E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stinë e stuhishme botimesh në “UET Press”

Shtatori nuk kish si niste ndryshe... Ishte parashikuar një stinë e stuhishme qëkur pesë autorët kishin trokitur në dyert e botimeve “UET Press” për të shtypur të zezë mbi të bardhë histori, studime, biografi, rrëfime, intervista... Sa të ndryshëm në përmbajtje dhe stil, aq të ngjashëm në ngjalljen e kërshërisë mes lexuesish dhe ngritjen e debatit mes kritikësh... I pari që do të mblidhte frytin në këtë kohë vjeshte ishte avokati Spartak Ngjela. Kontrovers, i debatuar, i parë me sy të mëngjër nga njëra palë, por karizmatik dhe i duartrokitur nga një tjetër, ai mblodhi rreth vetes miq, kolegë, njerëz që e mendojnë si ai e të ndryshëm...Të gjithë ishin mbledhur bashkë për të dëgjuar më shumë se ca zëra rreth botimit të një libri me karakter deri diku jetëshkrues, të titulluar “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare 1957-2010”. Datëlindja e 80-të e poetit të shquar shqiptar Dritëro Agolli do të ishte një tjetër rast që do të mblidhte bashkë në hollin e Universitetit Europian të Tiranës njerëz të letrave, studiues e akademikë për promovimin e librit “Kam penën e mprehtë dhe mendjen e kthjellët”, një libër që, veçse sjell përmbledhjen me 50 vjet intervista, mendime, polemika, esse, të njeriut që ka lënë gjurmë në historinë e zhvillimit të Shqipërisë, vërteton se flokëargjendti Dritëro është ende i njëjti. Pas tij do të ishte intervista e gjatë e dy kolegëve: Shkëlzen Maliqi dhe Baton Haxhiu, të cilët sollën një libër rrëfimesh për zhvillimet e Kosovës nga vitet ’60 deri më sot. Problematikat dhe sfidat e mëdha të lirisë së shtypit, ishin çështjet që gazetari Sokol Balla i solli në librin e tij më të ri “Fjala e lirë-Sfidë europiane”, sërish një botim i suksesshëm i UET Press. I fundit, ai që do të përflitej ndoshta më shumë e do të ngjallte debat, ishte gazetari i njohur Blendi Fevziu, i cili sjell për herë të parën një biografi prej 400 faqesh të diktatorit Enver Hoxha bazuar në dokumentet e arkivit personal dhe në rrëfimet e dëshmitë e atyre që e njohën. Mbi fletët e këtyre librave, vjeshta padyshim që këtë vit vjen më e pasur.

Ngjela, refleksione për një kohë... tiranie

Si djali i një ish-ministri në kohën e regjimit komunist, si banor elitar i zonës së Bllokut, si i riu me të ardhme brilante, ai që shijonte kënaqësitë ‘e vogla’ të jetës perëndimore, në një vend ku kufijtë e hekurt nuk të lejonin qoftë edhe ta hidhje vështrimin përtej territorit shqiptar, i privilegjuari i sistemit që kishte guxuar ta kundërshtonte, nis të provojë në lëkurë të tij të gjithë tiraninë dhe terronin e pushtetit. Burgosja e të atit dhe e tij. Ishte grindur shumë me të rreth këndvështrimeve politike, madje edhe e kishte sulmuar regjimin pjesë e të cilit qe babai Kiço, por bashkë iu desh të ndanin të njëjtën qeli, kur sistemi kërkonte dhe shpikte armiq...

