E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stefanovic: Dialogu, pas zgjedhjeve në Serbi

Borisllav Stefanoviç

Shefi i ekipit negociator serb, Borisllav Stefanovic deklaroi se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit do të vazhdojë pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi.

Dialog mes Prishtinës dhe Beogradit nuk do të ketë, derisa nuk do përfundojnë zgjedhjet tona parlamentare dhe është mirë që po ndodh kështu, sepse duhet të vijë një qeveri e re, me energji dhe kapacitete të reja, që mund të hyjë në këtë sfidë të vështirë, ka thënë Stefanovic për mediat serbe.

Ai ka thënë se marrëveshjet në lidhje me çështjet energjetike, telekomunikimin, lirinë e lëvizjes së KFOR-it dhe EULEX-it, do të jenë të rëndësishme për marrjen e dates për nisjen e negociatave mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian.

Ai ka thënë se nuk janë vendosur kufijtë me Kosovën dhe se Serbia nuk e ka dhënë Kosovën në shkëmbim të statusit të kandidatit për anëtërsim në BE.

Më 24 shkurt, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për bashkëpunimin rajonal. Pjesëmarrja e Kosovës në nismat rajonale kishte shkaktuar ndërprerjen për disa kohë të dialogut, pasi Prishtina insistonte në përfaqësimin e saj si shtet, ndërsa Beogradi këmbëngulte në Rezolutën 12 44.

Palët rane dakord për paraqitjen e Kosovës me fusnotën, e cila përfshin 12 44-shin e OKB-së dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›