E Diel, 1 Nëntor 2026

Statusi, Reeker: Ja tre detyrat që duhet të plotësojë politika

Ndërsa ka përfunduar vizitën e tij disaditore në Shqipëri, Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit Philip Reeker ka përcaktuar edhe detyrat që duhet të plotësojë klasa politike shqiptare përpara publikimit të progres raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë.
 

Pas takimit me kreun e PS-së Edi Rama, Reeker ka deklaruar se realizimi i reformës parlamentare, miratimit të ligjit për Gjykatën e Lartë dhe heqja e imunitetit do të ishin që hap i rëndësishëm për marrjen e statusit kandidat për Shqipërinë.

"Javët e ardhshme janë të rëndësishme dhe kritike për Shqipërinë në të demostruarit e reformave dhe seriozitetin e qëllimeve që shkojnë përtej politikës e që pasqyrtojnë interesin më të mirë dhe dëshirat e popullit shqiptar. Parlamenti ka në fuqinë e tij që të ndikojë në raport progresin e Komisionit Europian. Ne besojmë se gjetja e dakordësisë për reformën parlamentare, kalimin e ligjit për Gjykatën e Lartë dhe votimi për ndryshimet kushtetuese dhe imunitetet janë të arritshme dhe do të jenë hapa të rëndësishëm për Shqipërinë” tha Reeker.

Zyrtari i lartë amerikan gjithashtu ka theksuar se Ëashingtoni do të ketë në vëmendje zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri ndërsa shtoi se me rëndësi është edhe konsolidimi i institucioneve demokratike. “Do të ndjekim nga afër zhvillimet këtu. Shpresojmë të shohim përparim të reformave dhe zgjedhjet e ardhshme të zhvillohen në mënyrë demokratike. Gjithashtu ka shprehur edhe për rëndësinë e insitucioneve demokratike” shtoi Reeker.
 

Nga ana e tij, kreu socialist e vlerësoi shumë vizitën e gjatë të zyrtarit të lartë amerikan në Shqipëri, që sipas tij, është dëshmi e vëmendjes dhe miqësisë që lidh popujt dhe vendet tona.

“Ishte një kënqa të mirëprisnim një përfaqësues nga Departamenti i shtetit, por sot ishte kënaqësi e dyfishtë sepse zoti Riker e viziton Shqipërinë në një mision pune, në detyrën e tij të re për herë të parë dhe i dedikon vendit tonë një vizitë të gjatë, gjë që ne e çmojmë shumë si shprehje të vëmendjes, të respektit dhe të miqësië që lidh popujt dhe vendet tona. Ishte një rast i shkëlqyer për të konfirmuar bazën shumë solide të partneritetit dhe po ashtu edhe qëllimet e përbashkëta për prespektivën e vendit dhe të rajonit lidhur me familjen europiane dhe me botën demokratike” theksoi Rama.
 

Rama tha se në qendër të diskutimeve të tyre ka qenë situata e fundit në Shqipëri, çështje të rajonit si dhe marrëdhëniet mes dy vendeve. “Pa asnjë dyshim duke u fokusuar tek prespektiva europiane e vendit shkëmbyen shqetësime dhe idetë lidhur me përshpejtimin e progresit të vendit qoftë në drejtim të familjes europiane, qoftë në drejtim të standarteve europiane që do ta bëjë Shqipërinë si një shtet me institucione të forta dhe të pavarura dhe me një parlament që të përfaqësojë shqiptarët dhe të jetë brenda standarteve që e kanë karakterizojnë parlamentin në familjen europiane” shtoi Rama.

Ndërkohë gjatë vizitë së tij në Shqipëri, Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit Philip Reeker ka zhvilluar takime me presidentin e vendit Bujar Nishani, me kryeministrin Sali Berisha, me ministrin e jashtëm Edmond Panariti, me ministrin e brendshëm dhe të ekonomisë Flamur Noka dhe Edmond Haxhinasto, me kryeprokuroren Ina Rama si dhe me krerët dhe përfaqësuesit e partive politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›