E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“Sterilizimi”, SPAK kërkon që Beqaj të gjykohet veçmas nga 8 të pandehurit e tjerë

TIRANË, 12 dhjetor/ATSH/ Përfundoi mbrëmjen e sotme seanca maratonë për dosjen e “Sterilizimit” në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO).

Gjatë seancës, sipas medies, ka pasur debate nga ana e personave të pandehur, të cilët kanë ngritur pretendime në lidhje me provat e prokurorisë.

Biznesmeni Ilir Rrapaj ka mohuar akuzat e prokurorisë, por ka pranuar njohjen me ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj.

Pas shumë debatesh mes palëve në përfundim 8 të pandehurit kanë kërkuar pushim të çështjes, ose kthim për hetime në SPAK.

Por, në rast se gjykata vendos kalimin e çështjes për gjykim, të pandehurit kanë kërkuar që të gjykohen me procedurën e gjykimit të shkurtuar.

I vetmi që ka kërkuar gjykim të zakonshëm është ish-ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj.

Ndaj, SPAK tha se nëse pranojnë gjykimin e shkurtuar të të gjithëve, atëherë sugjerojnë ndarjen e çështjes, pra ish-ministri Beqaj të gjykohet veçmas nga 8 të akuzuarit e tjerë.

Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme u ka qëndruar sërish kërkesave të saj për kalimin e dosjes për gjykim, pasi sipas tyre, ka prova të për të mbështetur akuzën.

GJKKO do të shpallë vendimin për këto kërkesa në datën 29 dhjetor në orën 9:30. Gjykata mori kohë për të shqyrtuar të gjitha pretendimet e ngritura nga palët gjatë zhvillimit të seancave nga të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre. Po ashtu, për të shqyrtuar edhe provat që ka SPAK për këtë çështje.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›