E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stefanoviç e Bogdanoviç ftojnë serbët në barrikada

Nga Express më 02 gusht 2011 në ora 13:16

Dy zyrtarët e qeverisë së Serbisë, Goran Bogdanoviç dhe Borko Stefanoviç, vazhdojnë të hyjnë të papenguar në Kosovë dhe të bëjnë deklarata që nxisin edhe më tensionet në veri.

Ata kanë vizituar të martën serbët që ishin të tubuar në barrikadën kryesore në Rudare, me ç’rast u kanë bërë thirrje barrikaduesve që të vazhdojnë të qëndrojnë, ndërsa i kanë ftuar edhe serbët e tjerë që të ndërpresin pushimet verore dhe t’iu bashkohen.

“Ju lutem që në mënyrë paqësore të shprehim dëshirën tonë dhe të mos lejojmë që këtu të krijohet shteti i Kosovës. Duhet të kthehemi nga pushimet dhe të jemi të gjithë këtu. Është e qartë se akoma nuk ka mirëkuptim tek një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare për nevojat dhe qëllimet tona. Jemi kthyer dhe jemi të gatshëm të na arrestojnë dhe përulin, vetëm që qetë dhe dinjitetshëm, me bisedime të arrijmë synimet tona”, u ka thënë barrikaduesve në Rudare, Goran Bogdanoviq.

Sipas tij, Prishtina nuk është e gatshme për bisedime, sepse siç tha ai, “ne jemi bashkëbisedues të padëshirueshëm për një gjë të tillë”, transmeton KosovaPress.

Ai ftoi serbët për qetësi dhe unitet si kurrë më parë.

Ndërkaq, Borko Stefanoviq i ka porositur të pranishmit për ruajtje të porosive vëllazërore nga Beogradi.

“Kthehuni të gjithë këtu, ndërpritni pushimet dhe mos u largoni tani askund. Ne jemi popull evropian, kjo nuk është geto, kjo është Serbi”, tha Stefanoviq.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›