E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statusi, trojka e ambasadorëve: Jemi të zhgënjyer

TIRANE- Pas dështimit të votimit të tri reformave të vendosura si kusht për integrimin, në seancën e së enjtes në Kuvend, diplomatët e huaj në Tiranë e cilësojnë zhgënjyes këtë proces. Në një prononcim për mediat, ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfart, deklaroi dje se konsensusi për ligjet e integrimit është i vështirë, por jo i pamundur. "Është zhgënjyese ajo që ndodhi në Parlament por ka ende kohë që këto ligje të miratohen. Ajo që tashmë kemi në tryezë është për të tashmen dhe të ardhmen. Ftoj politikën të marrë vendime për të mirën e qytetarëve", - apeloi Volfart.

BASHKIMI EUROPIAN
Ndërkohë po dje ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi, nga qyteti i Elbasanit i bëri sërish thirrje politikës shqiptare për dialog. Sipas tij dialogu ka vlera të mëdha. "Vetëm rruga e dialogut dhe e shtetit të së drejtës e çon Shqipërinë shumë shpejt në BE. Dikur të gjitha rrugët të çonin në Romë. Sot të gjitha rrugët të çojnë në Bruksel", - tha Sequi. Këtë deklaratë ai e bëri pak pasi mori pjesë në inagurimin e investimit të kryer në rrugën "Egnatia" që përshkohet përgjatë lagjes "Kala" të këtij qyteti. "Rruga 'Egnatia' na udhëheq drejt BE përmes Elbasanit. Kjo është një rrugë e rëndësishme që tregon historinë e një vendi. Elementi më i fortë i BE-së është që të ruajë të shkuarën për të ndërtuar të ardhmen. BE ka qenë dhe është gjithë i kujdesshëm për trashëgiminë, historinë e shqipërisë, si edhe ka investuar për ruajtjen e saj sikurse ka bërë edhe me Elbasanin", - u shpreh Sequi.

SHBA
Kurse ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu duke mos dashur të komentojë seancën parlamentare të dy ditëve më parë tha gjatë vizitës që zhvilloi dje në panairin librit në Tiranë se ka mjaft libra se si luftohet korrupsioni dhe si përmirësohet komunikimi. "Për herë të parë ne jemi pjesëmarrës me një tendë në këtë panair dhe jemi këtu për të festuar gjithashtu Javën e Arsimit Ndërkombëtar. Po përpiqemi të promovojmë më shumë studime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nëse prisni që të lëshoj një apel, nuk keni për ta marrë, por nëse doni informacion se si të përmirësoni komunikimin, se si të luftoni korrupsionin dhe si të pastroni tërë rrëmujrat, në këtë panair ka mjaftueshëm libra që do ju tregojnë se si të qeveriseni dhe se si mund të përmirësohet komunikimi", - deklaroi Arvizu.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›