E Diel, 1 Nëntor 2026

Thagma e raporterit të KiE, Marty: Kam të drejtë të trilloj dhe shpif sepse kam imunitet dhe s’mund të më padisni

23-12-2010 / Gazeta 55

- Beogradi fsheh përgjegjësit e krimeve- ende asnjë gjurmë për fatin e 1800 shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës në Kosovë

Deputeti zviceran dhe një prej raportuesve të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, Dick Marty, ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën serbe, “Veçernje Novosti” se atij s’mund t’i vihet askush në ballë të fushatës së shpifjeve dhe trillimeve të zeza, ndaj eksponentëve të UÇK-së. Ai deklaron se kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi bën mirë të tërheqë padinë pasi denoncimi nuk do të thotë asgjë, porsa kohë raportuesit e KiE, kanë imunitet. “Thaçi e di mirë që raportuesit e Këshillit të Evropës kanë imunitet dhe ngritja e padisë në këtë rast nuk do të thotë asgjë”- ka thënë Marti në një intervistë për gazetën serbe “Veçernje Novosti”. Në këtë mënyrë, akuzuesi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për trafik organesh, ka shpërfillur dhe është treguar mjaft indiferent ndaj qëndrimit të palës kosovare për raportin e tij. “Është lehtë të padisësh dikë, është e domosdoshme para se gjithash, që të ndërmerren të gjitha hapat, për të parë se çka do të ndodhë”, ka thënë raportuesi i Këshillit i të Evropës. Ai ka deklaruar se këtë çështje duhet ta ndjekin organet përgjegjëse në Kosovë, Serbi si dhe ato ndërkombëtare.
Kosova dhe Shqipëria, e cila po ashtu është apostrofuar në raport, kanë kërkuar nga drejtësia ndërkombëtare, që të fillojë hetimet në të dy vendet, duke hedhur poshtë në të njëjtën kohë pretendimet se në territoret e tyre është zhvilluar tregti me organe njerëzore. Ndërsa, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se do ta padisë Martin për shpifje.

Ende asnjë gjurmë për fatin e 1800 shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës në Kosovë

“Evropa e Lirë”

Fati i mbi 1800 personave të pagjetur vazhdon të jetë i paqartë edhe 11 vjet pas luftës në Kosovë. Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur vlerëson se procesi për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, gjatë vitit 2010 nuk ishte në dinamikën çfarë do të duhej të ishte. Megjithatë, Prenk Gjetaj, kryetar i këtij komisioni, thotë se kjo çështje vazhdon të jetë një brengë, si për familjarët, ashtu edhe për institucionet e Kosovës. “Gjatë këtij viti janë zhvilluar shumë aktivitete në shumë drejtime. Fillimisht ka qenë çështja e zgjidhjes së problemit të mbetjeve mortore, që në të vërtetë ka shënuar një përparim të vogël me identifikime të reja, pastaj si angazhim dhe aktivitete kanë qenë hulumtimet dhe gjetjet”, thotë Gjetaj. Nga ana tjetër, organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe asociacionet e familjarëve të të zhdukurve, kritikojnë institucionet se nuk po ndërmarrin hapa konkretë drejt zbardhjes së fatit të mbi 1800 personave të pagjetur. Haki Kasumi thotë për Radion Evropa e Lirë se Plani i Veprimit, i miratuar në fillim të këtij viti nuk është zbatuar. “Qeveritë e Kosovës vazhdimisht po e parashtrojnë çështjen e të pagjeturve si çështje me prioritet, por ashtu nuk ka dalë në të vërtetë dhe Plani i Veprimit që është miratuar në fillim të vitit që po e lëmë pas, nuk është realizuar. Ne do të insistojmë që të bëhet shumë më tepër, ngase me këtë ritëm të punës, unë konsideroj se duhen, jo vite, po dekada në zgjidhjen e rasteve”, deklaron Kasumi. Kasumi, gjithashtu, thotë se çështja e personave të pagjetur  nuk ka ndryshuar vite me radhë. Sipas tij, autoritetet e vendit nuk i kanë shfrytëzuar të gjithë mekanizmat për këtë çështje. “Nuk është shfrytëzuar i gjithë potenciali dhe mundësitë, për këtë arsye mungojnë edhe rezultatet dhe gjendja vazhdimisht është duke u përkeqësuar”, thekson Kosumi. Ndërkaq, lidhur me kritikat e familjarëve, zoti Gjetaj thotë se ata (familjarët) kanë të drejtë të dinë për fatin e më të dashurve të tyre, por kjo çështje, sipas tij, është e komplikuar. Normalisht, që vështirësitë janë të mëdha për faktin që gjurmët e krimeve në shumë vende janë fshehur. “Ne kemi bërë të gjitha të mundurat dhe po përpiqemi të bëjmë po ashtu gjithçka për kërkesat e familjarëve. Dhe, jo vetëm të familjarëve, po edhe kërkesat tona janë që të arrijmë në ndriçimin e fatit të personave të pagjetur. Normalisht, që vështirësitë janë të mëdha për faktin që gjurmët e krimeve në shumë vende janë fshehur”, shprehet Gjetaj. Nga drejtuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, thonë se do të thellohet edhe bashkëpunimi me EULEX-in, Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe partnerët e tjerë, me qëllim që të përshpejtojnë edhe identifikimin e më shumë se 400 mbetjeve mortore.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›