E Diel, 1 Nëntor 2026

Andis Harasani: Përjashtimi im? PS-ja po shkon drejt praktikave të PPSh-së

Deputeti socialist Andis Harasani i jep përgjigje kritikave për rolin e tij përballë PS-së si dhe komenton zhvillimet e pritshme në Kongresin e nëntorit. “Zoti Rama lëviz brenda të njëjtit pellg me ujë të ndenjur, duke bërë herë armik miqtë dhe herë miq armiqtë. Unë besoj se PS-ja nuk është Partia e vjetër e Punës, ku problemet dhe armiqtë e radhës kritikoheshin në salla të mbyllura, ku të gjithë prisnin sesi do të rrudhte vetullat diktatori”

Paralajmërimin për përjashtimin e deputetëve kritikë nga PS-ja në Kongresin e nëntorit, Andis Harasani e komenton me fjalët: “Ky do të ishte turpi i PS-së në periudhën që drejtoi Rama”. Në një intervistë të dhënë për një media të huaj, deputeti socialist sqaron pse ka zgjedhur rrugën e kritikave publike, në vend të fjalimeve në salla të mbyllura; mbron qëndrimin e tij kundër bojkotit të Kuvendit dhe komenton zhvillimet e pritshme në PS, në Kongresin e nëntorit.

Zoti Harasani, jeni etiketuar si të "përjashtuarit e mëdhenj" bashkë me zotin Islami, për shkak të rolit kritik apo ndoshta pak destruktiv që keni luajtur për PS-në. Cili është vlerësimi juaj për performancën aktuale të PS-së?

Pyetja shumë interesante, etiketimet të çudishme, por më vjen keq t’u them edhe me shumë pasaktësi. Sinqerisht që duket sikur ju e godisni Ramën me këto etiketime, sikur të ishte “stalinist apo nazist”, sepse vetëm me kohën e tyre kishte të “përjashtuar të mëdhenj” kurse sot, në asnjë vend të BE apo aspirant për në BE nuk mund të të përjashtohet nga partia deputeti, sepse ai është kundër bojkotit të parlamentit dhe sepse kërkon të miratohen ligjet për integrimin e vendit te tij në BE. Më gjej një rast të tillë? Jam i sigurtë që nuk mund të gjeni një vend dhe lider të tillë në botën demokratike, por njëkohësisht ju falenderoj se indirekt si të tillë keni gjetur vetëm Ramën në Shqipëri. Kjo që bëni ju për Ramën është shumë e rëndë, unë deri këtu nuk mundem t’u shoqëroj. Edhe në një kuptim tjetër le të themi se nuk e nisëm me këmbë të mbarë këtë intervistë sepse më duhet t´ju pyes unë se çfarë kuptoni ju me fjalën “destruktiv”. Më saktë, më duhet më pas t´ju pyes për të kundërtën, çfarë kuptoni me fjalën jetër, “konstruktiv”. Së pari unë ju pyes “ a është konstruktiv bojkoti në një vend të NATO dhe për më tepër që ai është kritikuar rëndë nga përfaqësuesit më të lartë të SHBA dhe BE si dhe të Këshillit të Europës..”? Shpresoj të mos më thoni edhe ju si Rama që bojkoti është mjet konstruktiv dhe ja arriti qëllimit, sepse pastaj do të dukeshit jo serioz kur të thonit që një mjet konstruktiv dhe i suksesshëm duhet ndërprerë. Së dyti “a është veprim destruktiv që deputeti të refuzojë të zbatojë një veprim destruktiv, pra të shkojë në kuvend ku e detyron Kushtetuta dhe të mos zbatojë vendimin për bojkotin e kuvendit…”. Do të isha shumë i lumtur ta pohonit një gjë të tillë dhe unë do të kisha dëshiruar ta quaja të tillë, por për shkak të natyrës sime konstruktive dhe përgjegjshmërisë së lartë për të ruajtur imazhin e PS kam duruar dy vjet dhe nuk jam treguar siç thoni ju “destruktiv” për të shkatërruar bojkotin e Ramës. Unë, po ashtu si Kantrimen apo Lajçak që e kanë konsideruar të gabuar bojkotin, vetëm e kam këshilluar Ramën ta ndërpresë atë për të mirën e PS dhe për të mirën e tij. Nëse kjo quhet destruktive nga ana juaj, unë përsëri me tolerancë do ta pranoja. E them një gjë të tillë sepse çdo hap politik që kam hedhur, çdo lëvizje apo deklaratë, qoftë në forumet e partisë sime, qoftë në media, madje edhe në jetën time të përditshme dhe personale, kanë qenë të shtyra nga dëshira ime për të ndihmuar Ramën të largohet nga rruga destruktive e bojkotit dhe rrjedhojë e një shqetësimi konstant sesi mund të vijë PS-ja në pushtet. Sigurisht jo për marrjen e pushtetit si qëllim në vetvete, por si një shërbesë të ndryshme dhe më të mirë që partia ime do të mund t´i garantonte Shqipërisë. Kaq! Në llogari të fundit, a dini kush rezulton më së fundmi më destruktivi ndaj bojkotit (kështu e clësojnë ata që mbështesnin dhe e nxisnin Ramën dje për bojkotin dhe Rama i ka këshilltarë sot për veprime radikale dhe për filozofinë e përjashtimeve) vetë Rama sepse Rama vetë, frymëzuesi i këtyre lëvizjeve, tashmë e ka pranuar dhe vetë se ka gabuar me ndryshimet e kushtetutës dhe me bojkotin. Në fakt Rama nuk e ka pranuar por është detyruar të reflektojë ndaj “shuplakave” të ndërkombëtarëve dhe mesazhit që i dhanë votuesit politikës së tij radikale në Tiranë në 11 minibashkitë dhe këshillin bashkiak por edhe nga votat në shkallë kombëtare me rreth 140 mijë më pak sesa aleanca qeveritare. Mendoj se shpejt do të kuptojë edhe se ka gabuar kur mori në dorë PS-në dhe se po gabon kur po e drejton atë.

