Kryeministri Berisha inauguron në Berat shkollën “Sali Gjuka”
Kryeministri Sali Berisha ishte sot i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të shkollës 9-vjeçare “Sali Gjuka”, në Urën Vajgurore, Berat. Ai deklaroi se investimet në arsim dhe përkujdesi financiar ndaj arsimtarëve është një proces në zhvillim.
Kryeministri garantoi përfundimin e të ndërtimit apo rindërtimit të të gjitha shkollave në vend, rritjen e mëtejshme të pagave në arsim, internet në çdo klasë dhe fokus të veçantë në rritjen e cilësisë.
Qeveria, tha Kryeministri, “ka përparësuar arsimin në programin e saj dhe në gjashtë vite janë ndërtuar e rindërtuar 71 përqind e të gjitha shkollave të vendit, ndërsa pagat e mësuesve janë rritur me 147 përqind, krahasuar me vitin 2005. Vetëm në qarkun e Beratit, në një periudhë gjashtë vjeçare, janë ndërtuar apo rindërtuara 70 shkolla”.
Pasi vizitoi ambientet e shkollës, Kryeministri Berisha e konsideroi inaugurimin e kësaj shkolle, investim me vlerë 67 milionë lekë dhe e standardeve bashkëkohore, me 23 klasa, 4 laboratorë dhe mjedise sportive, një tjetër dëshmi e vëmendjes që i është kushtuar modernizimit të infrastrukturës arsimore.
Kryeministri shprehu kënaqësinë që krahas dyfishimit të buxhetit në sektorin publik, në Shqipëri konsolidohet me shpejtësi kontributi i sektorit privat në fushën e arsimit, ku sot janë 540 institucione arsimore private. Sektori privat ka një kontribut të vyer në zhvillimin e arsimit në vend dhe, ndërsa buxheti për arsimin gjashtë vite më parë ishte rreth 25 miliardë lekë, sot, buxheti për arsimin në sektorin publik e privat është mbi 50 miliardë lekë.