E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Tirana, pas disa dekadash ka më në fund planin e saj të zhvillimit urban”

29-12-2012 / Gazeta 55

Deklaratë publike e Kryetarit të Shoqatës “Tirana”, Arben Tafaj, në lidhje me Planin e Përgjithshëm Rregullues të Tiranës

Tirana, ka më në fund, pas disa dekadash, planin e saj të Zhvillimit Urban”, deklaroi dje në një prononcim për mediat, Arben Tafaj, Kryetar i Shoqatës Tirana, në lidhje me Planin e Përgjithshëm Rregullues të Tiranës. Ai theksoi se ky shënon një gur kilometrik në procesin e zhvillimit të Qytetit tonë. “Disa  muaj më parë, nga ana e Bashkisë Tiranë, u zhvillua një proces i hapur i dëgjesave publike me frekuentim të lirë për parashtrimin e Planit Të Ri Urbanistik dhe tërheqjen e mendimeve të qytetarëve. Vumë re se ky ishte një proces debati i hapur ku jo vetëm që pati interes nga ana e qytetarëve por edhe oponencë e polemika midis përfaqësuesve të Bashkisë Tiranë, Grupit të Punës për Hartimin e Planit Rregullues dhe qytetarëve të interesuar. Duke qenë edhe ne pjesë e këtij debati, vërejmë me kënaqësi se në rivlerësimin e këtij plani rregullues janë marrë parasysh disa nga kërkesat kryesore të qytetarëve”, theksoi Tafaj.
Konkretisht, ai vë në dukje se “janë përmirësuar kriteret e lartësisë së objekteve të banimit në ato zona të qytetit që banohen kryesisht nga qytetarë të hershëm, në pronat e tyre të trashëguara, lartësia e ndërtimeve në këto zona do të jetë 7, 8 dhe 9 kate; si plotësim i kërkesës legjitime  të këtyre qytetarëve. Por, Njëkohësisht ky plan ruan edhe  parametrat e mirëqenies mjedisore, hapësirat publike, infrastrukturën rrugore, objektet social kulturore, të para në një vizion zhvillimor të perspektivës”.
Tafaj shprehet se, “ky shënon një rivlerësim pozitiv të aseteve të qytetarëve, mbrojtjen e interesave të tyre social ekonomike dhe rivendosjen e një balancë optimale midis zonave të ndryshme të banimit, çka sjell një rikualifikim të zonave  të banuara  dhe krijimin e hapësirave e objekteve publike nga të cilat do të përfitojnë të gjithë banorët e Tiranës”.
Ai shpreh besimin se këto lëvizje pozitive do të rrisin edhe stimulimin e ndërtuesve dhe grupeve të tjera të interesit për të investuar në zhvillimin e qytetit. “Hartimi i këtij plani rregullues është një fillim i mbarë për riorganizimin e jetës qytetare dhe respektimin e të drejtës së pronës dhe interesave të qytetarëve. Urojmë që kjo pjesëmarrje dhe prani e qytetarëve në vendimmarrje, në mbrojtje të interesave të tyre të thellohet edhe më tej në procesin e zbatimit dhe implementimit të detajuar të këtij plani zhvillimor”, përfundoi prononcimin për mediat, Arben Tafaj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›