Ju vazhdoni të mbani pozicionin e sekretarit për programin politik të PS-së. A keni kontribuar ju në fushatën e PS-së për zgjedhjet lokale?

Po ju përgjigjem në fillim me dy pyetje: 1) Përse Rama nuk e ka mbledhur sekretariatin asnjëherë institucionalisht, pra nuk ka zhvilluar asnjëherë me asnjë nga shtatë sekretarët mbledhje zyrtare, siç e parashikon statuti që nga data 28 qershor 2009 dhe 2) Përse Rama nuk hartoi edhe me strukturën paralele që krijoi, një program për zgjedhjet vendore? Lexo intervistën e tij në vitin 2005, sesi i drejtohet Nanos për të marrë përgjigjen e këtyre dy pyetjeve: “...përgjegjësi për humbjen ka vetëm kryetari i partisë, kurse fitorja bashkëndahet me ekipin”” ... kështu ka thënë shoku Rama më 2005 e ç’t’ju them unë juve dje më 2009 dhe sot më 2011? Por, meqë ju kërkoni një përgjigje nga unë, po ju drejtohem me pak humor: Në momentin kur do të zbulohej një njësi matjeje, ndonjë si punë peshoreje që do të peshonte kontributin në politikë, do t´ju flisja dhe për kilogramët e kontributit si shifër. Edhe në politikë, në mungesë të kësaj peshoreje, ka një kriter i cili ka të bëjë me krahasimin dhe për t´iu mbajtur krahasimit, po ju them se kontributi im është shumë më i madh se ai që më është kërkuar dhe shumë më i vogël se ai që mund ta ofroja realisht. Ka mbi dy vjet që kam dhënë dorëheqjen nga ajo detyrë, për shkak se nuk mund të punoja me stilin kaotik të zotit Rama. Do të isha kureshtar sot të dija se cili është produkti që prodhoi partia ime, në programin e saj, si më 2009-ën, kur humbëm zgjedhjet, si tani kur nuk mundëm t´i fitojmë ato.

Ju jeni ndër figurat që keni kritikuar në publik, madje edhe në rrjetet sociale, kryetarin e PS-së, zotin Rama. Gjatë diskutimeve brenda strukturave të partisë, si i ka pritur lidershipi i PS -së këto kritika dhe në mënyrë të veçantë zoti Rama?

