E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statusin e bllokoi PS-ja, zgjedhësit do e ndëshkojnë me 23 qershor

29-12-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha, në pritjen e fundvitit për anëtarët e kabinetit e ka vlerësuar 2012-n si një vit të përpjekjeve të mëdha dhe të guximit të jashtëzakonshëm, çka mundësoi ruajtjen e ritmeve të rritjes ekonomike. “Falë reformave, vendi arriti të fitonte rekomandimin për statusin e vendit kandidat nga Komisioni Europian, por statusi nuk u mor për shkak të opozitës”

Kryeministri Sali Berisha organizoi dje një pritje koktej për anëtarët e kabinetit qeveritar, ministra, zëvendësministra, këshilltarë dhe pjesëtarë të stafit të kryeministrit, me rastin e festave të fundvitit. Në mjediset e vilës 31, kryeministri Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha, përcolli për bashkëpunëtorët dhe miqtë, si dhe për të gjithë qytetarët shqiptarë urimet më të përzemërta për një vit të ri, të mbarë dhe të suksesshëm në qeverisjen e vendit.
Kryeministri iu shprehu të pranishmëve dhe nëpërmjet tyre të gjithë punonjësve të administratës mirënjohjen dhe vlerësimin për punën e përkushtuar dhe mbështetjen dhënë qeverisë në përmbushjen me sukses të  detyrimeve të saj. Kreu i qeverisë bëri një bilanc të arritjeve më kryesore në disa sektorë të rëndësishëm duke konkluduar se viti që po mbyllet, ka dëshmuar progresin e pandërprerë të Shqipërisë në të gjitha fushat, si dhe suksesin e padiskutueshëm të reformave të ndërmarra në të gjithë jetën e vendit.
“Ky vit nuk ka qenë i lehtë dhe vitet në kohë krize globale dhe krize evropiane nuk mund të jenë vite të lehta. Por ky vit përsëri ka dëshmuar progresin e pandërprerë të Shqipërisë në të gjitha fushat. Ky vit ka dëshmuar suksesin e padiskutueshëm të reformave të ndërmarra në të gjithë jetën e vendit, në të gjitha fushat. Natyrisht, më së pari dhe për një vend të lirë, si për çdo vend të lirë, e para është ekonomia, sepse ajo lidhet më shumë se çdo gjë tjetër me mirëqenien e qytetarëve. Në këtë kontekst, ekonomia shqiptarë falë reformave të mëdha të ndërmarra, përsëri mbylli vitin me rritje të qartë ekonomike dhe nuk u gjunjëzua nga kriza”, u shpreh Berisha.
Duke u ndalur te treguesit zhvillimorë të vendit, kryeministri solli sërish në vëmendje raportin e fundit të një prej grupeve më serioze në botë të konsulencës, i cili paraqet se Shqipëria është në vendet e para në botë, për shndërrimin e pasurisë në mirëqenie.
Për kryeministrin Berisha, tërësia e reformave nuk mund të ketë qëllim më fisnik, sesa mirëqenia e qytetarëve.
“Por unë kam një lajm shumë të veçantë sot për ju dhe për mbarë shqiptarët. Në një studim, në një analizë e bërë nga një prej grupeve më serioze në botë të konsulencës, analizë e zhvillimit të 140 vendeve të planetit, tregon se ne kemi qenë persistentë në programin tonë të zemrës së dhimbsur dhe të fytyrës njerëzore. Sot është një kohë në të cilën e vërteta e pamohueshme është që vendet e pasura varfërohen, vende apo tregje emergjente shkojnë drejt mëkëmbjes së vazhdueshme. Në këtë proces tërësia e reformave nuk mund të ketë qëllim më fisnik, nuk mund të ketë qëllim më madhor se mirëqenia e qytetarëve. Ky grup ka nxjerrë dy koeficiente, koeficientin e shndërrimit të pasurisë në mirëqenie, koeficientin e shndërrimit të rritjes në mirëqenie. Njëra është pasuria ekzistuese, tjetra ajo që krijohet në rritje. Ky grup i Bostonit gjen se në përpjekjen e saj për të shndërruar pasurinë në mirëqenie Shqipëria renditet e 19-ta në planet. Ky grup analizon 51 treguesit më kryesorë të zhvillimit. Ky grup analizon këta tregues në të gjithë kohën, por kryesisht në pesë vitet e fundit. Në qoftë se Shqipëria shënon një pikavarazh prej 44.1 për qind e shtrirë në tërësinë e saj, në pesë vitet e fundit, Shqipëria ngjitet në 97. 8 për qind. Ka vetëm një vend në botë që merr pikë më shumë se Shqipëria në pesë vitet e fundit dhe ky është Brazili. Grupi të gjithë treguesit i analizon në një këndvështrim, këndvështrimi i rritjes së qëndrueshme ekonomike, i zhvillimit të qëndrueshëm. Ky jo vetëm gjen Shqipërinë një vend të orientuar tërësisht në rritjen ekonomike të qëndrueshme, por gjen Shqipërinë një nga katër vendet më të mira në botë për shndërrimin e rritjes në mirëqenie për qytetarët”, deklaroi kryeministri.
