Farmacistët, hyn në fuqi Provimi i Shtetit për studentët që diplomohen këtë vit
Jonida Tashi
Studentët e Farmacisë në të gjithë vendin, që do të mbarojnë në vitin 2010 studimet e larta, përveç praktikës profesionale, do t’u duhet të kryejnë dhe Provimin e Shtetit. Urdhri i Farmacistit, që do të jenë edhe institucioni përgjegjës për zhvillimin e këtij provimi, sqaron se për të bërë karrierë në farmaci, do të zbatohen praktikat ligjore, për të fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit. Sipas Urdhrit të Farmacistit, kalimi i Provimit të Shtetit i jep të drejtën studentëve që të regjistrohen në një Urdhër Profesional (UP). Vetëm në këtë moment, ata kanë drejtën që të ushtrojnë profesionin e farmacistit, që është vetëm njëri nga nëntë profesionet e rregulluara në Shqipëri. Për rrjedhojë, të njëjtin fat me studentët që do të diplomohen këtë vit për Farmaci, do të kenë edhe ata që do të përfundojnë studimet e larta në degët: Mjekësi, Stomatologji, Infermieri, Mami, Fizioterapi, Veterineri, Arkitekturë, Inxhinieri.
Farmacistët e rinj
Në bazë të legjislacionit shqiptar farmacisti është një profesionist i shëndetësisë që ushtron një profesion të rregulluar. Si rrjedhojë, për të ushtruar profesionin e farmacistit duhet të kesh përfunduar një program të akredituar studimi. Në bazë të ligjit nr.10171 datë 22.10.09 “Për Profesionet e Rregulluara”, neni 7, personi që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit dhe/ose kualifikime profesionale në atë profesion, të cilat vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara brenda ose jashtë vendit, dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Në rastin e farmacistit, kursi i kualifikimit është një cikël unik të paktën 5-vjeçar. Kurse në bazë të ligjit nr.9323, datë 25.11.2004 “Për Barnat dhe Shërbimin farmaceutik”, neni 3, pika 29, “Farmacist” është profesionisti i diplomuar si farmacist, me një cikël unik të paktën 5-vjeçar (Diplomë e Integruar e Nivelit të Dytë). Njihen, në të njëjtën masë, diplomat e lëshuara nga Universiteti i Tiranës, dega Farmaci, sipas programit të mëparshëm të miratuar nga Ministria e Arsimit dhe diplomat e huaja në Farmaci, të ekuivalentuara nga kjo Ministri.
Provimi i Shtetit
Provimi i Shtetit, sipas ligjit “Për Profesionet e Rregulluara” realizon garancitë publike për përgjegjësitë, që sjell ushtrimi i një profesioni të rregulluar. Ky provim kryen testimin e njohurive të kandidatit, që aspiron ushtrimin e një profesioni të rregulluar, duke siguruar uniformitet në vlerësimin e kandidatëve, në nivel kombëtar, përmes verifikimit të aftësive të nevojshme profesionale, sipas specifikave të çdo profesioni. Përmbajtja e Provimit të Shtetit hartohet në përputhje me fushën e veprimtarisë profesionale. Pas përfundimit me sukses të Provimit të Shtetit, kandidatit i jepet titulli profesional përkatës. Përjashtohet nga detyrimi për të dhënë Provimin e Shtetit: profesionisti që, në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, ushtron ose ka ushtruar një profesion të rregulluar; profesionisti, i cili fiton të drejtën e ushtrimit të një profesioni të rregulluar jashtë Republikës së Shqipërisë, në përputhje me përcaktimet e Këshillit të Ministrave. Provimi i Shtetit për çdo profesion të rregulluar organizohet dhe zhvillohet nga ministria që mbulon fushën e arsimit, në bashkëpunim me autoritetin kompetent përkatës.
Si do të kryhet praktika profesionale
Praktika profesionale synon përvetësimin efektiv të njohurive teknike, praktike dhe etike të profesionit, mënyrat e së cilës përcaktohen nga autoriteti kompetent, me propozimin e Urdhrit Profesional (UP) përkatës. Praktika profesionale zhvillohet nën drejtimin e një profesionisti, person fizik apo juridik. UP-ja përkatëse, nëpërmjet strukturave të veta, siguron që praktika të kryhet nën drejtimin e një profesionisti, i cili e ushtron profesionin prej jo më pak se tre vjetësh dhe jep garanci të mjaftueshme për përgatitjen teoriko-praktike të praktikantit. Gjatë zhvillimit të praktikës profesionale, praktikantit i jepet një pagesë prej jo më pak se 50 (pesëdhjetë) për qind të rrogës bazë. Pagesa apo shpërblimi vlerësues bëhet nga profesionisti, i cili drejton praktikën profesionale. Përjashtohet nga detyrimi për kryerjen e praktikës profesionale çdo individ, i cili provon se, për një periudhë të caktuar dhe në përputhje me kriteret specifike të një profesioni të rregulluar, ka qenë i angazhuar në një veprimtari profesionale, brenda ose jashtë vendit, që i ka dhënë mundësi të përvetësojë një përvojë profesionale të mjaftueshme në fushën e këtij profesioni. Autoriteti kompetent, në bashkëpunim me UP-në përkatëse, përcakton kriteret, që përdoren për të vlerësuar nëse përvoja profesionale e kandidatit është e mjaftueshme për ta përjashtuar nga detyrimi për kryerjen e praktikës profesionale, përmes një vendimi përfundimtar.
Kriteret për ushtrimin e një profesioni të rregulluar
Për të fituar të drejtën e ushtrimit të një profesioni të rregulluar, çdo kandidat duhet:
Të kryejë praktikën profesionale
Të kryejë Provimin e Shtetit;
Të regjistrohet në Urdhrin Profesional përkatës
16 Mars 2010