Së pari, a e keni parë se çfarë ndodh në PS? Sekretariati nuk funksionon; FRESSH nuk funksionon, organizata e grave nuk funksionon, kryesia nuk funksionon, asambleja është formale: flet vetëm Rama me televizor dhe pastaj nuk merret vesh se ndodh brenda saj dhe gjatë dy viteve është marrë vetëm një vendim, të bojkotohet Kuvendi dhe ky i paqartë, sepse herë i lihej një grupi pune, herë kryesisë, herë nisej për në kongres e pastaj përsëri mbrapsht. Unë besoj se PS-ja nuk është Partia e vjetër e Punës, ku problemet dhe armiqtë e radhës kritikoheshin në salla të mbyllura, ku nuk pipëtinte njeri dhe ku të gjithë prisnin sesi do të rrudhte vetullat diktatori, që pastaj ata të linçonin viktimën e radhës për të pritur që të bëheshin dhe ata vetë viktimat e radhës dhe ku më aktivët dhe më të zellshmit do të ishin “udhëheqësit e rinj nga klasa punëtore që do të drejtonin pyetje të vështira dhe me batutat e tyre do të bënin të qeshte pak diktatori i shqetësuar shumë për gjendjen...” Nuk besoj në ato lloj sallash të mbyllura, ku mund të dëgjohet zëri, por nuk dalloheshin fytyrat që i mbulonte tymi i cigareve DS, siç ka qenë dikur, sepse jam ngritur kundër tyre që më 1991 dhe i jam bashkuar PS-së se më është dukur që po i largohej asaj tradite. Nuk besoj se vetëm ndryshimi i DS-ve me puro dhe kthimi në disiplinën e hekurt, që shitet për më tepër si praktikë perëndimore në Greqi apo Itali, është shenjë e emancipimit të partisë. Është e kundërta. PS-ja është parti e shqiptarëve dhe unë flas për ta, sepse për ta nuk mund të flasë vetëm Rama dhe unë të flas me dyer të mbyllura me Ramën, apo t’i servilosem duke i folur në vesh atij. Janë mbi 700 mijë vota të majta, është, besoj, shumica e qytetarëve të Shqipërisë, ndaj të cilëve unë kam kontributin tim, pra kam edhe detyrimin t’i flas dhe t’i dëgjoj. Nuk kam detyrim të flas që të më dëgjojnë vetëm emërime të kryera nga kopshti 99.

Në një koment tuajin të fundit shkruhej tekstualisht "Kërkohet një vulëhumbur, më lajmëroni nëse e gjeni, ju lutem". A do të jetë më e vështirë tani, pas zhvillimeve për Bashkinë e Tiranës, për ta gjetur këtë vulëhumbur?

Më kanë lajmëruar që është gjendur vula, kurse për vulëhumburin nuk interesohet më askush. Ndoshta as ai vetë për veten e tij. Në Shqipëri ky muhabeti i vulës është muhabet i vjetër, që nuk ka shanse që të mbyllet shpejt njëherë për njëherë.

Zoti Rama ka bërë publik tashmë kursin e ri, që pritet të materializohet në shtator, ndërkohë që brenda PS-së ka zëra që i sugjerojnë atij një linjë më radikale, në marrëdhëniet me mazhorancën...

Zoti Rama lëviz brenda të njëjtit pellg me ujë të ndenjur, duke bërë herë armik miqtë dhe herë miq armiqtë. E bën një gjë të tillë jo aq në varësi të humorit, sesa e bën në varësi të interesit të vogël të çastit, por që në afatgjatë ka dalë dhe vazhdon të dalë me humbje. Shikoni, në politikë, një vezë e përkohshme është shumë më pak sesa një pulë që duhet rritur me kujdes. Kështu është dhe në jetë, por në PS e sotme, janë të gatshëm të ngrohin çdo lloj veze, sepse e trajtojnë pushtetin si pulë dhe kryetarin si pronarin e saj.

