E Diel, 1 Nëntor 2026

Stefanoviq: S’pari zgjidhja e pikave kufitare, pastaj vazhdimi i dialogut

(E plotësuar) Shefi i delegacionit të Serbisë në dialogun me Kosovën, Borisllav Stefanovic ka thënë të premten, pas takimit me ndërmjetësin e BE-së Robert Cooper, se është "arritur shumë pranë" zgjidhjes së problemit në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri.

Ai në një konferencë për media ka theksuar se tash është e rëndësishme që të takohet sa më shpejt me strukturat paralele serbe në veri dhe të shqyrtojnë bashkërisht zgjidhjet të cilat janë përmendur në takim me diplomatin evropian.

Stefanovic ka bërë të ditur se aty është diskutuar edhe për detajet, duke filluar nga rregullimi i qarkullimit deri te çështje që kanë të bëjnë me të hyrat në këto vendkalime, si dhe rreth asaj se si do të normalizohet komunikacioni dhe jeta e qytetarëve.

“Ne jemi të gatshëm që të bisedojmë për zgjidhjen e çështjes së vendkalimeve. Pasi që Prishtina nuk dëshiron të bisedojë lidhur me këtë, ne kemi gjetur atë që dëshiron”, ka porositur Stefanovic.

Ai ka shtuar se Cooper do t’ua bëjë me dije autoriteteve të Kosovës propozimet e reja.

“Pres që këto bisedime të vazhdojnë shumë shpejt dhe të arrijmë deri te zgjidhja e qëndrueshme rreth Jarinjes dhe Bërnjakut”, ka thënë Stefanovic.

Por, ai ka nënvizuar se zgjidhja e problemit të pikave kufitare në veri janë kusht për vazhdimin e dialogut me Kosovën.

Në takim me Kuper është biseduar edhe për çështje energjetike dhe pjesëmarrjen e Kosovës në nismat rajonale.

Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, Robert Cooper u takua sot edhe me të ashtuquajturin ministrin e Serbisë për Kosovën, Goran Bogdanovic.

Zyrtarët e lartë evropian kanë shkuar në Beograd në një përpjekje për të ringjallur bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës, disa ditë para se Komisioni Evropian të lëshojë rekomandimin e tij për statusin e kandidatit.

Dialogu i sponsorizuar nga BE u ndërpre javën e kaluar pas një vale të re të dhunës në veri të Kosovës ku popullata lokale serbe, duket e përqendruar të mbetet besnike ndaj Beogradit. Situata atje mbetet e tensionuar. Cooper do të vizitojë edhe Kosovën.

Cooper e kthen Serbinë në dialog?

Lehtësuesi europian në dialogun Kosovë-Serbi, Robret Cooper, ka arritur t’i bind zyrtarët serbë që të kthehen në dialog.

Kjo është konfirmuar nga Goran Bogdanovic, Ministër për Kosovën në Qeverinë serbe.

“Në bisedën me ndërmjetësin e BE-së Robert Cooper është arritur pajtimi që dialogu me Prishtinën duhet të vazhdojë”, ka thënë Bogdanovic, raportojnë mediat serbe.

Dialogu Prishtinë-Beograd u ndërpre ditë më parë, për shkak se Serbia dështoi ta fus në tryezë çështjen e pikave kufitare të Veriut të Kosovës.

Ende nuk dihet se me çfarë kushte është kthyer Serbia në dialog apo nëse ajo është pajtuar se për doganat nuk mund të bisedohet në Bruksel.

Cooper kërkon rifillim të dialogut

Ndërmjetësi europian në dialogun Kosovë-Serbi, Robert Cooper, ka nisur vizitën e tij në kryeqytetin serb, Beograd.

Diplomati europian ka shkuar mbrëmë në Beograd, derisa sot në mëngjes takoi të ashtuquajturin Ministër për Kosovën, Goran Bogdanovic.

Agjencia serbe Tanjug raporton se, pas takimit, Bogdanovic ka thënë se është e nevojshme që të vazhdojë dialogu me Prishtinën – i ndërprerë pas dështimit të Beogradit për të diskutuar në Bruksel për pikat doganore në Veri të Kosovës.

Po ashtu, sipas tij, është pajtim i dy palëve, Serbisë dhe BE’së, që të ketë një hetim të pavaruar për incidentet e fundit në Jarinje.

Gjatë ditës, Robert Cooper do të takohet me Kryenegociatorin serb, Borko Stefanovic dhe Ministrin e Brendshëm, Ivica Dacic.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›