E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sequi: Rezultatet e progres-raportit, në 10 tetor ora 19:30

03-10-2012 / Gazeta 55

Kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi u shpreh sot se përgjigjen e tij për progres - raportin e BE-së, për marrjen e statusit do ta japë më datën 10 tetor, ditë kur të bëhet publik edhe progres raporti i KE-së. Deklarata e ambasadorit Sequi është bërë pas përfundimit të takimit me kreun e PS-së Edi Rama ku ai u pyet nëse ka sinjale pozitive nga Brukseli për marrjen e statusit të kandidatit nga Shqipëria.
“Ju do të keni përgjigjen time vetëm në datën 10 tetor ku në orën 19:30 do të jem për të dhënë rezultatet e raportit”- theksoi Sequi.
Lidhur me takimin me kryesocialistin Rama, ambasadori Sequi sqaroi se ishte si zakonisht një takim i ngrohtë ndërsa u shpreh optimist për gjetjen e zgjidhjeve nga palët për çështjet kryesore.
“Ne diskutuam së bashku çështjet kryesore që kanë të bëjnë me integrimin e vendit në BE. Rama më informoi për çështjen e qarkut të Fier dhe shpresoj që një zgjidhje të gjendet së shpejti, jo vetëm për këtë por edhe për të tjerat”- tha ai.
Ambasadori Sequi nuk ka dashur as të komentojë një pjesë të raportit për vendin tonë publikuar nga agjencia e lajmeve ANSA, sipas të cilës vendi do e marrë statusin, por me një kusht.
 “Kam tre gjëra për të thënë; po është një agjensi e rëndësishme. Por të flasim teknikisht që unë nuk jam italian, pasi përfaqësoj BE, së dyti duhet ta dini që unë nuk e kam zakon të bëj komente për raporte të nxjerra nga agjensi të ndryshme lajmesh. Do jem i gatshëm të bëj komente në datën 10 tetor kur të dalë raporti i progresit”- tha më tej Ettore Sequi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›