Të 51 treguesit e raportit të konsulencës veçojnë rritjen e të ardhurave, rritjen e pagave dhe pensioneve, përmirësimin e infrastrukturës, duke ndërtuar mbi 10 mijë kilometra rrugë. Përmirësime të ndjeshme raporti evidenton në fushën e arsimit dhe aksesi në shërbimin shëndetësor. “Unë mora disa nga treguesit, por këto janë 51 tregues, të cilët ky grup konsulence me statistikat që ka marrë nga institucionet më serioze ndërkombëtare në analizën e tij rendit Shqipërinë në shndërrimin e rritjes ekonomike, 5 vitet e fundit, në mirëqenie për qytetarët në katër vendet e para në botë, renditje në të cilat është Zvicra, Brazili, Zelanda e Re dhe Shqipëria. U ndala në këtë arritje sepse kjo përbën për ne, të cilët e kemi pasur qëllim më madhor, një arritje shumë të madhe. Ne mund të themi se në përpjekjen tonë që pasurinë dhe rritjen ta shndërrojmë në mirëqenie për qytetarët, ky përbën suksesin më të madh. Unë duke theksuar këtë jam i vetëdijshëm se në Shqipëri sot ka pak qytetarë që jetojnë në varfëri, jetojnë në skamje, janë të atakuar nga sëmundje, jetojnë në mjerim, por e vërteta është se nuk ka asgjë më shpresëdhënëse për këta qytetarë dhe shoqërinë shqiptare sesa ky zhvillim që Shqipërinë, e cila ishte tërësisht e pa llogaritur pak vite më parë ta renditin në krye të vendeve me shndërrimin më të lartë të rritjes ekonomike dhe pasurisë në mirëqenie për qytetarët e saj. Ç’ka do të thotë që programi ynë për vitin që vjen do të ketë përsëri këtë qëllim dhe vetëm këtë qëllim”, tha ai.
Kryeministri Berisha nënvizoi se falë reformave vendi arriti të fitonte rekomandimin për statusin e vendit kandidat nga Komisioni Europian, ndërsa akuzoi kreun e opozitës, Edi Rama, për bllokimin e procesit të integrimit të vendit, duke mos votuar ligjet e kërkuara në Parlament. Sipas Berishës, bllokimet e opozitës do të ndëshkohen me votë në zgjedhjet e ardhshme. “Këtë vit falë reformave të ndërmarra ne si qeveria ia dolëm të meritojmë rekomandimin për statusin e vendit kandidat nga Komisioni Europian, institucion ky që punon më ngushtësisht se kushdo tjetër me të gjitha ministritë dhe agjencitë e këtij vendi për shqyrtimin e kërkesave të tij. Statusi nuk u mor, sepse në mënyrën më të pamerituar për vendin kreu i opozitës vendos të mos votojë tre ligje në parlamentin shqiptar dhe nuk i jep mundësi vendit për të marrë statusin. Natyrisht kjo është një gjë shumë e rëndë, por, përsëri, demokracia është një proces për tu mësuar. Dhe ne duhet të kemi durim, duhet të kemi besim se në meritën e saj është se në mënyrë periodike i jepet mundësinë sovranit të japë verdiktin e vet. Ne shkojmë drejt zgjedhjeve dhe do të bëjmë gjithçka si qeveri për të bërë detyrat tona për një proces zgjedhor të lirë e dinjitoz për qytetarët shqiptarë. Unë jam i bindur se ata me votën e tyre do të votojnë për të ardhmen dhe do të rrëzojnë murin e bllokimit të rrugës së tyre evropiane. Reformat kanë përfshirë të gjitha fushat dhe kanë rezultatet  e tyre. Le ti hedhim  një sy sot tregjeve të vendit. Tregu ushqimor kurrë nuk ka qenë më i pasur, më i konsoliduar me prodhime vendi. Ne do të bëjmë gjithçka që të nxisim në çdo skaj të vendit, prodhimet bujqësore shqiptare në mënyrë që të përballohet në një mënyrë ose në një tjetër rritja  e këtyre çmimeve nga importet bujqësore”, deklaroi kryeministri Sali Berisha.
Me besimin se viti që vjen do të jetë më i mbarë dhe më i begatë për të gjithë shqiptarët, kryeministri premtoi se qeveria do të punojë pa u lodhur për të renditur Shqipërinë krahas vendeve të zhvilluara të Evropës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›