E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statusi, Ministria e Integrimit: Afati i fundit për kushtet, 28 Nëntori

TIRANE- Ministria e Integrimit, nëpërmjet Sekretares së Përgjithshme, Elda Kalaja bëri dje të ditur se Shqipëria duhet të plotësojë tre kushtet e Komisionit Evropian brenda 28 Nëntorit për të marrë një përgjigje pozitive nga Këshilli Evropian për statusin kandidat. Sipas saj ky është afati i fundit kur Komisioni duhet t’u rekomandojë shteteve anëtare raportin për Shqipërinë. 

“Mbledhja e ardhshme e Këshillit pritet të jetë më 13 dhjetor të 2012. Komisioni ka kohë për t’i raportuar Këshillit mbi ecurinë dhe zbatimin e këtyre tre kushteve deri në fund të nëntorit. Afatet janë shumë të ngushta. Diçka më shumë se një muaj, për vetë faktin sepse mbledhja në të cilën komisioni paraprakisht përgatit raportin është diku rreth datës 28 Nëntor”, - tha Kalaja në një prononcim për “Albanian Screen”. 

Marrja e statusit të vendit kandidat përveçse i hap rrugë ëndrrës evropiane sjell edhe të mira financiare për qytetarët. Sipas Kalasë, marrja e statusit do të sjellë dyfishime të fondeve për vitet e ardhshme. “Në perspektivën e re financiare, që bëhet fjalë për vitin 2014- 2020 për paketën e re pritet të kemi rritje të fondeve. Në paketën e mëparshme ka qenë një rregull matematikor nëse mund ta them që për vendet që kanë statusin ka një dyfishim fondesh në krahasim me vendet të cilat nuk e kanë statusin”, - tha Kalaja.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›