për Statusin, kur ne kemi dërguar të gjitha aktet e nevojshme, i kemi paraprirë gjithçkaje që kërkon miratimi i një projektligji? Ne mendojmë se e gjithë kjo është një demagogji dhe një taktikë për të na larguar ne nga protestat”,- deklaroi Xibri. Si në çdo protestë të minatorëve, edhe gjatë ditës së djeshme, policia ka rrethuar Kryeministrinë me mjete dhe efektiva në gjendje gatishmërie për çdo rast. Ndërsa minatorët nga ana e tyre, me kapelet karakteristike të profesionit janë ulur përtokë deri në orën 13.00, kur ishte lëshuar dhe leja nga ana e Policisë së Tiranës, në pritje të një sinjali pozitiv nga Kryeministria. Por për protestat e ardhshme, kryetari i Sindikatës së Minatorëve tha se nuk do të kërkohet fare leja nga policia, por protestat do të zhvillohen në orare dhe vende ku do të vendosë sindikata dhe jo policia. Ministria e Ekonomisë deklaroi javën e shkuar se ka ngritur një grup pune për të hartuar një studim mbi mundësinë konkrete për realizimin e Statusit të Minatorit. Grupi është ngritur me urdhër të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, në bazë të urdhrit të kryeministrit, të lëshuar më 5 shkurt të këtij viti dhe do të kryesohet nga zëvendësministri Neritan Alibali. Ky grup pune, deri më 5 prill, do të hartojë studimin mbi mundësitë konkrete për realizimin e Statusit të Minatorit, si dhe t’i paraqesë kryeministrit propozimet për këto mundësi, së bashku me aktet e nevojshme ligjore dhe nënligjore lidhur me Statusin.
16 Mars 2010