Statusi i minatorit, LSI-ja propozon dyfishin e pagës minimale
Eljona Ballhysa
Komisioni Parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese pritet të diskutojë në mbledhjen e ardhshme projektligjin e propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim për përcaktimin e statusit të minatorit. Ky draft parashikon dyfishimin e pagës minimale për minatorët dhe përfitimin e shtesave për vjetërsi pune. Në projekt parashikohet përfitim i pensionit shtesë mbi pensionin bazë, si dhe uljen e moshës për të dalë në pension. Pak kohë më parë qeveria miratoi rritjen e moshës për daljen në pension të minatorëve nga 50 në 65 vjeç, ndërsa LSI-ja parashikon që maksimumi i daljes në pension për këtë shtresë të jetë mosha 57 vjeç. Ky projekt pritet të diskutohet në një periudhë kur shoqatat e minatorëve kanë deklaruar se do t’u rikthehen sërish protestave për vendosjen e statusit të tyre. Pritet që ky draft të sjellë debate midis opozitës dhe qeverisë, pasi qeveria pretendon se nuk e përballon dot koston e zbatimit të këtij ligji.
Përfitimi
Bazuar në projektin e propozuar nga deputetët e LSI-së, statusin e minatorit e përfiton çdo shtetas, shqiptar apo i huaj, me banim të përhershëm apo të përkohshëm në Shqipëri, që nga dita që fillon të punojë në minierë, nën tokë ose në profesione të tjera të vështira. Minatorët e humbasin statusin vetëm kur vdesin ose kur dënohen me vendim të formës së prerë nga gjykata. Minatorit i njihet si vjetërsi pune koha e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak, koha e ndërprerjes së punës për shkak të një vendimi të deklaruar si të padrejtë me vendim gjykate, si dhe koha e plotë e vuajtjes së dënimit, internimit për arsye politike. Në bazë të projektligjit, për llogaritjen e vjetërsisë së punës, një vit punë në minierë nën tokë duhet të llogaritet si 2 vite pune. Minatorëve dhe familjarëve të tyre u sigurohen përfitime shtesë mbi ato që përcaktohen në ligjin për sigurimet shoqërore, për paaftësi të përkohshme në punë, parandalim për sëmundje, pagesë kalimtare kur ndërpresin punën për shkaqe që nuk varen prej tyre, pension të parakohshëm për vjetërsi në punë, pension shtesë mbi pensionin e pleqërisë, pension shtesë invaliditeti, pension shtesë për minatorët që për shkak të punës bëhen plotësisht në paaftë, apo për ata që humbasin jetën, pension shtesë familjar, si dhe pension shtesë në rast vdekjeje.
Pagat dhe shtesat
Sipas draftit të propozuar nga LSI-ja, paga bazë minimale pa shtesat për minatorët në asnjë rast nuk mund të jetë më e vogël se sa 165% e pagës në profesionet e zakonshme. Po kështu, minatorëve u jepet kompensim për ushqimin dhe u jepet falas veshja e punës. Minatori gjithashtu përfiton pagën dhe kompensimet përkatëse për kualifikimet dhe kurset e ndryshme që kanë lidhje me profesionin. Drafti parashikon se minatori që ndërpret punën për shkaqe që nuk varen prej tij dhe që ka mbi 12 muaj punë nën tokë merr shpërblim në masën e dy pagave të muajit të fundit kalendarik si shpërblim të menjëhershëm. Kur minatori ndërpret punën si rezultat i një gjymtimi fizik apo mendor, duke humbur në këtë mënyrë aftësinë për punë, përfiton pension në masën 100% të pagës mujore. Kur mbush moshën 50 vjeç dhe plotëson vjetërsinë e punës 10 vjet nën tokë, minatori përfiton në të njëjtën kohë pension të plotë pleqërie dhe pensione shtesë pleqërie. Pensioni shtesë i pleqërisë do të llogaritet në masën 54% të pensionit të plotë të pleqërisë, kur minatori ka 10 vjet vjetërsi. Për çdo vit tjetër vjetërsie në punë mbi 10 vjet, masa e pensionit shtesë shtohet me 2% të pensionit të plotë të pleqërisë. Për vjetërsi në punë jo më pak se 8 vite, masa e pensionit shtesë llogaritet me 30% e pensionit të plotë të pleqërisë. Në projektin e propozuar nga LSI-ja parashikohet që shteti të japë bursë të plotë për fëmijët e minatorëve që ndjekin studimet e larta, si dhe të japë pension për gruan e ve të minatorit që humb jetën në punë. Po kështu parashikohet ndihmë financiare në rast se një pjesëtar i familjes është i sëmurë, si dhe ndihmë në rastin e marrjes së kredive për arsye strehimi.
5 Shtator 2008