Por, Spartak Ngjela nuk do të mbetej vetëm me kujtimet -të cilat vijnë tejet të gjalla- por do ta çonte më tej rrëfimin, duke ia bashkëngjitur një analizë të hollë e të ftohtë sistemit, diktaturës dhe tiranisë brenda vendit, por edhe zhvillimet jashtë. Në këtë mënyrë, me botimin e librit, avokati është i bindur se ka mbushur atë segment të zbrazët të historisë shqiptare. Duke e ndjerë si detyrim të brendshëm që veç kujtimeve të sillte fakte historike, por edhe këndvështrimet e tij. Në librin e tij rrëfehet për “komunistë, ballistë, legalistë, sigurimsa, spiunë burgjesh e trotuaresh, të pushkatuar, mendimtarë, njerëz të shquar që nuk u dihet emri sepse kanë vdekur në izolim, jetë njerëzore të shuara për të vetmin faj se nuk kanë dashur regjimin komunist në Shqipëri. Pastaj ministra, gjeneralë e politikanë të lartë të regjimit komunist, që kishin luftuar dhe kishin instaluar diktaturën më të egër në botë, e mandej, po ata vetë, viktima nëpër burgje, teksa në më të shumtën e herëve as që e kuptonin dot se çfarë u kishte ndodhur, por që në pjesën dërrmuese të tyre ishin ende komunistë, kishin ende mendimin se lufta e klasave, domethënë terrori i ushtruar në Shqipëri, ishte pjesë pozitive e historisë tonë”. Ky vëllim i parë, i botuar nga shtëpia botuese “UET Press” rrëfen kujtimet e përjetuara nga vetë Ngjela dhe analizën që ai i bën periudhës prej 30 vjetësh, nga 1953- 1975. Pasi ky vëllim u prit mirë nga kritika, Ngjeka ka në plan botimin e vëllimit të dytë me ngjarje që vijnë deri në 2010-ën, duke lënë të kuptohet që ajo tirani që zë fill në vitin 1953 në rrëfimet e tij,vijon në forma të tjera, edhe në ditët tona...

Dritëro Agolli, në përvjetor të datëlindjes

14 tetori, datëlindja e 80-të e tij do të ishte ditë e ngarkuar plot emocione, dhurata, urime, vizita në shtëpi, ceremoni në nder të tij... Pikërisht me këtë rast edhe Universiteti Europian i Tiranës mendoi t’i bënte një dhuratë shkrimtarit Dritëro Agolli. Një libër që do të çmbështillej në ceremoninë e promovimit, pikërisht në datëlindjen e tij të 80-të nga botimet “UET Press”.

Me një titull kuptimplotë: “Kam penën e mprehtë dhe mendjen e kthjellët”, Dritëroi me flokët e bardhë dhe zërin plot urtësi e kumbues mbetet po ai: i kthjellëti, i thelli, i paprituri, hokatari, i natyrshmi, kritiku, origjinali, humanisti Dritëro i njohur dhe i vlerësuar për veprën e tij.

Libri solli një përmbledhje të 50 viteve histori të Dritëro Agollit, nga viti 1964 deri në ditët tona. Intervista, komente, bashkëbisedime, letërkëmbime me personalitete të njohura brenda apo jashtë. Një nderim jo vetëm për shkrimtarin, por për kujtesën e përbashkët historike, për të nxjerrë në pah vlerat e pasurisë letrare dhe identitetin kombëtar. Një dialog i hapur dhe i sinqertë i shkrimtarit, ku pavarësisht pavazhdimësive historike gjendet vazhdimësia individuale e personalitetit të Dritëroit, që bën prognoza mbi të ardhmen e letërsisë dhe artit në socializëm dhe të ardhmen e intelektualëve në demokraci. Në 285 faqet e librit shkrimtari, i vendosur përballë pyetjeve të gazetarëve me emër, flet për poetikën, prozën, artin shqiptar në përgjithësi, për intelektualët, politikën, pushtetin, frikën kompromisin, diktatorët, për demokracinë e pluralizmin. Me gjithë flokët e bardhë, tetëdhjetë vitet mbi supe, Dritëroi mbetet i njëjti, me penën gjithnjë të mprehtë dhe mendje të kthjellët.