Gjatë muajve të fundit ju keni thyer bojkotin e PS-së në Kuvend. A ju bën kjo një deputet të pavarur?

Së pari, jam shumë krenar që PS-ja dhe Rama arritën të bënin më së fundi atë që unë dhe disa kolegë të mi i kemi sugjeruar prej dy vjetësh, dhe bile edhe kemi aplikuar gjatë kohëve të fundit, pra të vijnë dhe të bëjnë opozitë në Kuvend, sepse opozita institucionale bëhet vetëm në Kuvend. Së dyti, në qoftë se PS-ja vendos të mos marrë pjesë në Kuvend, mendoni se ajo do të përfaqësojë opozitën? Unë them jo. Jam kundër bojkotit, sepse PS-ja jashtë Kuvendit dhe pa ndërtuar një alternativë që konkurron në Kuvend nuk do të mund të fitojë duke pritur vetëm që PD-ja të humbasë. Mendoj se shqiptarët e votuan PS-në të bëjë opozitë dhe jo që të ruajë karrigen e kryetarit të bashkisë apo që zoti Rama të bëhet Kryeministër. Shqiptarët kanë votuar për PS-në për disa arsye, sepse shpresojnë që me ardhjen e saj në pushtet vendi qeveriset më mirë, sepse mendojnë se Berisha ka qeverisur keq, sepse i besojnë njerëzve të saj e të tjera e të tjera. Ndaj në veprimin tim unë thjesht i bindem këtij vullneti qytetar që më çoi në Kuvend dhe jo vullneteve individuale që kundërshtojnë pritshmëritë e qytetarëve.

Zoti Harasani, Rama nuk ka qenë ndër aktorët kryesorë të partisë kur socialistët humbën pushtetin në vitin 2005, apo kur prej saj u shkëputën ata që krijuan LSI-në? A do të thotë kjo se problemet e vërteta në PS janë më të thella se kryetari Rama?

Për hir të së vërtetës, një nga shtytësit më të fortë për ndarjen e PS-së me LSI-në edhe më 2003 dhe më 2005 ka qenë vetë zoti Rama. Ai ka qenë gjithashtu dora e fshehtë që hidhte vezë dhe domate me markën “alla 99” mbi pushtetin e socialistëve dhe ato që hidheshin në shtyp nga i quajturi turi i veriut, që ai bëri në ato vite që Nano të humbte më 2005, sepse vetëm kështu mund Rama të vinte në krye të PS-së së bashku me disa nga mjaftistët e atëhershëm, të transformuar në G99-tësha më 2009 dhe që në kongresin më 2011 do të ngjiten në forumet drejtuese të PS-së.

Cili do të jetë pozicioni i zotit Harasani, nëse ju përjashtoheni "de juro" nga strukturat apo edhe nga anëtarësia në Partinë Socialiste?

Ky do të ishte turpi i PS-së në periudhën që drejtoi Rama. Kjo fatkeqësisht do të vërtetonte autoritarizmin e Ramës dhe regresin e PS-së drejt praktikave të PPSh-së. Nga ana tjetër, ky është detaji që më shqetëson më pak se çdo gjë tjetër. Këtu ndryshoj unë nga zoti Rama dhe shumë kolegë të tjerë. Për mua e rëndësishme është që PS-ja të kthehet në PS-në që duan socialistët dhe jo të vazhdojë të vegjetojë me vulën e përhershme të opozitës në xhep. Nuk e dua partinë time si një OJF, që vepron me orar zyrtar, tani është verë dhe do të bëjmë një muaj pushim, pastaj është vjeshtë dhe do të bëjmë pak bojkot, në dimër do bëjmë ca protesta dhe pastaj po vijnë zgjedhjet dhe të nxitojmë të bëjmë sikur bëjmë ndonjë punë apo ndonjë program. Lexova para disa ditësh një nga miqtë dhe socialistët më të devotshëm që njoh, që theksonte se PS-ja do të zgjedhë strukturat e saj drejtuese në kongresin e ardhshëm. Më habiti që ai vetë nuk shqetësohej për shkeljet e njëpasnjëshme të statutit dhe sidomos për faktin që këto struktura kanë kohë që kanë qenë inekzistente.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›