Statusi i ushtarakut, si ushtri e kuqe kundër zgjedhjeve

Rama ka urdhëruar sjelljen e komisionerëve të PS, si falanga ushtarake para parlamentit, në mënyrë që të formalizohen si një ushtri e kuqe që kundërshton zgjedhjet. Rrethimi i institucioneve synon rrënimin e dialogut dhe është një përgjigje për ndërkombëtarët, se Edi Rama s’pranon kurrfarë votimi të lirë, pasi ai do ta nxirrte përfundimisht në pension politik
Nuk ka më shpresa se brenda 2010, Edi Rama do të tentojë t’i përgjigjet apelit të ndërkombëtarëve, për arritjen e një kompromisi në favor të vendit, i cili do të shohë nga 8 maji i zgjedhjeve të ardhshme dhe jo nga 28 qershori i së kaluarës. Pikërisht 8 majit i druhet shumë Edvini, prandaj edhe axhenda politike e ditës së sotme është e përqendruar tek praktikat revolucionare, të cilat do të bëjnë çmos për ta shtyrë 8 majin, jo si datë kalendarike, por si datë e caktuar për mbajtjen e zgjedhjeve vendore. Edvini s’duron dot të humbasë kreditet që i vijnë si kryetar me korrespondencë i bashkisë së Tiranës, prandaj edhe sot e ka kaluar protestën antizgjedhje në një fazë më të lartë, në atë të angazhimit politik për pamundësimin e mbajtjes së tyre. Ndërkohë që të gjitha mediat pranë tij kishin marrë urdhër për të përhapur panikun, se pa vullnetin e Edvinit s’ka për të pasur kurrfarë procesi zgjedhor, komisionerët e tij, ata që në mënyrë të verbër e ndjekin në vendimet politike, është marrë vendim që sot të shfaqen siç janë në të vërtetë, në një establishment revolucionar, i cili do të tentojë të marrë peng institucionet. Ish-ushtarakët nuk do të kenë më nevojë të luajnë parodinë e komisionerëve që numërojnë votat, por do të rrethojnë parlamentin, si një ushtri e kuqe, e cila ka vetëm një mision, të pamundësojë reformën dhe mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme vendore. Është 8 maji tmerri i radhës i kreut të PS, prandaj edhe falangat më të egra e më besnike të nomenklaturës komuniste janë thirrur për këtë eksperiment të mbramë të eksportimit të dhunës revolucionare kundër institucioneve të shtetit demokratik. Për këtë rrethim të institucionit të parlamentit, PS ka sjellë si alibi një mishelë të tërë të dështimeve të saj politike, duke nisur që nga akti normativ për pensionet e ushtarakëve, për të vijuar tek bllokimi i institucioneve të drejtësisë e për të përfunduar me komisionin hetimor për 28 qershorin, si apogjeun e skemës që s’dëshiron assesi zgjedhje të lira me 8 maj. Zyrtarisht njoftohet se Partia Socialiste do marrë pjesë sot në seancë plenare, ku dhe ka paralajmëruar një debat me mazhorancën, ku pikënisjet e diskutimit pritet të jenë hetimi i zgjedhjeve dhe mocioni i debatit me kryetaren e Kuvendit. Edhe pse s’dihet ende nëse PS do u përmbahet kushteve të debatit dhe rregullores së Kuvendit, pasi zakonisht jemi mësuar ta shohim në Kuvend vetëm 60 minuta, kryesisht gjatë debatit të lirë dhe më pas ka zgjedhur rrugën e bojkotit, duke dalë nga seanca në mënyrë të pajustifikueshme, dita e sotme dhe seanca maratonë, mund të shërbejë si një tregues për maturinë e opozitës dhe Partisë Socialiste në këtë prag fundviti. Deklaratat e djeshme emocionale të Toç-it të Edvinit (deputetit opozitar Fatmir Toçi), për debat të ashpër dhe të pakontrolluar, janë sa të pabesueshme, aq edhe indicie të dëshpërimit të ligjvënësve të etur për debat dhe diskutim në Kuvend, pas raporteve të kushtëzuara që PS ka ushtruar me tempullin e demokracisë, Parlamentin.
...