Kur rrëfehet Shkëlzen Maliqi

Nëse do e kishin pyetur pak kohë më parë, nuk do e besonte që ato përpjekjet ngulmimtare të mikut të tij, ato ftesat për kafe apo për dreka me qëllimin e vetëm për ta çuar gjithnjë temën e bisedës tek ajo intervista e gjatë që kishte ndërmend t’ia drejtonte, do të rezultonin më vonë nën kopertinën e një libri. Sepse, Shkëlzen Maliqi më shumë se shumëçka tjetër e kishte të vështirë të rrëfente për veten. Se ajo natyra modeste do ta tutte për të sjellë një rrëfim të rrallë, ndryshe nga të tjerët, për Kosovën, për Beogradin, për betejat intelektuale, për qeverisjen e Titos, nacionalizmin serb... por edhe për vitet e tij si student në kryeqytetin e ish-Jugosllavisë, për njohjen publike si njeri i shkrimit, që i erdhi papritur pas një letre të hapur drejtuar akademikut serb Pavle Iviç... Por, për habi apo mosbesim të tij, sa herë gazetari, mik dhe koleg i tij, Baton Haxhiu do t’i trokiste në derë me pyetje të reja do të konkretizohej. Këmbëngulja e Haxhiut u shpërblye në rrëfimin e Maliqit. “Shkëlzen Maliqi, Shembja e Jugosllavisë, Kosova dhe rrëfime të tjera” - botim i “UET Press- është një analizë e hollë e ngjarjeve të rëndësishme nëpër të cilat kaloi Kosova. Ajo çka ngulet në mendje, pasi e lexon librin, nuk është as lufta e UÇK-së, as e ashtuquajtura rezistenca paqësore në vitet ’90... është dialogu, beteja intelektuale që Shkëlzen Maliqi e ka pasur me intelektualët jugosllavë... Kjo ndoshta ishte edhe arsyeja e këmbënguljes së Baton Haxhiut. Të sillte te publiku në të tërë dimensionin e tij filozofin, gazetarin, njeriun e letrave Shkëlzen Maliqi.

Sokol Balla ... mbi Lirinë

Kur e nisën karrierën si gazetarë para 20 viteve, ai dhe kolegët e tij kishin një armik të përbashkët: qeverinë... Sot, ajo kohë, kur ndoshta kishin përfunduar edhe nën shkopinjtë apo rrahjet e autoriteteve të rendit, u duket gati-gati romantike. Sepse sot, në kohën kur kërkojmë integrimin europian, në kohën kur raportet e BE-së kritikojnë më ashpër se vite të tjera median, në kohën kur industria e zhvilluar e kësaj mediaje nuk mbulon kostot e sistemit, kur konfliktet e botuesve dhe gazetarëve në Shqipëri ‘zhduken’ për shkak të interesave ekonomike, në kohën e shpenzimeve të mëdha në dispozicion të marketingut, që i trazojnë edhe më ujërat e situatës së shtypit në vend, në kohën kur zhvillimi i marrëdhënieve publike ngre pyetjet skeptike mes propagandës apo transparencës, ajo që cenohet nuk është më fiziku... Por, është pikërisht ajo liri themelore që e ka çdokush, liria e shprehjes. Ndaj si njeri, por mbi të gjitha si gazetar, Sokol Balla vendosi të shkruante një libër: “Liria e fjalës, sfidë europiane”, një libër zhurma e të cilit mblodhi në promovim personalitete, që nga përfaqësia e huaj diplomatike, gazetarë e deri te pronarë të mediave. Një anketim i mbi 150 gazetarëve shqiptarë, i përfshirë në këtë libër, i cili fillimisht kishte shërbyer si tema e mbrojtjes së Diplomës së studimeve Master në Kardif të Anglisë - hodhi dritë mbi shqetësimet e reja, shumë herë më të forta se ato të njëzet viteve më parë. Një nga problemet që Balla evidenton fort është vendosja e një raporti të drejtë të gazetarëve me pronarët e mediave, sidomos në kohën kur Raporti i fundit i BE-së për median ishte më kritik se herët e tjera dhe shikonte një përkeqësim të lehtë në raport me vitet e mëparshme. Libri vjen me një këndvështrim interesant, pasi problematika e fjalës së lirë i kalon kufijtë e shtetit tonë që vuan ende tranzicionin e gjatë.

Vetë Europa po përjeton momente kritike për sa u përket shqetësimeve të lidhura me lirinë e medias dhe me lirinë e fjalës. Ajo që ai parashtron në këtë libër studimi është kërkimi dhe gjetja e mënyrave për t’i sheshuar këto problematika.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›