Viktimat e trafikimit, ndryshon funksionimi i qendrave rezidenciale
Jonida Tashi
Ministria e Punës ndryshon procedurat e funksionimit të qendrave rezidenciale që ofrojnë shërbime për personat e trafikuar ose në rrezik trafikimi. Nëpërmjet një urdhri të veçantë, që mban datën 10 shkurt të këtij viti, kreu i Ministrisë së Punës, Spiro Ksera ka përcaktuar procedurat e reja që duhet të ndjekin këto qendra, për të funksionuar në tregun e ofrimit të shërbimeve sociale. Sipas udhëzimit të Kserës, qendrat rezidenciale publike dhe jopublike, të përkujdesit shoqëror për personat e trafikuar ose në rrezik trafikimi do të lejohen të ofrojnë shërbime, nëse plotësojnë standardet dhe procedurat e përcaktuara. Kështu, duke filluar që nga viti aktual e në vazhdim, çdo qendër rezidenciale publike dhe jopublike, e përkujdesit për personat e trafikuar ose në rrezik trafikimi, duhet të hartojë një deklaratë qëllimi, e cila përshkruan qartë misionin e qendrës, shërbimet që ofron, synimet dhe objektivat e saj. Në deklaratën e qëllimit përcaktohet misioni, objektivat e qendrës, specializimi që ka,
shërbimet që ofrohen, kriteret për të përfituar këto shërbime, struktura organike e qendrës etj.
Deklarata
Deklarata e qëllimit duhet të vendoset në një vend të dukshëm dhe është e disponueshme për të gjithë stafin, përfituesit dhe/ose prindërit apo kujdestarët e tyre. Përfituesit duhet të konfirmojnë se janë njohur me deklaratën e qëllimit dhe e kanë marrë një kopje të saj. Deklarata e pranimit është një pranim nga ana e përfituesit që të marrë shërbimet në bazë vullnetare dhe të pranojë
kuptimin dhe respektimin e rregullave të ofruesit të shërbimeve. Për përfituesit që janë nën moshën 18 vjeç, prindërit ose kujdestarët ligjorë duhet të nënshkruajnë deklaratën e pranimit. Në këtë mënyrë sigurohet që prindi/kujdestari i përfituesit fëmijë është plotësisht i informuar rreth shërbimeve që merr fëmija përfitues, si dhe mbi rregullat që do të sundojnë gjatë kohës së qëndrimit të fëmijës në qendrën rezidenciale. Në rastet kur prindi ose
kujdestari ligjor nuk mund të gjenden, kanë qenë të përfshirë në trafikimin e fëmijës ose refuzojnë të
bashkëpunojnë kur i mituri dëshiron të marrë shërbimet, ofruesi i shërbimeve mund të kërkojë vendosjen e fëmijës në institucione. Në këto raste, dosja e përfituesit duhet të përmbajë dokumentacionin e procedurave të ndërmarra deri në atë moment për të fituar autoritetin ligjor që i
mituri të qëndrojë në strehë.
Qëndrimi
Qëndrimi në qendrat rezidenciale është vullnetar. Përpara se përfituesi të nënshkruajë deklaratën e pranimit, atij duhet t’i shpjegohen në detaje e me një gjuhë të thjeshtë, e gjithë përmbajtja e deklaratës, përfshirë listën e të drejtave të përfituesit, rregullat, detyrimet (ose përgjegjësitë) e përfituesit dhe çështjet e konfidencialitetit. Ofruesi i shërbimeve pritëse duhet të sigurohet gjatë intervistës që përfituesi kupton jo vetëm fjalët e dokumenteve, por dhe qëllimin dhe arsyen e tyre. Qendrat kanë procedura për të siguruar që përfituesit janë të lirë të largohen me vullnetin e tyre të lirë. Në rastet kur një përfitues i rritur dëshiron të largohet, përfituesi, punonjësi social përgjegjës dhe punonjësi epror në turn plotësojnë dhe nënshkruajnë formularin e listëkontrollit të largimit. Në rastin e të miturve, prindi ose kujdestari ligjor duhet të miratojnë largimin e përfituesit fëmijë nga streha. Nëse një përfitues largohet pa njoftuar ose zhduket nga streha, duhet të informohet policia, në mënyrë që të fillojë menjëherë kërkimi i përfituesit. Një kërkim i tillë bëhet për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e përfituesit. Pas gjetjes së përfituesi, stafi i strehës diskuton me të për arsyet e largimit, mundësinë për të qëndruar në qendër apo organizimin e largimit zyrtar nga streha. Nëse përfituesi kërkon të largohet, duhet të ndërmerren hapat e mësipërm për një largim të sigurt dhe me dinjitet të tij.
Të dhënat personale duhet të jenë konfidenciale
Të dhënat personale përfshijnë gjithçka që është në dosjen personale, si dhe çdo dokument tjetër që mund të zbulojë identitetin ose vendndodhjen e përfituesit, pwr shembull, qytetin e origjinës (nëse ata vijnë nga një qytet i vogël), informacion shëndetësor, informacion rreth familjes së tij ose situatës familjare, ose ndonjë detaj tjetër personal apo privat. Dokumentacioni i përfituesit (dosja e përfituesit dhe të dhënat personale) duhet të jenë
konfidencial. Dokumentacioni mbahet në një vend të sigurt. Dokumentacioni aksesohet vetëm nga punonjësi social përgjegjës, supervizori, drejtuesi i qendrës dhe nga përfituesi. Administrimi i dokumentacionit bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi. Përfituesit kanë akses në dosjet e tyre. Përfituesit informohen se kanë akses në dosjen e tyre, nëse ata dëshirojnë. Ofruesi i shërbimeve duhet të mbrojë të gjitha të dhënat personale të përfituesit. Ofruesi i shërbimeve është i detyruar të sigurojë që dosjet e printuara dhe dosjet elektronike me të dhëna të ruhen të sigurta. Për dosjet e printuara, kjo duhet të bëhet nëpërmjet ruajtjes së dosjeve në rafte të
mbyllura me çelës në një dhomë që është e kyçur. Për dosjet elektronike, ato duhet të ruhen me fjalëkalim. Ofruesi i shërbimeve duhet të vendosë kufizime se kush mund të vizitojë strehën, sa njerëz mund ta vizitojnë njëherazi, çfarë mund t’u lejohet vizitorëve që të bëjnë dhe sa shpesh do të lejohen vizitorët. Të gjithë vizitorët nënshkruajnë një marrëveshje konfidencialiteti përpara ose sapo të
mbërrijnë në strehë. Kur përfituesit transferohen në një strehë tjetër, bëhet dhe transferimi i dosjeve (me
miratimin e përfituesit).
16 Mars 2010