E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka: “Berisha të mbledhë tryezën e kryetarëve për Kodin Zgjedhor”



Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka bërë thirrje dje që kryeministri Berisha të mbledhë tryezën e kryetarëve të partive aleate për të diskutuar rreth ndryshimeve të Kodit Zgjedhor. Gjatë një konference për shtyp Ndoka u shpreh se maxhoranca ka përgjegjësi morale për të miratuar ndryshimet në kod, në mënyrë që të garantojë zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Si pjesë e rëndësishme e kësaj maxhorance, PDK-ja kërkon që të mblidhet menjëherë tryeza e kryetarëve të partive të koalicionit të djathtë, ku të diskutohen dhe të unifikohen të gjitha qëndrimet e partive pjesëmarrëse në këtë koalicion dhe me një bashkëpunim konstruktiv me opozitën të arrijmë të miratojmë ligjin zgjedhor para mesit të tetorit, ku pritet të publikohet edhe raporti i Bashkimit Europian për Shqipërinë. Maxhoranca ka përgjegjësinë kryesore dhe është një detyrim i saj kushtetues që të hartojë dhe të miratojë një ligj zgjedhor që garanton zgjedhje të lira dhe të shprehë vullnetin politik të qytetarëve”, - është shprehur kreu i PDK-së, Ndoka. Megjithatë, ai deklaroi se situata aktuale nuk është shpresëdhënëse për miratimin e një kodi zgjedhor të pranuar nga të gjithë.
“PDK-ja e shikon me pikëpyetje përkushtimin e forcave politike kryesore për reformën zgjedhore. Një reformë duhet të garantojë standardet në zgjedhjet e ardhshme në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Europian. Për fat të keq, nga zhvillimet e deritanishme, PDK-ja konstaton se procesi i reformës është kthyer në një rreth vicioz, çka mund të çojë në miratimin e një ligji të deformuar, që dëmton rëndë pluralizmin politik, cenon lirinë e qytetarëve dhe konkurrimin e lirë të forcave politike”, - është shprehur Ndoka.

5 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›